Çarja e koalicionit PS-LSI, si e komentojnë analistët e Tiranës

Jul 18, 2016 | 10:29
SHPËRNDAJE

Ajo që përflitej prej kohësh në korridoret e politikës u konfirmua sot. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë më një koalicion të qëndrueshëm, por një koalicion i cili i ka orët e numëruara. Gjithçka u bë e ditur nga vetë kreu i LSI-së, i cili tha në një konferencë për shtyp se pas miratimit të Reformës në Drejtësi, në 21 korrik, vendin duhet ta drejtojë një Qeveri teknike e cila të përgatisë zgjedhjet e ardhshme.

meta-rama2

Por çfarë do të thotë kjo për Qeverinë, për Ramën, për Metën, për opozitën e Bashës? Agron Gjekmarkaj, Sokol Balla, Blendi Fevziu dhe Mero Baze e komentojnë në mënyra të ndryshme.

Agron Gjekmarkaj: “Deklaratën e Metes sot e quajta “veprim patriotik prej burri shteti”. Dhe Ramës i thashë bëhu rrobaqepës siç ke premtuar. Meta bëri një nga deklarat më të guximshme dhe më të veshtirat në karrieren e tij politike duke gjykuar nga kontesti politik dhe diplomatik. Nga vetja do të shtoja edhe një nga më të dobishmet për vëndin.

Personalisht nuk e kam votuar kurrë Metën dhe partinë e tij e as kam ndermend ta bëj. Gjykimi kesaj here i tejkalon antipatitë politike personale. Në këtë pikë ku kanë zbritur kredencialet e të ardhmes së vëndit mendoj që Kryetari i Kuvendit po sillet si burrë shteti me një qasje patriotike.E di shumë kush do shqyej sytë dhe kendellet në habi ngasa po them. Permbajtja e fjales së tij shpreh një koherencë që Meta e ka shfaqur që nga fillimi deri në fund të procesit të reformës në drejtësi e cila përmblidhet te fjalët konsensus me Opozitën sipas Venecias. Jo njëanshmëri, jo trafik votash. Tani Ramës i mbetet të mbaj premtimin solemn dhe të bëhet rrobaqepës…

Blendi Fevziu në Opinion.al: Meta ka përdorur formulën “edhe, edhe” në fjalën e tij. Ai është shprehur, se: edhe nëse kalon reforma, edhe nëse ajo dështon, vendi duhet të ndërtojë një qeveri të re. Një Qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet. Burime zyrtare brenda LSI i kanë thënë opinion.al se Meta parashikon tërheqjen e të gjithë ministrave dhe figurave politike nga qeveria, rrëzimin e saj dhe ndërtimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme brenda një kohe shumë të shkurtër. LSI beson se vendi nuk ka kohë për reformën elektorale dhe votimin elektronik dhe si garanci e vetme për opozitën që zgjedhjet do të jenë pa influencë politike, është një qeveri pa përfshirjen e PS, PD dhe LSI. Pra një qeveri tranzitore me mandat përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve. Kjo formulë është e ndryshme nga ajo që flitej në forumet informale politike të Tiranës, ku shihej një bashkim i votave të LSI dhe PD për të rrëzuar Ramën. Ky version ishte i vështirë sepse PD nuk mund të mbështesë një aksion të tillë që mund të viktimizonte Ramën dhe ti jepte përgjegjësinë e qeverisjes një vjeçare PD, pa pasur mundësi të zbatonte programin e saj. Ky do ishte një gabim fatal i PD. Por bashkimi i votave për një qeveri teknike, është ekzakt ajo që vetë Basha ka kërkuar në 6 muajt e fundit.

Sokol Balla në Javanews: …qeverinë do ta rrëzoi AI (Ilir Meta), jo Edi Rama. Dhe këtë pikë Ilir Meta po e përdor Kushtetutën më mirë sesa Rama. Tërheqja e ministrave dhe deklarimi për qeveri teknike, praktikisht rrëzon qeverinë por pa një mocion besimi. Kjo do të detyronte Edi Ramën, i cili nuk i ka votat për të zëvendësuar ministrat në ikje, që të ulej shpejt me Metën në tavolinë dhe jo (larg qoftë) të ulej me Bashën, një lëvizje që ka edhe bekimin e ndërkombëtarëve. Makthi i Metës për një takim të mbyllur Basha Rama, duket kështu më i madh sesa ai i Berishës për të njëjtën arsye: të dy liderët duket se në takimin e tyre të parë, kanë dhënë shenja kimie që mund të sjellë zhvillime politike jashtë busullës së Ilir Metës dhe Sali Berishës. Dhe duket se kjo po i pëlqen europianëve, por edhe amerikanëve, të cilët Meta gjithashtu i kërcënoi, kur paralajmëroi fundin e karrierës diplomatike të dikujt. Me gjasë të Donald Lu se bashkëpartnerja e tij flokëkuqe, ikën vetë nga Shqipëria në Shtator. Ashtu si çdo korrik e verë, Ilir Meta shpërthen. Eshtë kjo pjesë reale e manualit të leximit të tij.

Mero Baze në Tema: Pas dështimit të prishëm të 21 Korikut, Edi Rama duhet të kalojë në mocion besimi qeverinë e tij dhe të shkojë në zgjedhje të reja. Qeveritë teknike nuk janë për të bërë reforma në drejtësi, pasi reformat i bën parlamenti dhe siç ka thënë Petrit Vasili, nuk janë çështje ekspertësh. Kur ke bezdi nga një republikë ekspertësh, nuk mund të kesh adhurim për një qeveri ekspertësh. Reforma është një betejë që e vendos parlamenti dhe nëse ky parlament dështon, duhet të shpërndahet për ta bërë parlamenti i ri. Përpjekja për një reformë në drejtësi përfundoi në një reformim të aleancave politike në raport me drejtësinë. Kjo nuk është pak.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura