Camaj, gjuhëtari e letrari që lartësoi gegërishten

Aug 7, 2015 | 13:06
SHPËRNDAJE

Martin Camaj, ky intelektual erudit, shkrimtar, gjuhëtar, albanolog, me dëshira të gjithanshme për të kontribuar në zhvillimin e kulturës shqiptare, radhitet në plejadën më të zgjedhur kryesisht të shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve tanë. Lindi më 21 korrik 1925, 90 vjet më parë, në Temal të Shllakut, një zonë e egër malore, siç shkruan autori, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”.

Martin Camaj me bashkëshorten Erika
Martin Camaj me bashkëshorten Erika

Kjo figurë poliedrike, i cili edhe larg atdheut prej afro gjysmëshekulli, nuk e harroi vendlindjen, Temalin dhe Shkodrën, gjeti vend ta kujtojë atë natyrë përrallore dhe magjepse të saj, por mbi të gjitha, duke përdorur një gegërishte letrare të pasur, tërheqëse dhe të zhdërvjelltë. Ndonëse emri i tij i lënë në harresë për kaq e kaq kohë, mbeti si legjendë gjatë regjimit monist, duke e kujtuar në mendjen e tyre vetëm shokët e fëmijërisë, por jo atdheu i tij.

Në fshatin e lindjes nuk qëndroi gjatë, pasi prindërit, duke parë zgjuarsinë e të birit, nuk deshën ta bënin çoban lopësh si shokët e tij, por e dërguan në Kolegjin Saverjan në Shkodër, një shkollë ku kishin ndjekur mësimet shumë personalitete të kulturës shqiptare, si L. Gurakuqi, M. Logoreci, Gj. Sinishta etj. që drejtohej në atë kohë nga historiani, at Zef Valentini. Ai, i pakënaqur nga regjimi i kohës, i edukuar në një rreth mësuesish dhe intelektualësh të dëgjuar të kohës, në prag të 23-vjetorit të lindjes, më 1948, pasi kishte hapur shkollën e parë në Prekal, për më shumë se një muaj do të endej në malet e thepisura të asaj zone, në malin e Cukalit për të gjetur një shteg kalimi që të ikte në mënyrë ilegale në Jugosllavi.

Arratisja e tij bëri që regjimi i kohës autorin, veprën e tij letrare dhe gjuhësore ta fshijë nga çdo botim akademik, qoftë edhe divulgativ. Në Jugosllavinë e atëhershme fillimisht shërbeu për një kohë edhe si mësues në Tuz të Malit të Zi. Një nxënës i tij, tashti i plakur, e kujton me shumë respekt Martin Camajn, mësuesin e shkollës 7- vjeçare të Tuzit. Për nxënësit e tij, Martin Camaj ka qenë një mësues ideal, tejet i kulturuar, që lëndën të cilën e jepte e bënte shumë të këndshme dhe tërheqëse, gjë që ne nxënësit rrinim si të ngrirë kur shpjegonte mësuesi i arratisur nga Shqipëria.

E donte shumë poezinë dhe e admironte poetin e “Juveniljes”. Shumë shpesh u recitonte nxënësve poezi nga krijimtaria e Mjedës, pasi kishte afeksion ndaj tij. Martin Camaj ishte shumë simpatik, me shtat të lartë dhe të bukur si lëndët e bjeshkës, kështu e përshkruan N. Ndoja. I pëlqente të vishej shik dhe me gusto. Gjithnjë e shihje me një kostum blu dhe kravatë që e kombinonte me kostumin. Ishte, siç e quan nxënësi i tij, “bukuran”. “Ishte shumë i përpiktë, prandaj ne mësuam shumë prej Camajt”, thekson ishnxënësi i tij i shkollës së Tuzit.

Edhe sot në shkollën 9-vjeçare të Tuzit ruhen regjistrat e vitit 1948-1949 dhe 1949-1950 kur ka dhënë mësim Camaj. Sipas regjistrit ekzistues, Camaj ka dhënë këto lëndë: Shqip, Matematikë, Fizikë, Vizatim, Muzikë, Fizkulturë, ndërsa lëndët e tjera i jepte mësuesi tjetër z. Margilaj. Më pas do të qëndronte sa në Jugosllavi, Itali apo Gjermani për më shumë se 40 vjet. I etur për kulturë, e në veçanti për letërsinë, por edhe për gjuhën, në qëndrimin prej 8 vjetësh në Jugosllavi, pasi ndjek Universitetin e Beogradit (1950-1955) ku diplomohet për Gjuhë dhe Letërsi italiane, vazhdon në Sarajevë kualifikimin pasuniversitar nën drejtimin e albanologut të njohur kroat H. Bariç.

Gjatë kësaj kohe do të botojë dy vëllime poetike të titulluara “Një fyell ndër male”(Prishtinë, 1953) dhe një vit më vonë “Kanga e vërrimit”, Prishtinë, 1954. Nuk dimë rrethanat e krijuara, por në vitin 1956 e gjejmë në Romë për të vazhduar studimet pasuniversitare, duke u specializuar në Gjuhësi. Në Romë ra në kontakt dhe u mirëprit nga shokët e idealit, por të përndjekur nga regjimit monist, si E. Koliqi, M. Kruja, K. Gurakuqi, Z. Valentini etj. Menjëherë filloi të fitojë emër, por edhe i përkrahur nga Koliqi etj. do të emërohet lektor në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në Universitetin e Romës, që drejtohej nga Ernest Koliqi.

Ardhja e M. Camajt në Itali, sqaron redaksia e revistës “Shêjzat”, “e trimëroi E. Koliqin për të botuar një revistë, pasi Martin Camaj vinte në Romë i përgatitur shkencërisht në Gjuhësi, si nxënës i Bariçit dhe i pajisun me veti të nalta letrare. Ai kishte botuar në Kosovë dy vepra letrare. Ky faktor dhe të tjerë ndikuan te Koliqi që të fillojë punën për nxjerrjen e revistës”. Kështu, për më shumë se 10 vjet, Martin Camaj do të drejtonte revistën “Shêjzat”, një e përkohshme kulturore, shoqërore dhe artistike, që botohej në Romë dhe që qarkulloi nga viti 1957-1974 me një numër përkujtimor në vitin 1978 kushtuar Ernest Koliqit, numër i cili shënon edhe mbylljen përfundimtare të revistës. Camaj qe shumë aktiv, dhe në këtë organ publikoi 54 studime, artikuj dhe recensione me shumë vlerë për kohën.

Në vitin 1965 do të vendoset në Munih të Gjermanisë, ku në universitetin e atij qyteti në gjuhën gjermane do të mbrojë temën “Fjalë- formimi i shqipes. Mënyra e formimit të emrave të vjetër”. Punoi 5 vjet nën udhëheqjen e profesorit të shquar, indogjermanistit Wilhelm Wissmann. Mbrojti me shumë sukses laurën. E ndihmoi edhe përgatitja filologjike pasi zotëronte gjuhët klasike dhe neolatine, si dhe sllavishten, gjithashtu kishte njohje edhe për botimet albanologjike të studiuesve gjermanë. Pasi mori titullin, ai do të ftohej nga Universiteti “Ludëig Maximilian” të Munihut si lektor, ku do të themelonte edhe Katedrën e Albanologjisë që do ta drejtonte për 20 vjet rresht (1971- 1990).

Punën e nisur nga Camaj do ta vazhdonte albanologu prof. Wilfrid Fiedler, pastaj prof. Rexhep Ismajli dhe prej 15 vjetësh vazhdon ta drejtojë prof. Bardhyl Demiraj. Martin Camaj vdiq në moshën 67-vjeçare, më 12 mars 1992, në fshatin malor Lenggries në Gjermani nga një sëmundje e pashërueshme, me brengen në zemër se nuk arriti të shohë edhe një herë Shqipërinë, Shkodrën dhe Temalin ku lindi, dëshira që po ia plotëson çdo herë e respektuara, bashkëshortja, dr. Erika Camaj.

Varri i tij është tepër i thjeshtë, një pllakë guri rreth një metër e lartë, e sjellë nga Temali i largët, plasat e të cilit janë mbushur me myshqe. Në të është shkruar me 11 shkronja të arta vetëm emri Martin Camaj. Ai mbushet herë pas here me buqeta me lule nga shokët dhe miqtë albanologë, por edhe nga Shqipëria ku patëm fatin me një grup studiuesish të vendosim edhe ne një tufë me lule në atë pllakë të gurtë të M. Camajt. Momente prekëse dhe mallëngjyese!

***
Camaj la një trashëgimi të pasur letrare dhe gjuhësore që rroku një periudhë mbi 40-vjeçare. Janë monografi, studime dhe artikuj që i botoi gjithandej në Europë, si në Romë, Mynih, Firence, Palermo, Kozencë, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Rende, por edhe në Amerikën e largët në New York etj., shkrime të cilat u botuan në gjermanisht, italisht, anglisht dhe serbokroatisht, pasi i mungonte shqipfolësi. Por në Shqipëri nuk kishte arritur të hyjë vepra e tij si një njeri i padëshirueshëm për regjimin monist.

Ne do të vlerësojmë kontributin e M. Camajt në rrafshin gjuhësor, ku përfshihen monografi, tekste, studime, artikuj gjuhësorë, recensione etj. Ai u mor me probleme të gjuhës shqipe të traditës dhe të sotmes. Ka prekur disa fusha të gjuhësisë, duke dhënë ndihmesën e tij si për probleme të historisë së gjuhës shqipe, të shqipes së sotme, të dialektologjisë, të etimologjisë, të historisë së alfabetit etj. Camaj radhitet ndër hartuesit e gramatikës së gjuhës shqipe, duke zënë një vend të rëndësishëm në historinë e gramatologjisë shqiptare.

Fillimisht në vitin 1960 Camaj mbrojti temën “Meshari i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre”. Është monografia e parë e Camajt me karakter gjuhësor, shkruar në italisht. Camaj transkriptoi me anë të shqipes një namë mallkimi që e ndeshim në komedinë “Epiroti” (1483) në latinisht të autorit venecian Tomazo de Mexo (1422-1488), që sot nga shumica e gjuhëtarëve shqiptarë konsiderohet si dokumenti i dytë ose i tretë i shkrimit të gjuhës shqipe.

Në krijimtarinë gjuhësore të Camajt, me vlerë është botimi në anglisht i veprës “Gramatika e gjuhës shqipe”, Wiesbaden, 1984. Ajo u ribotua, 11 vjet më vonë, më 1995, në Kozencë, përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu. Në parathënien e shkurtër të përkthyesit, Martin Camajn e konsideron një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës. “Gramatika e gjuhës shqipe” është një vepër e plotë, e hollësishme, që i kalon caqet e një manuali gjuhësor, e cila pasqyron formimin shkencor të Camajt.

Mund të themi se kjo gramatikë është një kod i pëlqyeshëm për gegërishten letrare. Për mendimin tim, vepra është me vlerë në disa aspekte: së pari, një gramatikë që e paraqet gjuhën shqipe me gjithë potencialin, funksionet dhe aftësinë shprehëse, duke e dhënë atë në tri variantet. Ideja e autorit ishte e tillë, se gramatika do t’u shërbente shqiptarëve me prejardhje nga trojet të ndryshme; së dyti, është një model për gegërishten letrare, por me prirje afruese me toskërishten.

***
Me interes janë konsideratat që ka pasur Camaj për gjuhën letrare. Në letrën që i dërgonte nga Beogradi publicistit dhe kritikut Krist Maloki, në tetor të vitit 1953, i shkruante: “Për sa i përket gjuhës dhe formës, më duket më e drejtë me shfrytëzue shkrimtarët e kaluem, pse pa traditë nuk mund të krijohen vepra të mëdha”. I adhuronte ato. Për të, pikënisja e studimeve shkencore fillon me gjuhën e tyre. Ai mbron tezën se gjuha e mirëfilltë letrare shqipe fillon me veprën e Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve”, me poezinë popullore dhe fetare të veprës së Pjetër Budit, me “Gjellën e Shën Mërisë së Virgjër” të Jul Varibobës.

Problemin autori e çon edhe më tej duke kërkuar që normalizimi i gjuhës letrare duhet ta kërkojmë që në shekullin XVI me Gjon Buzukun. Cili qe kodi në të cilin u mbështet autori ynë për të shkruar një gegërishte mjaft të zbutur dhe me prirje afruese? Në radhë të parë zbatoi me përpikëri rregullat e vendosura nga KLSH në Shkodër, si në rrafshin drejtshkrimor, edhe morfologjik, por arritjet e së cilës i çoi edhe më tej.

Kohë më parë, prof. T. Topalli na informoi se në Beograd familja Imami ruante dorëshkrimin e një vepre albanologjike, transliteruar me alfabetin e sotëm nga M. Camaj, me titull “Fjalor i gjuhës shqipe, përpilue nga Kostandin Kristoforidhi me germa greqisht”. Vepra e Camajt ka një leksik shumë të pasur, pasi ishte pasion i autorit. Ai ka bërë një punë të veçantë për të vënë në lëvizje mjaft fjalë të fondit pasiv ose krahinor të shqipes, gjë që përbën një domosdoshmëri për ta studiuar dhe vlerësuar leksikun e veprës së tij dhe pjesën më të madhe për ta përfshirë në standardin e sotëm.

Ishte shumë fanatik në përdorimin e fjalës shqipe. Ai ndiente një dhimbje të madhe kur një fjalë e gjuhës shqipe zhdukej ose zëvendësohej me një të huaj, gjoja moderne. Për raste të tilla deklaronte: “Kur vdes një fjalë në gjuhë shqipe, vdes diçka në trupin tim”. Kështu Camaj e çoi në një stad më të lartë gegërishten, duke kodifikuar disa trajta të mbarë shqipes dhe duke i rrafshuar në gjithë rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht duke mënjanuar trajtat e ngushta dialektore, si në fonetikë, strukturën gramatikore dhe në drejtshkrim dhe sipas studiuesit B. Gjoka “me veprën e tij në prozë, poezi apo studime e ngriti ligjërimin e shqipes në nivel bashkëkohor me ligjërimin letrar perëndimor”. Ai ishte mjeshtër i fjalës dhe kështu mbetet sot e gjithë ditën.

Prof. Dr. TOMOR OSMANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura