Çekët u qëlluan pas koke, autori në sediljen e pasme të automjetit

Jul 5, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Çifti çek u vra me plumba pas koke. Autori e shkrepi dy herë kallashnikovin drejt 27-vjeçarit Michael Svatos e më pas një herë drejt të dashurës së tij, Ana Kosinova. 

Cifti cek i vrare ne Dukagjin

Nga hetimet e kryera mbi ngjarjen që tronditi vendin mbrëmjen e të premtes, grupi i punës i ngritur për zbardhjen e saj ka mundur të saktësojë dinamikën e krimit të dyfishtë.

Për gati 12 orë, makina “Nissan” me targa çeke u mbajt nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, në zonën e njohur si “Ura e Shtrenjtë”, në Prekal të komunës Postribë, derisa u bë ekspertiza e nevojshme. 

DINAMIKA E VRASJES

Gjithçka ka ndodhur në rrugën e kthimit nga Thethi të turistëve çekë në drejtim të Shkodrës. Në rrethana që ende mbeten mister, në makinën e tyre ka qenë edhe autori i krimit, i ulur në sediljen e pasme të fuoristradës.

Nuk dihet nëse autorin e kanë pasur në mjet që në fshatin Theth apo e kanë marrë rrugës, por një gjë është e sigurt, se në fshatin Prekal turistët nuk kanë ndaluar fare, siç konfirmojnë edhe banorët e zonës.

Pasi ka kaluar Prekalin, rreth 6 km më poshtë tij, kur rruga ngushtohej dhe banesat ishin lënë pas, autori i ka prerë në besë transportuesit e tij.

Ai ka nxjerrë nga një çantë që kishte me vete armën automatike. Me të ka qëlluar dy herë në drejtim të Svatosit, i cili po drejtonte makinën. Plumbat kanë qenë pas koke, të qëlluar nga një distancë fare e afërt. Pas shoferit, autori ka qëlluar me një plumb Ana Kosinovën, 36-vjeçaren e ulur në sediljen e parë.

Mendohet se të dy çekët kanë vdekur në vend dhe mjeti, pasi ka ecur për inerci rreth 10 metra, është mënjanuar nga ana e malit dhe më pas është rrëzuar në krah nga ana e shoferit.

Këto lëvizje kanë bërë që edhe autori të mbesë i plagosur gjatë rrëzimit të mjetit. I ndodhur në një gjendje të tillë, autori ka mundur të dalë me shpejtësi jashtë automjetit.

Dyshohet se në këtë kohë e ka pritur një person tjetër jashtë, i cili ka ndjekur makinën deri në momentin e sulmit të armatosur. Pasi kanë qëlluar edhe dy herë të tjera në drejtim të mjetit të çekëve, janë larguar me shpejtësi me një motor nga skena e krimit.

Në vend janë gjetur gjurmë të motorit, me të cilin mendohet se janë larguar autori me bashkëpunëtorin e tij. Policia zbuloi në pjesën e pasme të makinës së viktimave armën e zjarrit, si dhe çantën që dyshohet se i përket autorit.

 ZBULIMI I VIKTIMAVE

Ka qenë një automjet i rastësishëm që lëvizte në të njëjtin drejtim, nga Prekali në Shkodër, drejtuesi i së cilës zbuloi dhe ngjarjen, e ndodhur në orën 20:00 të së premtes.

Sipas shoferit që lajmëroi Policinë, ai ka pikasur mjetin e përmbysur në mes të rrugës, duke thënë se bëhej fjalë për një aksident.

Të parët që kanë mbërritur në vendngjarje, kanë qenë shërbimet e Policisë Rrrugore, të cilët kanë njoftuar edhe shërbimin zjarrfikës që të vinin në vendin e ngjarjes për të ndihmuar në nxjerrjen e trupave nga mjeti.

Pasi kanë nisur veprimet për të nxjerrë viktimat janë dalluar shenjat e plumbave në mjet, si edhe automatikun në pjesën e prapme të mjetit.

Vetëm atëherë u dha alarmi se bëhej fjalë për një vrasje me armë zjarri, ndërsa viktimat ishin shtetas të huaj. Dokumentet e zbuluara në makinë, të paprekura, ashtu si dhe mjetet personale të viktimave, bënë identifikimin e çiftit nga Çekia.

Nga ana e Policisë deklarohet paraprakisht se autorët mund të kenë dashur të nxjerrin nga rruga dhe të hedhin në greminë makinën e autorëve.

Ky dyshim vjen nga fakti se mjeti u qëllua sërish nga jashtë me breshëri. Nëse do të rrëzohej në greminë, atëherë gjurmët e krimit nuk do të zbuloheshin kurrë.

Makina u zhvendos paraditen e djeshme nga fshati Prekal në ambientet e Policisë së Shkodrës, ku ekspertiza do të kryhet më e detajuar. 

RITVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura