Cana: Armenia, “prova e zjarrit” para Sllovenisë

Aug 14, 2013 | 14:34
SHPËRNDAJE

Nuk ka nënvlerësim ndaj Armenisë, pavarësisht emrit dhe faktit se është thjesht një miqësore. Pohimi vjen nga kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, gjatë konferencës së djeshme për shtyp.
Qendërmbrojtësi dhe njëkohësisht lideri i skuadrës sonë ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë test, sidomos për disa lojtarë të afruar rishtazi dhe ata që kanë luajtur më pak, por më shumë sesa kaq, ai i ka mëshuar faktit se duhet krijuar një frymë pozitiviste rreth Kombëtares, në prag të dy ndeshjeve decizive për vijimësinë në kualifikimet e Botërorit 2014, në shtator ndaj Sllovenisë dhe Islandës, që të dyja në transfertë.
Si e gjykoni faktin se edhe në këtë grumbullim trajneri ka marrë lojtarë të rinj? A e dëmtojnë Kombëtaren ndryshimet e shpeshta në formacion?  
Sigurisht që është diçka pozitive. Shqipëria ka pasur gjithnjë probleme në të shkuarën për një organikë të pasur, aq sa kur pezullohej apo dëmtohej një lojtar, për trajnerin ishte dhimbje koke. Aftësia e një stafi që drejton një përfaqësuese, është që të mbledhë sa më shumë lojtarë cilësorë që duan të kontribuojnë në të mirë të kombit. Që nga ardhja e De Biazit, këtë gjë e ka arritur më së miri dhe po vazhdon në këtë drejtim e, sipas meje, kjo është një gjë pozitive.
Pra, jeni pro afrimeve edhe më pas?
Normal. Mendoj se kërkohet edhe një lloj mirëkuptimi kur provohen lojtarë të rinj, pasi edhe ata duhet të thirren në skuadër dhe të shkrihen me të tjerët, me qëllim që në të ardhmen e afërt të bëhen pjesë integrale e organikës së Kombëtares.  
Si e shikoni ndeshjen me Armeninë?
Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, pavarësisht nëse është kualifikuese apo miqësore, ndaj ju siguroj se nga trajneri e deri te ne si lojtarë e kemi marrë shumë seriozisht. Absolutisht nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi mbetet një ndeshje ndërkombëtare dhe do luajmë gjithnjë për të fituar, pasi vetëm duke marrë rezultatet pozitive, krijojmë një frymë të mirë në skuadër dhe arrijmë t’i përgatisim edhe më mirë ndeshjet kualifikuese që kemi në muajin shtator.
Luhet në mes të gushtit, kur lojtarët nuk janë totalisht në formë dhe një pjesë e njerëzve janë me pushime. A i frikësohet kapiteni një interesimi të paktë të tifozëve?
Tani vapa bën të vetën në këtë stinë e nuk ke se ç’të bësh. Dhe, nëse është problem për ne, është edhe për kundërshtarin, ndaj jemi në pozita të njëjta. Së dyti, ndeshjet në muajin gusht janë disi specifike, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve ose sapo e kanë nisur aktivitetin e tyre me skuadrat ku luajnë, ose po zhvillojnë ende një fazë përgatitore, ndaj jo të gjithë janë në kondicionin e duhur.
Përtej takimit me Armeninë, trajneri De Biazi është i shqetësuar edhe për kartonët e shumtë që kanë marrë lojtarët e Kombëtares, të cilët mund të pezullohen për ndeshjen me Islandën nëse ndëshkohen ndaj Sllovenisë. Si e shikoni këtë gjë?
Sa u përket kartonëve, sipas meje ky është një rregull i vendosur nga UEFA, të cilin e konsideroj si shumë të tepruar. Kjo, pasi në një fazë kualifikimesh, ku luan minimalisht tetë deri në 12 ndeshje, të pezullohesh menjëherë pas kartonit të dytë të verdhë, për mua është e pakuptimtë. Kjo ndikon më shumë në skuadra si kjo e jona, ku nuk e kemi luksin që të kemi shumë lojtarë që mund të zëvendësojnë ata që pezullohen.
Deri para pak muajsh ishin të shumtë lojtarët me dyshtetësi që na refuzonin të luanin për ne, tani janë të shumtë ata që po vijnë. A mos ndoshta ka ndikuar edhe ecuria e skuadrës?
Sa u përket zgjedhjeve që bën një lojtar në aspektin e ekipit përfaqësues, të luajë për kombëtaren e kombit të tij apo për atë kombëtare ku ai ka edhe një pasaportë, unë e kam thënë me kohë mendimin tim dhe nuk ia vlen ta përmend më. Por, patjetër që edhe Kombëtarja ka bërë hapa përpara dhe kjo i ndihmon lojtarët e rritur jashtë që ta shikojnë këtë skuadër me më shumë interes edhe për karrierat e tyre.
De Biazi foli dje (pardje) me superlativa për Adnan Januzajn, cili është mendimi i kapitenit për këtë lojtar?
Fakti që ai luan në një nga tri klubet më të mëdha në botë dhe në një moshë shumë të re të mund të luajë me ekipin e parë, për mendimin tim është një arritje e madhe që shumë pak futbollistë ia kanë dalë, por asnjë shqiptar më parë. Unë personalisht uroj që më së pari të ketë shëndet, pasi për talentin nuk kemi se çfarë të shtojmë më shumë.
Mendoni se do të luajë për Shqipërinë?
Nuk e di ta them. Por ai luan te Mançesteri dhe aty i ka të gjitha shanset për të pasur një karrierë brilante, ndaj në këtë kontekst Kombëtarja do t’i nevojitej vetëm për të ndier një kënaqësi shpirtërore. Dhe unë i them se atë ndjesi, atë krenari të paparë, nuk mund ta ndiejë me asnjë kombëtare tjetër, veçse asaj të vendit të tij. Ne e presim me shumë dëshirë, nëse do pranojë të luajë me ne.

Basha: Jam në superformë, uroj të ketë shumë tifozë
Migjen Basha është ndër lojtarët më në formë në Kombëtare. Edhe pse ndryshoi statusin civil (u martua para disa javësh), lojtari nuk u  është ndarë për asnjë çast përgatitjeve, duke pohuar se këtë do e  tregojë më së miri edhe ndaj Armenisë. “Pas dasmës, duket se gjërat më kanë shkuar shumë mirë. Po përgatitem seriozisht për sezonin e ri dhe, ajo çka më lehtëson më shumë, është se e ndiej veten në formë të mirë. Sigurisht kjo vjen edhe nga fakti se nuk kam vuajtur nga dëmtime gjatë periudhës së mëparshme. Shpresoj që kjo formë të vazhdojë dhe të jem në 100-përqindëshin tim. Sa i përket modulit të lojës te Torino, vitin e kaluar luanim me një modul tjetër, 4-2-4, ndërsa sivjet trajneri ka ndryshuar skemën dhe e ka kthyer në 3-5-2. Kjo ka ndikuar për mirë,  pasi më jep mundësi mua si mesfushor që të luaj më përpara dhe të jemi edhe si skuadër më ofensive”, – ka pohuar fillimisht lojtari. Më pas, Basha e ka risjellë ndryshimin e skemës edhe te kombëtarja, por gjithsesi duke ia lënë në dorë De Biazit. “Varet nga zgjedhjet e trajnerit dhe nga lojtarët që përbëjnë skuadrën. Ne nuk e kemi provuar asnjëherë këtë skemë në Kombëtare dhe nuk di të them nëse funksionon njëlloj apo jo. Sa i përket ndeshjes me Armeninë, besoj se rezultati nuk ka rëndësi, por duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të mendojmë edhe për takimet kualifikuese që kemi në muajin shtator. E rëndësishme është të mos kemi probleme, pjesa tjetër është e kalueshme”, – ka thënë Basha. Në fund, mesfushori i Torinos nuk ka lënë pa përmendur edhe infrastrukturën e “Qemal Stafës”. “Me një stadium më të mirë, do kishte më shumë përfitime. Më së pari do kishte edhe më shumë interes dhe tifozë që të vinin në stadium edhe në ndeshje të tilla miqësore. Së dyti, nuk do mbeteshin jashtë shumë tifozë nëse do kishim një stadium më të madh, si në rastin me Norvegjinë. Mendoj se ky është një handikap që duhet zgjidhur”, – përfundon Basha.

UEFA: Stadium i tmerrshëm, ky më i miri?!
Dje, rreth orës 19:00, janë paraqitur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” vëzhguesit e caktuar nga UEFA. Gjatë ushtrimit të kontrollit në ambientet e brendshme është vënë re pakënaqësia në fytyrat e tyre, por duket se edhe këtë herë, njësoj si herët e tjera, vendi ynë do të falet, pasi pavarësisht kushteve që mungojnë, stadiumi “Qemal Stafa” është i vetmi që mund të presë Kombëtaren. Gjatë bashkëbisedimit që po zhvillonin në gjuhën angleze, dy vëzhguesit u dëgjuan të thoshin: “Nuk e kuptojmë se si ky stadium mund të quhet më i miri në Shqipëri, pasi ky është mizerabël”. Në fakt, impianti i “Qemal Stafës” gjithçka mund të quhet, por vetëm stadium jo. Llumi në shkallë, amortizimi i tejskajshëm, si dhe ambientet brenda jashtë çdo norme, e bëjnë këtë stadium realisht më të keqin dhe të shëmtuarin në Europë. E megjithatë, aty do luajë sot Kombëtarja dhe më pas edhe ekipet tonë në Europë.

Berisha te Lacio, Kalmari përfiton 300 mijë euro
Etrit Berisha do shkojë te Lacio. Lajmi është publikuar nga mediat italiane (lazialita.com), në të cilat thuhet se bardhekaltrit do t’i paguajnë 300 mijë euro Kalmarit (skuadra aktuale e portierit të Kombëtares shqiptare). Më në fund është zgjidhur edhe rebusi me portierin, merkato e të cilit ishte futur në një spirale të rrezikshme për shkak të firmosjes së një parakontrate në muajin qershor me Kievon. Por kjo e fundit është konsideruar si e parregullt dhe pritet që Lacio tani të bëjë edhe zyrtazirimin e lojtarit. Berisha ndërkohë është në pritje të pasaportës suedeze, nga e cila do përfitojë edhe statusin e lojtarit komunitar. Kjo gjë do ndihmojë lacialët, të cilët donin me patjetër që të zgjidhnin edhe këtë problem. Afrimi i Berishës e çon në katër numrin e lojtarëve shqiptarë te kjo skuadër: Lorik Cana, Tomas Strakosha dhe Amir Bilali.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura