Çaushi: Kushti i Enverit për marrëdhënie me Bonin, “duam 4 miliardë dollarë” (II)

Oct 12, 2015 | 9:39
SHPËRNDAJE

Prishja përfundimtare me Kinën në 1977, mund të konsiderohet edhe një ndarje pothuaj totale e Tiranës me botën socialiste dhe kalimin e saj në një fazë të re të politikës së deriatëhershme izolacioniste. Të imponuar nga këto zhvillime të brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar, pikërisht në këtë periudhë, në mesin e viteve ’70-të, kemi një riaktivizim të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të normalizuar marrëdhëniet me Bonin, por duke ngritur si parakusht reparacionet që Republika Federale e Gjermanisë i detyrohej Shqipërisë nga Lufta e Dytë Botërore.

shpetim-caushi-620x458
Dhe Tirana zyrtare nuk kërkonte pak nga Gjermania, por mbi 4 miliardë dollar dëme lufte. Një shifër “e çmendur” kjo, që mbajti peng marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve jo pak, por për plot 15 vjet. Megjithatë, shuma marramendëse nuk ka qenë e vetmja pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe zvarritja e procesit nuk justifikohet me matematikën e thjeshtë. Se çfarë ka ndodhur realisht në “pas kuintat” e diplomacisë Tiranë-Bon, e shpjegon më së miri ambasadori i parë në Gjermani, Dr. Shpëtim Çaushi. Ai sapo publikuar librin

“Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), botim i Institutit të Studimeve Diplomatike dhe i Universitetit Europian të Tiranës, në kuadër të 25-vjetorit të bashkimit të Gjermanisë. Në planin personal, autorit i është dashur të jetë i lidhur prej vitesh me temën, duke e konsideruar atë sfidë morale, intelektuale dhe profesionale, si qytetar dhe diplomat. Ndihmë konkrete duket se kanë qenë edhe shënimet që ka mbajtur Dr. Çaushi gjatë veprimtarisë si ambasador i parë i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, veçanërisht gjatë periudhës pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bonin, në tetor 1987.

Për ne që e kemi lexuar, libri është një skaner i vërtetë i prapaskenave për atë që me të drejtë autori e quan “shansi i humbur gjerman”, edhe pse Dr. Çaushi në fund të fundit mbetet një ambasador profesionist dhe përpiqet t’i thotë gjërat me diplomaci. Por në intervistën ekskluzive për gazetën “Panorama”, rrëfimi vjen ndryshe; ai është i drejtpërdrejtë dhe me detaje të reja për të vërtetat e negociatorëve partiakë që morën kompetencat e diplomatëve, duke vonuar kështu një dekadë e gjysmë marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë…

ELISABETA ILNICA

Në librin tuaj “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), ju thoni se për rreth 15 vite, Tirana zyrtare humbi një mundësi në normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. Përse?

Ishte SISTEMI.

Përse sistemi? Sepse mjaft vende të Europës Lindore, “satelite” të Bashkimit Sovjetik, arritën të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë, rreth 15-20 vjet para Shqipërisë…
E vërtetë, por edhe brenda sistemit që ne e quanim “socialist”, Shqipëria dallohej në kuptimin negativ të fjalës, për shkak të parametrave izoluese që kishte aplikuar me kohë në politikën e jashtme dhe në përgjithësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos me vendet perëndimore. Prandaj, do të thosha që dimensionet vetizoluese pas prishjes me vendet e Europës Lindore, veçanërisht me Kinën, u thelluan më tej, krijuan vështirësi të tjera komunikimi me botën e jashtme. Vetizolimi u krijua si një botëkuptim “origjinal” zyrtar, që i dha shkas edhe aplikimit të konceptit ekstremist të “sovranitetit absolut”. Kjo fliste për një sektarizëm të tejskajshëm, madje edhe brenda doktrinës së saj ideologjike.

Po kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1987, a ishin ende këto vështirësi? Cilat ishin arsyet e vonesave nga Tirana zyrtare?
Kam pasur fatin të isha ambasadori i parë i Shqipërisë në Republikën Federale Gjermane, me kryeqytet Bonin asokohe. Edhe në atë periudhë ka qenë një axhendë jashtëzakonisht e vështirë për konkretizimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme të interesit reciprok. Tirana vononte përgjigjet zyrtare për sa u përket përpjekjeve për të realizuar marrëveshjet ose draftmarrëveshjet që ishin përgatitur nga të dyja palët. Kjo shkaktohej sepse sërish çdo marrëveshje kalonte në një filtër ideologjik, analizohej, hezitohej, vonohej…, ndërkohë ngjarjet europiane ecnin… Kjo vonesë vinte nga “Qendra”, sikurse e përdoronim përditë në zhargonin tonë të komunikimit, pasi ajo ende nuk çlirohej nga komplekset izolacioniste, i dukej sikur do të cedonte sovranitet në çdo marrëveshje, që duhej të nënshkruante me palën gjermane. Kjo vështirësonte edhe më tej “axhendën problematike”, e cila i raportohej Ministrisë së Punëve të Jashtme, pothuaj çdo ditë. Po përmend disa prej tyre: çështja e Landit të Berlinit, pasi udhëheqja shqiptare vazhdonte të hezitonte njohjen e tij si territor administrativ i Republikës Federale të Gjermanisë; kërkesa e Kryeministrit bavarez, Strauss, për Ramiz Alinë për lirimin e klerikëve shqiptarë që ende dergjeshin në vite në burgjet e regjimit; “harresa” për ta ftuar Kryeministrin bavarez në ceremoninë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në Tiranë; refuzimi i palës sonë për “fond perdue” apo atë që Gjermania mund ta lëvronte nëpërmjet organizatave ndërkombëtare në drejtim të vendit tonë, por që u refuzua pa asnjë koment; ashpërsia dhe reagimet nervoze aspak diplomatike të delegacioneve tonë negociator; graviteti në drejtim të Moskës, si në ngjashmërinë e draftmarrëveshjeve shqiptare të përgatitura, me ato sovjetike të paraqitura gjermanëve; “sovraniteti absolut” dhe ideologjizimi i tejskajshëm në raportet bilaterale dhe ato ndërkombëtare të Shqipërisë së asaj kohe; lapsuset diplomatike të delegacionit tonë në bisedime dhe refuzimi enigmatik, i ofertës nga pala gjermane për kërkesën e Gensherit në ngritjen e nivelit të bisedimeve dhe zgjidhjen më të shpejtë të temave pengesë në normalizimin e marrëdhënieve; deri te moskuptimi, në rastin më të mirë, apo mosdashja, në rastin më të keq, për të kuptuar Ostpolitikën gjermane, si frymë e re politike që çoi në përmbysjen e pashmangshme të skemave të vjetra europiane. Të tëra këto inkonsekuenca qëndrimesh të palës sonë të manifestuara në harkun e gjatë kohor të bisedimeve midis Tiranës dhe Bonit, ishin prezente gjithashtu edhe në periudhën e post-vendosjes së këtyre marrëdhënieve.

Ramiz Alia
Ramiz Alia

Ju thatë në fillim të intervistës se fajtor ishte SISTEMI. Por kur thoni SISTEMI, më vjen në mendje se, ai që e udhëhiqte sistemin kur nisën tentativat për marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë, ishte Enver Hoxha dhe pas vdekjes së tij, Ramiz Alia. Çfarë qëndrimi kanë pasur këta dy ish-udhëheqës në këtë proces?

E vërteta është Enver Hoxha pranoi që të vendoseshin marrëdhëniet me RFGJ-në.

Meqë pranoi, a nuk kishte Enver Hoxha tagrin për të detyruar negociatorët në vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve?
Enver Hoxha kërkoi në radhë të parë që të shfrytëzoheshin marrëdhëniet me Republikën Federale Gjermane për marrjen e reparacioneve të luftës, që ishin mbi 2 miliardë dollarë të vlerësuara, të vitit 1938, plus përqindjet që e çonin këtë shifër në rreth 4 miliardë e më shumë dollarë.

Kush i ka bërë këto vlerësime dhe a ka vend për subjektivizma në këto shifra të mëdha për kohën?

Enver Hoxha
Enver Hoxha

Vlerësimet ishin të ekzagjeruara. Duhet thënë se përgatitja e dokumentacionit lidhur me dëmet e luftës ishte e vlerësuar jo saktësisht, por nuk ishte ky vetëm problemi, se fundja shifrat mund të negocioheshin. Problemi real ishte se vlerësimi u bë në një kohë të vonuar, sepse Marrëveshja e Londrës dhe ajo e Podsdamit e marrëveshjet e tjera ndërkombëtare kishin parametrat e tyre kohorë dhe legalë për të pranuar dëmet, si dhe sa duheshin pranuar në kalkulimet për frymë të popullatës dhe intensitetin e angazhimit etj. Kur u kujtuam ne për reparacionet, kishin rrjedhur shumë ujëra, koha kishte kaluar dhe mua më duket se kjo ishte një pjesë e shansit të humbur, sepse në çdo moment, në çdo takim, në çdo përpjekje që është bërë me palën gjermane, pala shqiptare ka qenë gjithmonë jo një hap, por disa hapa kohore e vonuar. Pala shqiptare kërkonte reparacionet e luftës, pala gjermane ofronte vetëm kredi. Dhe ky raport bivalent kondicionimesh, vazhdoi gjatë e më gjatë, derisa nuk kishte më hapësirë për ndonjë kompromis midis palëve. Kështu ndodhi me “Formulën e Brionit”, kur pala jonë pas disa refuzimesh disavjeçare u kujtua se mund të përdorej si një parametër negociues kompromisi. Por edhe për këtë variant, ishte vonë…

Nuk pati asnjë moment kur dy palët ishin pranë marrëveshjes?
Pati një moment kur Enver Hoxha në bisedë të veçantë me Ramiz Alinë, para takimit të Bonit, tha që “ata le t’i cilësojnë kredi, neve do t’i cilësojmë reparacione. Por kjo le të mbetet në arkivat e të dy palëve dhe të mos deklarohet”. Por kjo nuk u realizua, sigurisht…

E tha Enver Hoxha dhe nuk u arrit? Si ka mundësi?
Kjo ide asnjëherë nuk iu transmetua gjermanëve, si e tillë, gjatë tërë periudhës së negociatave me to. Nuk iu transmetua në takimin e parë të Bonit, në prill të 1984. Ndaj mbetet një enigmë.

Në çfarë periudhe e ka bërë këtë propozim Enver Hoxha?
Një vit para se të vdiste. Më 4 maj 1984, u mbajt një mbledhje e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, ku do të analizoheshin negociatat për takimin e parë zyrtar Tiranë- Bon. Ky takim ishte tepër i veçantë, pasi ai u drejtua nga vetë Enver Hoxha, pas një mungese shumë të gjatë në udhëheqjen e këtij formati të rëndësishëm vendimmarrës të KQ të PPSH, për shkak të shëndetit të tij të dobët. Ishte i ftuar edhe Kryeministri Adil Çarçani. Të bien në sy fakti që në këtë mbledhje të rëndësishme nuk ishte i pranishëm Reis Malile, ministër i Punëve të Jashtme. Duke lexuar me kujdes procesverbalin e kësaj mbledhjeje, menjëherë konstaton se rëndësia e saj nuk qëndronte thjesht në analizën e ecurisë së bisedimeve apo thjesht për të pranuar zyrtarisht faktin që gjermanët ofruan në takimin e Bonit paradigmën “jo reparacione – vendosje të marrëdhënieve diplomatike”. Kjo diferenconte konkluzionin e mëparshëm të Enver Hoxhës, që ata (gjermanët) të thonë kredi, ne do të themi reparacione”. Ishte një parametër i ri, i tërheqjes praktikisht nga postulat i udhëheqësit kryesor. Në këtë mbledhje Enver Hoxha nuk bëri asnjë koment për të. Dhe kjo është një tjetër enigmë…

Po ku qëndronte rëndësia e kësaj mbledhjeje?
Në këtë takim të Sekretariatit të KQ, Ramiz Alia synonte që të merrte një konfirmim zyrtar, jo vetëm për këtë formulë të re dhe të ndryshuar ndaj palës gjermane, por edhe për konsekuencat politike “të pritshme” në rrafshin e marrëdhënieve me jashtë që do të vijonin pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve me Bonin, veçanërisht me disa “oferta” të ardhura nga Uashingtoni dhe Londra për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe me to. Do të ndërmerrej një hap i dytë pas Bonit? Si do të përballonin “sindromën e hapjes me botën e jashtme”, pas një epoke të mbylljes politike me botën perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Këto shqetësime të pashprehura drejtpërsëdrejti lexohen qartë në informacionin dhe komentet e bëra nga vetë Ramiz Alia në këtë takim lidhur me negociatat e Bonit.

Në fakt, çfarë po synonte realisht Ramiz Alia në këtë mbledhje të Sekretariatit? 
Dukej qartë që Alia tentonte t’i maste pulsin formalisht Hoxhës në këtë mbledhje të Sekretariatit. Kjo të çon në mendimin që Alia kishte bindjen e brendshme të një largimi të shpejtë të Hoxhës nga skena politike, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ndaj nxitonte t’i “rrëmbente një legalizim politik” për këto tema tabu të politikës së jashtme të deriatëhershme të vendit tonë. Sipas informacionit të dhënë në mbledhjen e Sekretariatit nga Ramiz Alia, pala gjermane i kishte propozuar në Bon palës sonë që të hartohej një komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe njëkohësisht të nënshkruhej një protokoll ku të thuhej “menjëherë pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve, pala shqiptare vazhdon të ngrejë çështjen e reparacioneve të luftës, ndërsa pala gjermane zotohet të diskutojë mbi këtë çështje, duke shfaqur pikëpamjet e veta”. Alia konkludoi që ky ishte njëfarë lëshimi nga ana e gjermanëve për të vazhduar bisedimet.

Po Enver Hoxha, çfarë qëndrimi ka mbajtur në atë mbledhje partiake të lartë?
Lidhur me propozimin gjerman për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke ruajtur secila palë qëndrimet e veta për çështjen e reparacioneve, duke nënshkruar një protokoll të veçantë, nuk pati asnjë koment nga Enver Hoxha dhe pjesëmarrësit e tjerë. Duket që kjo formulë ka qenë diskutuar dhe pranuar në një takim të mëparshëm dhe të veçantë midis Hoxhës dhe Alisë. U la që të vijonin bisedimet për të arritur në një përfundim, por pala shqiptare duhet të vijonte të sqaronte disa ide të hedhura nga pala gjermane lidhur me përfitimin ekonomik të Shqipërisë. Një vit para vdekjes së tij, Enver Hoxha pranoi të legalizojë përfundimisht “kredencialet” e bisedimeve zyrtare me gjermanët dhe takimin e Bonit. Sofokli Lazri, ndihmësi më afërt i Ramis Alisë, rikonfirmohet formalisht si shef i këtij misioni në takimet e ardhshme me palën gjermane.

A mund të aludojmë se me rikonfirmimin e Lazrit kishte shmangie të ministrit të Jashtëm në negociatat me Gjermaninë, kur në fakt duhet të ishte kryenegociatori?
Mesazhi ishte i qartë në atë mbledhje. Ministri i Jashtëm, Reiz Malile, përjashtohej përfundimisht nga aksesi zyrtar për “çështjen gjermane”. Po kështu, edhe strukturat e diplomacisë shqiptare. Çdo gjë mbetej në duart e udhëheqjes së ngushtë në KQ të PPSH dhe të “ndihmësit më të afërt” të Ramiz Alisë.

 vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura