Çaushi: Ramiz Alia nuk ishte Gorbaçov, por pemë e rritur në hije (III)

Oct 13, 2015 | 13:51
SHPËRNDAJE

Deri në vitin 1975 Shqipëria kishte vendosur marrëdhënie diplomatike, kulturore dhe tregtare me 72 vende të botës që ishin kryesisht nga Amerika Latine (Kili, Peruja, Kosta-Rika, Argjentina, Meksika, Venezuela), nga Afrika dhe Azia (Nepali, Irani, Guineja Ekuatoriale, Senegali, Nigeria, Kameruni, Tunizia, Burundi, Libani, Benini) etj. Ndërkohë, në Europë mbeteshin mjaft njolla të bardha, shtete me të cilat vendi ynë ose nuk kishte fare marrëdhënie diplomatike, ose i kishte ato të kufizuara.

Në rastin e Shqipërisë, pa dyshim fajtori ishte ideologjizimi i politikës së jashtme, e cila ndikonte drejtpërsëdrejti në mpirjen e mendimit intelektual e diplomatik, duke bllokuar kështu iniciativat operative të aparatit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet e Europës.

shpetim-caushi-620x458

Pra, vënia e politikës së partisë në pushtet mbi profesionalizmin dhe mendimin e kualifikuar diplomatik ngurtësoi çdo tentativë nga Ministria e Jashtme për t’u lidhur me shtetet e tjera. Një fenomen i tillë zvarriti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Bonin jo pak, por 15 vjet, ndaj me të drejtë ishambasadori i parë në RFGJ, dr.Shpëtim Çaushi e quan “shansi i humbur gjerman”.

Madje, ai kështu e ka titulluar edhe librin e ri që u promovua javën e kaluar në kuadër të 25-vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), botim i Institutit të Studimeve Diplomatike dhe i Universitetit Europian të Tiranës. Fillimi i viteve 80-të, korrespondon me një “ofensivë” të diplomacisë shqiptare për të arritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale Gjermane me kryeqytet Bonin asokohe, duke pasur edhe njëherë si synim kryesor pagimin nga gjermanët të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, që ishin vërtet një shifër “e çmendur”.

Bëhej fjalë për mbi 4 miliardë dollarë amerikanë reparacione, një shumë kjo subjektive e llogaritjes së dëmeve të luftës, por mjaft e lakmuar nga aparati i PPSH-së si zgjidhje përfundimtare për krizën ekonomike që kishte pllakosur në Shqipëri. Rinisja aktive e negociatave me Bonin koinciduan me “përfundimin e luftës së klasave në superstrukturë” në Shqipëri, e cila ishte në fakt një luftë brenda partisë dhe pushtetit të Enver Hoxhës, midis grupeve rivale apo pretenduese për marrjen “e fronit” të tij, për shkak të moshës e sëmundjes që po e mundonin gjithnjë e më shumë.

Ishin këto lëvizje të brendshme partiake ato që nxorën jashtë arenës politike Mehmet Shehun dhe konsoliduan paralelisht pushtetin e Ramiz Alisë. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut në 1981, Ramiz Alia mori postin e Presidentit të Republikës, duke u bërë praktikisht figura qendrore e shtetit shqiptar dhe filloi ta thotë më shumë fjalën e tij në orientimin ndërkombëtar që do të mbante Shqipëria.

Se çfarë ka thënë realisht Alia për politikën e jashtme dhe konkretisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Bon, e rrëfen për gazetën “Panorama” vetë diplomati i 40 viteve, ish-ambasadori i parë në Gjermani, dr. Shpëtim Çaushi. A ishte Ramiz Alia një Gorbaçov siç është quajtur shpesh apo një pushtetar vibrant dhe i lëkundur? Ndiqni pjesën e dytë të intervistës…

“De facto” u anashkalua Ministria e Jashtme, por si u prit nga gjermanët kjo lëvizje?

Sigurisht që u vu re, por ata nuk reagonin formalisht. Arritën të bëjnë një pyetje në fillim të bisedimeve për funksionet e kryetarit të delegacionit të palës shqiptare. Lazri u prezantua si drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme. Pyetja nuk u bë rastësisht nga pala gjermane. Mund t’ju përmend një rast evident. Në bisedimet që u bënë më pas në Vjenë, pas atyre më parë në Bon, lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, delegacioni gjerman shprehu një propozim, i ardhur nga “lart”. Sipas tij, ministri i Jashtëm gjerman i asaj kohe dhe nënkancelari, Hans-Dietrich Genscher, dëshironte të takohej me ministrin tonë të Jashtëm, Reiz Malile, duke lënë të kuptohej se kjo do të shpejtonte përfundimin e bisedimeve sa më parë, që ndërkohë do të mund të gjendej edhe ndonjë zgjidhje për problemet e ngritura nga pala shqiptare. Kryetari i delegacionit tonë, Sofokli Lazri, pa u konsultuar me Tiranën, u përgjigj aty për aty: “Nuk shoh arsye që të takohen dy ministrat tanë të Jashtëm”…

Si ka mundësi që një këshilltar, qoftë edhe i Presidentit, të kishte tagrin e një ministri, ose më shumë sesa ai, aq sa të vendoste se kush duhej të takohej e kush jo?

Kjo është një pyetje shumë interesante dhe thelbësore, që nuk ka marrë asnjëherë përgjigje. Me sa duket, ai kërkonte që të shmangte pikërisht implikimin e ministrit të Jashtëm në atë kohë, në një nivel me Genscher, pasi do të përjashtohej komplet “profili” i delegacionit tonë, i cili ishte një format i KQ të PPSH-së, që komunikonte në një mënyrë strikte vertikale, mjaft diskrete dhe shmangte që këtë problem t’ia kalonte Ministrisë së Jashtme. Mund të ketë edhe arsye të tjera, por që nuk kemi mundur t’i gjejmë dot në arkivat tona.

Arsye të tjera, të tipit…?

Në atë kohë pati komente që disa shtete larg dhe pranë nesh kishin interesa për të penguar me çdo kusht këtë “aventurë shqiptare” në marrëdhëniet me Gjermaninë, e cila, nëpërmjet saj, mund të “kalonte” përfundimisht në krahun perëndimor. Sigurisht, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia e Millosheviçit kishin një interes objektiv për ta ndaluar këtë proces, ta mbanin sërish Shqipërinë në sistemin e saj të vetizolimit. Është një enigmë tjetër që mund të kërkojë në të ardhmen një analizë tjetër të veçantë…

Nëse çështja do të ishte negociuar në nivel ministrash të Jashtëm, a mund të ishte përshpejtuar vendosja e marrëdhënieve me Gjermaninë?

Sigurisht, do të fitohej kohë dhe do të transmetohej më shumë besim te pala gjermane. Po kështu, mund të ishte përshpejtuar vendosja e marrëdhënieve diplomatike, mund të kishte edhe impulse pozitive në rrafshin ekonomik dhe financiar.

Pas emërimit tuaj si ambasador nga fundi i 1987-s, a keni pasur ndonjë takim konkret për këtë çështje me Ramiz Alinë, d.m.th. për reparacionin?

Kam pasur disa takime. I pari prej këtyre takimeve ishte një procedurë normale institucionale, ku, në përgjithësi, çdo ambasador para marrjes së detyrës takohej me kryetarin e shtetit. Në rastin e Gjermanisë, thirrja për takim erdhi nga zyra e Ramiz Alisë. Ishte shumë interesant ai takim. Shkoja për herë të parë dhe biseda u bë e incizuar. Ramiz Alia, në përgjithësi, ashtu i bënte bisedat, sidomos ato vetëm për vetëm. Nga biseda që bëmë, m’u duk sikur nuk kishte bindje se do të mund të ecnin shpejt marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë. Por tha që ta shfrytëzojmë disi politikisht.

Çfarë do të thoshte kjo, “ta shfrytëzojmë politikisht”?

Mua në fillim më erdhi mirë që e tha këtë fjalë, sepse “politikisht” do të thoshte që të bënim një hapje reale të politikës së jashtme, pas normalizimit me Gjermaninë. Pasi deri në atë kohë, kisha mendimin se hapi me Gjermaninë, u ndikua nga interesa thjesht ekonomike, marrja e reparacioneve, apo të ndonjë “sadisfaksioni financiar” që do të çonte në sigurimit të parave të ardhura menjëherë, mundësisht para në dorë. Pra, mendoja që hapja me Bonin nuk kishte elemente strategjike, një politikë afatgjatë, pasi i frikësoheshin, konsekuencave për rënien e një “rrjedhje” të menjëhershme me Perëndimin e SHBA. Lëvizja ishte e lidhur me elemente taktike të politikës së jashtme të Shqipërisë së asaj kohe, pra një hapje fiktive. Prevalonin kryesisht përfitimet e shpejta ekonomike, pasi sistemi ishte në krizë dhe në pragun e rënies (siç rezultoi më vonë). Por, pastaj nga fundi, Ramizi dha disa porosi që ishin standarde të asaj kohe.

Porosi të tipit…?

Të tipit “kujdes me këtë e atë, mos kini ndonjë shpresë të madhe, mos reflektoni entuziazëm, shpresë se do të bëhet kjo e ajo”… Unë kisha përshtypjen se Ramizi ishte në tërësi më liberal dhe se mund të bënte lëvizje disi më të shpejtë me botën e jashtme. Kisha lexuar në disa artikuj të huaj që e cilësonin si “Gorbaçovi i Ballkanit”, dhe kjo na dha njëfarë besimi se vërtet do të bëhej diçka për hapjen.

Në fakt, a ishte Alia një “Gorbaçov”?

Sigurisht, jo. Më vonë jeta e vërtetoi se Alia ishte mjaft vibriv në qëndrime, mjaft i lëkundur dhe unë në biseda të ngushta me disa kolegë të mi që shërbenin jashtë shtetit e krahasoja me një pemë e rritur në hije, me kërcell të dobët, që mund të lëkundej lehtazi nga çdo erë që frynte dhe nga çdo anë…

Domethënë nuk është se Ramiz Alia pati ndonjë meritë në vendosjen e marrëdhënieve me Bonin?

Meritë ishte vetëm fakti që u tërhoq nga kërkesat fillestare të reparacioneve dhe la hapësirë për një hapje më të madhe me Gjermaninë, duke forcuar idenë se mund të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike. Po bëheshin disa hapa për një- farë hapjeje, por jo hapa të menduar si një platformë strategjike. Më shumë ishin hapa si elementë taktikë, për të krijuar përshtypjen sikur Shqipëria po realizonte një orientim të ri politik. Brenda vetvetes, brenda esencës së pushtetit, nuk kishte një plan strategjik për hapje me botën perëndimore. Edhe në këtë rast, mund të them që Ramizi bëri një shtyrje kohe, duke u tërhequr nga kërkesat fillestare utilitare ekonomike, por jo hapa strategjike. Vetë Ramiz Alia e cilëson periudhën e qeverisjes së tij si postizolatore, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas pohimeve të tij të mëvonshme, ardhja në pushtet e Ramiz Alisë, në 1985, lidhej me një rrugë ndryshimesh nga politika tradicionale enveriane.

Që ishin…

Shumë gjëra duhej të lëviznin patjetër nga politika e mëparshme, nënvizon ai, pra nga politika e Enver Hoxhës”. Po të mbështetemi në këto dëshmi të Alisë, “ndryshimet do të preknin si marrëdhëniet brenda vendit, raportet qendërbazë, parti-shtet etj., shkallën e të drejtave universale, politikën dhe prioritetet ekonomike të zbatuara deri atëherë, si dhe orientimet përparësor të politikës së jashtme”. Këto mbeteshin pretendimet e udhëheqësit të ri në Tiranë për të realizuar në periudhën pesëvjeçare që u përcaktua nga vetë Alia si “epokë postizolacioniste”, por që në fakt, nuk rezultoi në një politikë antiizolacioniste. Në rastin më të mirë, ato mund të konsiderohen vetëm një “hapje graduale dhe e kontrolluar”, pa u larguar, qoftë edhe në “heshtje”, nga politika që kishte mbijetuar për më se katër dekada.

Kur është angazhuar personalisht Alia për normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë?

Ramiz Alia është angazhuar personalisht me problemin gjerman, me idenë e normalizimit të marrëdhënieve me Bonin, vetëm pas Kongresit të 8-të të PPSH, duke presupozuar se i kishte “duart më të lira” nga influenca e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, në politikën e jashtme, i cili me shpejtësi po cedonte nga pushteti absolut i mëparshëm. Në datën 15 dhjetor 1981, duke marrë shkas nga një bisedë me një drejtues kryesor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Alia dha disa orientime lidhur me marrëdhëniet me Republikën Federale të Gjermanisë, të cilat influencuan në përcaktimin e një platforme të re bisedimesh me gjermanët, në atë periudhë.

Ju keni qenë pro vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. A ia keni shprehur këtë mendim Alisë?

Unë nuk jam marrë drejtpërsëdrejti me bisedimet me gjermanët. Arsyet i thamë më sipër. Sistem tepër i centralizuar dhe diskret me udhëheqjen e KQ, vetëm Enver Hoxha dhe Ramiz Alia që u konfirmua si pasuesi i Hoxhës ishin në dijeni të negociatave pas vdekjes së Mehmet Shehu. Në Ministrinë e Jashtme përgatiteshin materiale ndihmëse me karakter informativ, kryesisht nga dokumentacioni arkival që ndodhej në këtë dikaster. Punonin disa diplomatë me eksperiencë. Herë-herë kërkoheshin materiale politike për zhvillimet e brendshme dhe politikën e jashtme në Republikën Federale Gjermane, përfshirë sigurisht edhe Republikën Demokratike Gjermane. Dhe vetëm kaq. Madje vetëm pak veta mund të dinin destinacionin e tyre në Ministrinë e Jashtme. Në atë kohë, unë në isha ambasador në Suedi dhe vendet nordike kur më njoftuan që isha emëruar ambasador në Bon, atëherë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore. Për bisedimet dhe rezultatin e tyre jemi informuar me një qarkore tërë misionet diplomatike të Shqipërisë. Pas emërimit, me një lëvizje të shpejtë, jo të zakonshme në praktikën diplomatike, brenda dy javëve u ktheva në atdhe dhe u nisa për në Bon. Nuk jam marrë me direkt me bisedimet, ndaj dhe nuk mund të gjykoja që të isha pro apo jo. Kam punuar disa materiale, por që kalonin, sigurisht në disa instanca të tjera që unë nuk i dija dhe nuk i ndiqja. Pas lajmit të vendosjes së këtyre marrëdhënieve, të gjithë u entuziazmuam. Në fakt, kjo ngjarje ishte mjaft e rëndësishme për tërë popullin dhe vendin tonë, pasi jepte shpresë për një hapje të reale në politikën e jashtme të Shqipërisë, veçanërisht me një shtet kaq të rëndësishëm në terrenin europian të zhvillimeve.

A nuk mundeshin ministrat e Jashtëm që qenë ato vite, apo titullarë të tjerë të lartë të këtij dikasteri, që të këmbëngulnin më tepër dhe të ndikonin gjithsesi për një vendosje më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike?

Për fat të keq, Ministria e Jashtme pak a shumë u la jashtë kësaj çështjeje madhore. Në rastin e Shqipërisë, pa dyshim kemi një ideologjizim të politikës së jashtme, e cila ndikonte drejtpërsëdrejti në mpirjen e mendimit intelektual e diplomatik, në bllokimin e iniciativës operative të aparatit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke nxitur në këtë mënyrë pasivitetin dhe zvarritjen e veprimtarisë funksionale të strukturave të politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Them ideologjizim se gjithçka bëhej në KQ të Partisë dhe sipas parametrave botëkuptimor të doktrinës që e udhëhiqte tërë vendin dhe strukturat shtetërore, sigurisht edhe Ministrinë e Jashtme. Shpresonim që “indikacioni gjerman” do të shtynte drejt vendosjes së dikasterit të diplomacisë në vendin e vet, do t’i imponohej një aktivitet më dinamik dhe përfshirës në një proces hapjeje reale të pritur prej vitesh.

Kur thoni “ideologjizim të politikës së jashtme”, çfarë duhet të kuptojmë më konkretisht?

“Ideologjizim i politikës së jashtme” do të thoshte vënia e politikës së partisë në pushtet mbi profesionalizmin dhe mendimin e kualifikuar diplomatik. Direktivat e PPSH për politikën e jashtme, në të shumtat e rasteve, ktheheshin në rrathë hermetikë, të cilat çonin në kultivimin e pritshmërisë “nga lart”. Pjesë e këtij procesi ideologjizimi të “vënies së politikës së partisë në plan të parë” mbi diplomacinë, ishte edhe përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve të politikës së jashtme në kongreset e partisë, që mbaheshin një herë në katër vjet. Kjo ngurtësonte efikasitetin dhe fleksibilitetin e diplomacisë shqiptare, e cila nuk mund të ndryshonte definicionet e parimeve dhe të lidhjeve me shtete të ndryshme, jashtë kritereve të këtyre forumeve të partisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura