“Carmina Burana”, balerinët kanë filluar të djersijnë në skenë

Oct 12, 2015 | 13:38
SHPËRNDAJE

O fat!/ Ti ndryshon si hëna/ Herë zmadhohesh e herë mpakesh… “O fortuna!”. Me këtë thirrje për dashuri e fat nis “Carmina Burana”, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Dhe dashuri e fat kjo shfaqje pati me shumicë. Gjatë katër netëve (me shpresën që të jetë pjesë e përhershme e repertorit) u shfaq në skenën operistike një nga veprat më të bukura të repertorit klasik botëror, me një muzikë magjepsëse nga Carl Orf, e përkthyer në gjuhën e baletit prej koreografit hungarez Youri Vamos.

carmina prapeNjë shfaqje njëorëshe që të mbante lidhur, për të shijuar çdo detaj të saj: që nga muzika, interpretuar nga orkestra e TKOB-së nën drejtimin e Desar Sulejmanit, interpretimi i korit nën drejtimin e Dritan Lumshit dhe pa dyshim trupa e baletit me koreografinë e Vamos. “Carmina Burana” është një përmbledhje tekstesh mesjetare të shekullit XI-XII, në gjuhën latine, zbuluar në kuvendin e Benediktbeuern. Në vitin 1937, kompozitori gjerman Carl Orf zgjodhi disa prej teksteve poetike dhe krijoi me to operën me titull “Carmina Burana”. Vepra nuk ka një subjekt.

Ajo ka në qendër njeriun, burrin dhe gruan, kërkimin e vazhdueshëm të njëri-tjetrit, përplasjet, moskuptimet… Shpesh ndodh që ata ta gjejnë gjysmën tjetër, por ndodh që kjo të mos jetë edhe aq e thjeshtë. Jo, deri në momentin kur femra trajtohet si pre dhe një tufë “gjahtarësh” me ushta në duar e rrethojnë për ta bërë të tyren. Por ajo është e zgjuar, ajo s’mund të jetë pre. Asaj nuk i pëlqejnë arrogantët, hipokritët apo egoistët.

carmina, djemte

Do të duhej një djalë që ta bënte për vete me bukurinë dhe dobësitë e veta. E pas asaj “aventure”, në fund ajo që triumfon është dashuria. Të gjithë këtë skenar të jetës njerëzore Yuri Vamos e sjell në një mënyrë shumë të natyrshme përmes koreografisë së tij. Është e gjallë, dinamike, nuk krijon barqe. Çdo lëvizje të josh të presësh skenën e radhës. Në këtë vepër është angazhuar e gjithë trupa e baletit, e cila shfaqet në formën e saj më të mirë. Është për t’u përgëzuar puna e koreografit, drejtuesit artistik dhe e çdo balerini që u ngjit në skenë dhe u angazhua maksimalisht për të dhënë një performancë shumë të mirë.

Përveç solistëve Adela Muçollari, Ledia Sulaj, Kristi Dalipi, Ervis Nallbani, Kristi Dushmani, Erald Zela, Eltjon Merja, Besi Skura, Dion Gjinika, Jonida Onuzi e Rovena Shqevi, që mishërojnë më së miri rolet e tyre, çdonjëri prej balerinëve ishte i mirëvendosur në skenë. Vamos është kujdesur që të mos lërë askënd në hije. Dhe kjo është e qartë dhe në interpretimin e çdonjërit prej balerinëve. “Carmina Burana” të ndryshon për mirë perceptimin për trupën tonë të baletit. Më në fund trupa e baletit ka filluar të djersijë seriozisht në skenë. Por ky nuk është një rast i veçuar.

ledia sulaj

Gjatë sezonit të shkuar trupa e baletit ka ofruar disa performanca mjaft të mira. Kujtojmë pjesët me koreografi të Angjelin Preljocaj apo Daniel Cardoso. Por nëse gjatë historisë së saj “Carmina Burana” mund të ketë njohur sa e sa koreografi, ajo që mbetet është muzika e teksti, interpretuar nga kori dhe tre solistët, sopranoja Eriona Gjyzeli, baritoni italian Carlo Cheçhi dhe kontratenori Safet Berisha. Falë interpretimit të tyre, mund ta shijosh “Carmina Burana”-n edhe me sy mbyllur.

Sa i takon skenografisë, “Carmina Burana” nuk ka nevojë për të tillë. Koreografi Vamos, që ka konceptuar edhe skenografinë, ka preferuar që protagonistë të shfaqjes të jenë të gjithë, instrumentistë, koristë e balerinë, duke i ngjitur të gjithë në skenë. Skenografia janë vetë trupat e artistëve.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura