Cani bllokon investimet për Kuvendin: Presim paratë e Erdogan

Aug 18, 2015 | 9:46
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka kërkuar prej Kuvendit të Shqipërisë që të pezullojë të gjitha investimet e parashikuara për vitin 2015, për shkak të premtimit të Presidentit të Turqisë, Taip Rexhep Erdogan, gjatë vizitës në Tiranë, se do të financojë godinën e Parlamentit të ri.

Erdogan dhe Rama gjatë vizitës në Tiranë
Rama dhe Erdogan gjatë vizitës në Tiranë
Në buxhetin e Kuvendit, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë parashikuar 98.8 milionë lekë investime, të cilat janë realizuar vetëm në masën 7%. Nga 14 projekte investimesh, vetëm 3 prej tyre janë realizuar plotësisht, ndërkohë që 11 të tjerat janë shtyrë në kohë për shkak se Ministria e Financave ka kërkuar që investimet e reja të shtyhen për të pritur palën turke.

Në relacionin e buxhetit të Kuvendit thuhet se: “Gjatë gjashtëmujorit të parë 2015, shpenzimet kapitale janë realizuar në një nivel shumë të ulët, prej 7%. Problemi që projektet kryesore të planifikuara për vitin 2015 nuk janë realizuar, por as nuk kanë filluar procedurat për prokurim, është i lidhur me nevojën për një vendimmarrje të re, të rivlerësuar, pas deklaratës që Presidenti turk, z. Taip Erdogan, bëri gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në lidhje me financimin për ndërtimin e Parlamentit të ri.

tabela
Pas kësaj, dhe komunikimeve që administrata e Kuvendit ka pasur me ministritë përgjegjëse për investimet dhe fondet buxhetore, ka rivlerësuar projektet e investimeve duke ndarë projektet emergjente nga ato të nevojshme, por jo emergjente”. Gjatë vizitës në Shqipëri, Presidenti turk theksoi se: “Sa i përket çështjes së ripërtëritjes së Parlamentit, moment që do të jetë pikë kthese, sepse Turqia do ta marrë përsipër kryerjen e kësaj pune. Projekti arkitektonik është tashmë gati”.

PAGAT
Sipas Kuvendit, buxheti i këtij institucioni në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janarqershor, është realizuar vetëm në masën 42 %, për shkak se disa vende pune në zyrat e deputetëve në rrethe nuk janë plotësuar. “Fondi i planifikuar përbën 59 % të shpenzimeve operative vjetore. Në gjashtëmujor, realizimi është 256 milionë lekë, ose 42.7 % e fondit vjetor të planifikuar.

Duhet theksuar se për vitin 2015 është planifikuar fond për paga për një numër prej 396 vetash, nga të cilët 117 stafi administrativ, ndërsa 217 deputetë, stafi politik dhe ai i zyrave zgjedhore në rrethe”, thuhet në relacionin e Kuvendit. Më tej theksohet fakti se pagat e deputetëve nuk janë dhënë të plota për shkak se janë aplikuar penalizimet në rastet e mungesave gjatë seancave plenare. “Vendimi 114/ 2014 i Kuvendit penalizon deputetët që nuk marrin pjesë në seanca dhe mbledhje komisionesh, për arsye të paligjëruara”, thekson relacioni i buxhetit të Kuvendit.

UDHËTIMET NË AKTIVITETE
Ndërkaq, janë realizuar 57 urdhra për pjesëmarrje në aktivitete parlamentare jashtë vendit, nga të cilat vetëm 7 kanë qenë me rimbursim nga pala pritëse në PE.

Në raport thuhet se: “Gjatë gjashtëmujorit të parë janë lëshuar rreth 57 urdhra për pjesëmarrje në aktivitete parlamentare jashtë vendit, nga të cilët 7 me rimbursim nga pala pritëse, që është kryesisht Parlamenti Europian. Procedurat e rimbursimit, në vitin 2015, janë të ndryshuara, duke u transferuar jo më në llogaritë personale të personave pjesëmarrës në aktivitete, por në llogarinë e Kuvendit”.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura