Çela: Synimi i propagandës s’ishte emancipimi i grave. Korrigjimi i datës 8 Mars!

Mar 3, 2019 | 19:50
SHPËRNDAJE

Eriada Çela, pedagoge në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, studiuese e Bursës Fulbright pranë Institutit për Kërkime rreth Grave në Universitetin Rutgers në New Jersey, SHBA, të gjithë kohën, së fundi, ua ka kushtuar hulumtimeve të zgjeruara në lidhje me arsimimin e emancipimin e grave në komunizëm.

Artikulli i paraqitur prej saj në seminarin e Institutit për Kërkime rreth Grave në Universitetin e Rutgersit është vetëm një pjesë e shkëputur nga kuadri historik i një studimi më të gjerë në lidhje me pedagogjinë kritike feministe si mjet fuqizues për studentët e mësuesit.

Paraqitja e kuadrit historik të arsimimit të grave e vajzave në Shqipëri nevojitet për të ndihmuar në të kuptuarit e kontekstit dhe specifikave të mësimdhënies dhe të nxënit në arsimin shqiptar në ditët e sotme, si edhe për të nxitur ndryshime cilësore në arsim në të ardhmen. Rreth interesit të paraqitur në SHBA, lidhur me këtë temë, Eriada na i shpjegon vetë më gjerë, në këtë intervistë…50668929_10161222456660548_8151945676968689664_n

të intervistë… Çfarë ka rezultuar nga hulumtimet tuaja në periudhën komuniste në edukimin e grave?

Hulumtimi në fjalë është realizuar në kuadër të të drejtave të grave dhe vajzave dhe ka një qasje feministe, ku me feminizëm kuptojmë barazinë gjinore në çdo drejtim, si ekonomik, politik, ligjor, shoqëror ashtu edhe historik. Fokusi i prezantimit të bërë në universitetin e Rutgersit është vendosur në arsimimin e grave dhe vajzave pasi kjo temë është pjesë e një projekti më të gjerë kërkimor gjatë qëndrimit tim këtu, ku reflektimi rreth së shkuarës nevojitet po aq sa analiza e së tashmes dhe planifikimi për të ardhmen. Ajo që ka rezultuar dukshëm nga shqyrtimi i burimeve parësore dhe dytësore mbi periudhën e komunizmit në Shqipëri është që propaganda shtetërore përdorej në funksion të fuqizimit të pushtetit të partisë-shtet.

Kjo propagandë e përdorte retorikën e zhdukjes së analfabetizmit në vend si arritjen më madhore në arsim me qëllim që të anashkalonte faktin se arsimi i lartë ishte i kufizuar vetëm për studentët apo studentet me prejardhje nga familje të ashtuquajtura “me biografi të pastër” dhe duke u mohuar të drejtën e arsimit të lartë fëmijëve që vinin nga familjet e persekutuara. Nëpërmjet propagandës në mënyra të ndryshme, vigjilenca në drejtim të luftës së klasave kërkohej e trumbetohej po aq fort sa edhe arritjet në drejtim të zhdukjes së analfabetizmit.

Ky fenomen është i ditur nga kushdo që ka jetuar në atë periudhë, dhe është i dokumentuar edhe nga Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix, dy pedagogë të gjuhës frënge në Universitetin e Tiranës nga viti 1982-1988. Në librin e tyre, ata shprehen se shumë familje ëndërronin të kishin fëmijët në universitet, por nuk arrinin dot pasi partia e përdorte mosdhënien e të drejtës së studimit si mekanizëm dënimi ndaj atyre personave që “e kalonin vijën ” ideologjike të partisë.

Sa i përket në veçanti grave, një temë tjetër e përdorur në propagandën e asaj kohe ishte “emancipimi i gruas”, duke i nxitur gratë në shumë mënyra që të bëheshin pjesë aktive e forcës punëtore në të gjitha fushat e jetës. Ashtu siç zhdukja e analfabetizmit, që në vetvete përbënte një arritje të madhe për popullin shqiptar të pasluftës, edhe shtysa e dhënë grave për t’u angazhuar në profesione të ndryshme do të përbënte arritje nëse synimi do të kishte qenë pikërisht ai që shprehej. Problemi ishte se synimi i kësaj propagande nuk ishte emancipimi i mirëfilltë i grave, por përdorimi i tyre si forcë punëtore për të ndërtuar e fuqizuar shtetin shqiptar pa u ofruar grave mbështetjen e duhur apo burrave edukimin e duhur për të ndarë me gratë përgjegjësitë në familje, në të njëjtën mënyrë si po bëhej me vendet e punës.

Si ka qenë gjendja e grave nëpër dekadat e të atij regjimi? Kur flasim për gratë duhet të kemi parasysh që edhe mes grave, përvojat janë të ndryshme. Siç përbën gjinia dallim në përvojatjetësore të njerëzve me seks të ndryshëm, ashtu edhe klasa, vendbanimi, origjina, mosha, aftësitë, grupimi fetar apo etnik i grave në komunizëm përkufizonte në masë të gjerë përvojat e tyre. Gjithashtu, edhe dekadat e atij regjimi shënojnë ndryshime, fillimisht në ndërtimin dhe më pas në ruajtjen e forcimin e pushtetit. Në një kohë kur shprehja “jemi të gjithë njësoj” ishte e kudondodhur dhe të gjitha gratë përjetonin sfidat e tyre të asaj kohe, dallimi kryesor, për të cilin nuk mund të flitej haptazi, ishte ai politik.

E megjithatë, pikërisht në sferën politike, bëhej edhe dallimi më ekstrem i përvojave të grave. Shumë gra që ishin pjesë e familjeve të drejtuesve politikë të atij regjimi, u arsimuan dhe morën rol drejtues brenda kufijve të lejuar nga hegjemonia mashkullore e politikëbërjes sipas dekadave, ndërkohë që shumë më shumë gra e vajza të tjera u kufizuan me arsimimin minimal, u internuan, u persekutuan, u burgosën në kushte çnjerëzore e madje edhe u pushkatuan. Kontrasti më i madh në këtë sferë shoqërohej me pasqyrim të veprimtarive të grave politikane në gazeta e revista si model për edukimin dhe emancipimin e masave, dhe nga ana tjetër me fshirje e heshtje totale të dhunimeve, torturave e persekutimeve të grave e vajzave të burgosura. Siç e ka evidentuar edhe historiania australiane Shannon Woodcock, burgu i grave në Kosovë të Belshit, në vitin 2010 nuk ishte shënuar ende në hartën e burgjeve të Shqipërisë, që ndodhej në zyrën e një prej organizatave madhore që merreshin me krimet e periudhës së komunizmit në Shqipëri .

Cilat janë qëllimet dhe përfundimet e këtij studimi?

Përfundimet e artikullit të paraqitur në seminar theksojnë mendimin se pavarësisht nga arritjet e propaganduara fort nga regjimi komunist në drejtim të arsimimit dhe emancipimit të grave e vajzave shqiptare, lufta e klasave i përjashtonte vajzat dhe gratë e familjeve të persekutuara nga të ashtuquajturat arritje të asaj kohe. Pra, lufta e klasave ishte më e egër se lufta e propaganduar ndaj analfabetizmit dhe shtypjes së grave, në një kohë që vetë shteti totalitar ushtronte një shtypje të tillë në shkelje të plotë të të drejtave dhe lirive të vajzave dhe grave që persekutoheshin.

Ç’interes ka paraqitur e shkuara jonë aty ku po i prezantoni?

Të pranishme në audiencën e seminarit ishin kryesisht studiuese, akademike dhe studente me origjinë kryesisht amerikane, por edhe aziatike dhe afro-amerikane, të cilat realizojnë studimet e tyre në disiplina të ndryshme, por që të gjitha kanë barazinë gjinore si themel kryesor të studimeve të tyre, ndaj edhe janë pjesë e seminareve javore të Institutit për Kërkime rreth Grave. Këto studiuese u shprehën se prezantimi i nxiti të mendonin e lexonin më shumë rreth implikimeve me ndasi gjinore në drejtim të arsimimit dhe emancipimit të grave gjatë regjimit komunist në Shqipëri, temë e cila ishte krejtësisht e panjohur për shumë prej tyre.

Si ka ndikuar komunizmi në formimin e gruas?

Përgjigjja lidhet me datën 8 Mars, e cila nga Dita Ndërkombëtare e Grave si? njihet në mbarë botën, u shndërrua në Festën e Nënës nga propaganda e regjimit komunist shqiptar. Për mendimin tim, ky ndryshim semantik i datës 8 mars është bërë për dy arsye. Së pari, propaganda synonte shndërrimin e kësaj dite në festë, duke përqendruar vëmendjen në mënyrë të qëllimtë te festimi i arritjeve të partisë-shtet, e cila, sipas propagandës, arriti që gruan shqiptare ta lironte nga shtypja e fesë dhe ta bënte të pranishme në çdo fushë të jetës. Në të vërtetë, ky ndryshim semantik i datës 8 mars i kufizonte liritë dhe të drejtat e grave duke u mohuar atyre mundësinë për të shprehur reflektim e kritikë, e rrjedhimisht, për të vepruar e për të protestuar siç i ka hije kësaj date. Së dyti, regjimi komunist e kufizonte edhe më tej lirinë e grave për të shprehur individualitetin e tyre duke barazuar ekzistencën femërore me atë të mëmësisë, të cilat jo domosdoshmërisht janë të ndërkëmbyeshme. Në këtë mënyrë, regjimi totalitar ushtronte më mirë shtypjen patriarkale ndaj grave, duke u paracaktuar atyre rolin biologjik e duke i nxitur në role të tilla si “nënë heroinë”.

Për t’iu rikthyer pyetjes në lidhje me ndikimin e komunizmit në formimin e gruas, mendoj se komunizmi ka ndikuar në formimin e një mendësie masive mes grave shqiptare, mendësi e cila është trashëguar deri në ditët e sotme. Falë kësaj mendësie, ende sot data 8 mars shoqërohet me dikotominë e kahershme: festë apo protestë?! Meqë data 8 Mars nuk është larg, mendoj se çdo grua që ndjehet e fuqizuar nëse feston, duhet të festojë. Në të kundërt, personalisht gjykoj se ka shumë më shumë arsye për të protestuar, sidomos bazuar në shifrat e frikshme të krimit brenda familjes, të kushteve të papërshtatshme të punësimit, të diskriminimit apo ngacmimeve në punë, të martesave të hershme apo të çdo rasti kur vajzave dhe grave u kufizohet kapaciteti i tyre maksimal për arritje personale dhe kontribut në shoqëri. Për këtë arsye, dëshiroj ta korrigjojmë këtë gabim, e t’ia rikthejmë kuptimin e saj të protestës datës 8 Mars, Ditës Ndërkombëtare të Grave!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura