Ceka: Të ndërtohet një teatër klasik, jo ekcentrik nga studio të famshme

Feb 24, 2018 | 10:39
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Politikani i njohur Neritan Ceka e cilëson konstruktiv debatin e aktorëve për Teatrin Kombëtar, ndërsa mendon se nevojitet një godinë klasike e re për teatrin.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceka shprehet se të gjitha qeveritë kanë ndihmuar në varfërimin shpirtëror të vendit. Ai i kujton qeverisë aktuale se ka humbur 50 milionë euro për rrugën Elbasan-Tiranë apo 70 milionë euro nga taksat e pavjela nga kompanitë e naftës, ndërsa për të investuar në art, tregon se mungojnë paratë.

neritan ceka

Javët e fundit aktorët e Teatrit Kombëtar kanë kërkuar të njihen me projektin e teatrit të ri, që pritet të ndërtohet në hapësirën aktuale të tij. Si e vlerësoni këtë reagim të aktorëve?

Unë mendoj se ky është një debat shumë pozitiv, pavarësisht nga tonet që ndonjëherë e kalojnë etikën. Natyrisht që Teatri Kombëtar është një vlerë e jashtëzakonshme e Shqipërisë. Të mendosh që ky ishte teatri i krijuar që në vitet e para pas Pavarësisë, në mënyrë amatore. Ka pasur grupe teatri në Shkodër, në Elbasan, ku edhe im atë luante rolin e një vajze, sepse ishte i pashëm, në një dramë të Sami Frashërit.

Ta mendosh që ka nisur me pjesë shqiptare! Pastaj u kthye në një teatër, pas luftës, me figura të jashtëzakonshme, si Naim Frashëri, Loro Kovaçi me një numër pafund aktorësh shumë të mirë, pa bërë ndonjë seleksionim të figurave.

E mendoni, që të luajë Ndrenika në teatër, a mbetet vend bosh?! Teatri, kjo vlerë duhet ruajtur si “uji i pakët”. Unë mendoj se teatri nuk ka pasur respektin e nevojshëm nga qeveritë, jo vetëm teatri, por edhe piktura, arti në përgjithësi. Nuk kemi dhe nuk kemi pasur qeveri të varfra, por qeveri të një vendi të varfëruar shpirtërisht. Nëse ka sektorë që këtë varfëri shpirtërore e pasqyron në mënyrë më demonstrative, është qeveria.

Jo qeveria e zotit Rama, që duhet të ishte më sensibël, se drejtohet edhe nga një artist, por dhe qeveritë e tjera kanë qenë shumë të varfra në këtë drejtim. Debati është konstruktiv, sepse aktorët kanë të drejtë që të thonë: ne po bëjmë sakrifica, përse nuk shpërblehemi qoftë materialisht, qoftë dhe në dinjitet. Ne duam një teatër dinjitoz. Ky vend që po bën një stadium dinjitoz, ky vend që po bën rrugë dinjitoze, nuk mund të bëjë një teatër kombëtar dinjitoz?!

Kjo qeveri ka humbur vetëm në një rrugë 50 milionë euro, vetëm nga mospagimi i taksave dhe akcizave të naftës, ka humbur 70 milionë euro, pra, paratë nuk mungojnë dhe për teatrin nuk gjenden paratë. Aktorët kanë të drejtë të thonë se në këtë parcelë ku është teatri, duam të dimë se si do jetë teatri i ri. Duhet të jenë artistët pjesë e projektit.

Dëgjoj që thonë do marrim një arkitekt të famshëm, që do bëjë teatrin. Do vijë studioja e famshme dhe do na bëjë një projekt ekcentrik, siç kanë bërë “arkivolin” në qendër të Tiranës. Ne duam një teatër në një ambient klasik. Ajo është një zonë monumentale. Të vijë arkitekti më i famshëm i Europës dhe të bëjë një teatër në shtetin e fundit të Europës…

Si njeri që merreni me trashëgiminë dhe monumentet, godina e teatrit mendoni se duhet të qëndrojë, të ruhet? 

Jo, godina s’duhet të qëndrojë, sepse ajo ka qenë një godinë e arkitekturës fashiste. Godina të tilla i ke dhe në Abisini, në Tripoli në vendet e pushtuara nga Italia e kohës së fashizmit. Kjo çoi në një debat pozitiv, nuk dua të them se kush u tërhoq. Është thënë dhe besoj se nuk do të ketë Teatër Kombëtar brenda një kulle. Ndryshe, do të jetë një turp. Ai duhet të jetë një teatër siç është në Shkup apo dhe në vende të tjera, Teatri Kombëtar, siç është dhe godina e Bibliotekës Kombëtare, e Operës, Muzeu Kombëtar etj.. Teatër brenda një kulle mund të jetë një teatër modern, apo një teatër eksperimental, por jo teatri kombëtar. Nuk mund të bëjmë një shtet karagjoz.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura