Çel dyert çerdhja dhe kopshti që u financuan nga qeveria e Katarit dhe Dua Lipa

Oct 13, 2021 | 14:11
SHPËRNDAJE

Veliaj cerdhja-Dua-LipaFalë ndihmës së qeverisë së Katarit, por edhe donacionit të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, çeli dyert çerdhja dhe kopshti i Katarit “Sunny Hill”, i cili më pak se dy vite më parë u shkatërrua nga tërmeti tragjik, por sot mirëpret mbi 300 vogëlushë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali Bin Hamad Al Marri, përuruan kopshtin në zonën e ish-Bllokut, vepër e cila u realizua falë grantit prej 5 milion dollarësh për financimin e projekteve të rikonstruksionit të tre institucioneve arsimore në Tiranë.

Duke falenderuar miqtë e Katarit për ndihmën bujare, por dhe këngëtaren Dua Lipa, që mundësoi mobilimin e brendshëm të çerdhes dhe kopshtit, kryebashkiaku Veliaj tha se investimet në arsim, duke nisur që në sistemin parashkollor, janë pasqyra më e qartë e Tiranës së 30 viteve të ardhshme.

“Nëse duam t’i përgjigjemi pyetjes se si do të jetë Tirana pas 30 viteve, ne tregojmë një kopësht, sepse Tirana e 2050-ës gjendet në këto hapësira. Nëse këto hapësira janë të mira, atëherë e ardhmja e Tiranës do të jetë e mirë. Nëse këto hapësira janë ato që gjetëm në 2015-ën, me lagështirë, ky qytet nuk frymëzon më. Përgjigja për Tiranën e 2050-ës është ky kopësht, që ne ringritëm me miqtë tanë nga Katari dhe këngëtaren e famshme Dua Lipa. Ata janë dëshmi se si kontributi i njerëzve që duan të ndihmojnë, prodhon diçka fantastike,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se si ky kopësht, nga i njëjti financim po ringrihen dhe do të hapen së shpejti edhe shkolla “Lasgush Poradeci” dhe shkolla në Pezë.

Edhe ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri, theksoi se vendi i tij i kushton një kujdes të veçantë arsimit për rolin vendimtar në formimin e një brezi të vetëdijshëm e të kulturuar, që ndërton një shoqëri të drejtë dhe kontribuese në realizimin e zhvillimit social dhe ekonomik. “Shpresoj që rikonstruksioni i këtyre tre institucioneve arsimore të kontribuojë në mbështetjen e zhvillimit njerëzor të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm në Republikën e Shqipërisë, veçanërisht në garantimin e një të ardhmeje të begatë dhe premtuese për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë,” deklaroi Ali bin Hamad Al-Marri.

Kreu i Bashkisë tha se përveç forcimit dhe modernizimit, hapësirat e kësaj godine janë trefishuar, duke shtuar po me tre herë edhe kapacitetin e fëmijëve që mund të akomodohen në këto mjedise.

“Parimi ka qenë ta bëjmë më të fortë, më të bukur dhe më të madhe dhe shkuam nga një kopsht që kishte vetëm 100 fëmijë, edhe prej kushteve të amortizuara, në trefishin e tyre. Kjo do të thotë se 300 prindër shkojnë më të qetë në punë. Janë 300 familje që sigurojnë të ardhura, prej faktit që na kanë besuar dritën e syve dhe besoj se nëse do shikojmë efektin kaskadë që ka kjo në ekonomi, në komunitet, apo në aftësimin dhe karrierën e gjithë këtyre prindërve, është një sukses i jashtëzakonshëm. Bekuar qofshin ata që punojnë për fëmijët e që prodhojnë punë të tilla të shkëlqyera, të jashtëzakonshme, më të forta, më të mëdha dhe më të bukura,” tha Veliaj.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/