Çani shtyn debutimin për 2018-ën, “paguan” braziliani Lukas

Feb 13, 2018 | 17:06
SHPËRNDAJE

Sezoni i Partizanit ka mbërritur në pikën vendimtare, pasi përballjet e radhës, një në Kupë dhe dy në kampionat, vendosin shumë për të ardhmen dhe fatin e këtij edicioni. Kupa e Shqipërisë konsiderohet si një shans “i artë” që kryeqytetasit të mos dështojnë këtë vit. Por, që t’i shkojnë Kupës deri në fund, nesër të kuqtë duhet të kalojnë barrierën “Flamurtari”.

partizani

Të besuarit e trajnerit Starova janë mundur 1-0 para dy javësh në ndeshjen e parë çerekfinale të luajtur në Vlorë, kështu që “demat” synojnë që ta arrijnë kualifikimin në shtëpi, ku nesër, në orën 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, luajnë sfidën e kthimit me Flamurtarin.

Për të arritur këtë sukses, stafi teknik po punon me kërkesë të lartë llogarie dhe në fushë pritet të luajnë lojtarët me kondicionin më të mirë. Për të përmbysur disavantazhin 1-0 të ndeshjes së Vlorës, kërkohet një Partizan agresiv në fazën sulmuese, disiplinuar në çdo repart dhe vigjilent në mbrojtje.

Partizani

Në këto linja po punohet në kampin e kuq, kështu që formacioni i nesërm pritet të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshja e fundit me Laçin. Nga ajo që u pa në seancën e djeshme, Lukas Kardozo do të jetë ai që mund ta “paguajë” ndaj Flamurtarit, pasi nuk shikohet si titullar.

partizani

Braziliani bëri paraqitje pozitive ndaj Kamzës, por, ndaj Laçit, Lukas pati probleme,  pasi në fund të ndeshjes u tha se lojtari po kalonte një gjendje gripale. Ishte menduar që Renaldo Kalari mund të ishte gati për këtë takim, por mbrojtësi ende nuk ia ka dalë që të riaftësohet.

Ai është përgatitur dje i diferencuar, kështu që Lorenc Trashi mbetet sërish mbrojtës i majtë. Me Lukasin në stol, gjasat janë që Bardhi të dalë në krahë dhe Progni në pozicionohet në majë të sulmit. Stafi pret shumë nga kjo dyshe, pasi ata janë të pezulluar për ndeshjen e radhës në kampionat me Kukësin, ndaj ata duhet t’i shkarkojnë të gjitha bateritë ndaj Flamurtarit. Nëse Lukas nuk e nis si titullar, në dallim nga Laçi, risia në formacion pritet të jetë mesfushori Esat Mala.

Lukas

EDGAR ÇANI- Në përfundim të ndeshjes me Laçin, trajneri Klevis Dalipi pohoi se për sulmin Partizani po pret Edgar Çanin. Por, e sigurt është që 28- vjeçari nuk do të jetë gati për ndeshjen e Kupës me Flamurtarin. 28-vjeçari po ndjek një program riaftësimi me ngarkesë, por pjesë e këtij programi ishte që ai dje duhet të ishte pushim.

cani

Me Prognin dhe Bardhin të pezulluar për Kukësin, ishte menduar se ndaj kampionëve do të ishte radha e Çanit. Por, me shumë mundësi kjo nuk do të ndodhë dhe debutimi i sulmimit për 2018-ën do të shtyhet, pasi i bie ta nisë aty ku e la para 5 muajsh, në transfertën e Korçës që vjen pas duelit me Kukësin në kampionat.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura