Caktohet data për testin e rritjes në pagë, çfarë ndodh me mësuesit ngelës

Mar 19, 2021 | 15:59
SHPËRNDAJE

Pas lajmit të mirë, testim pa presionin e humbjes së vendit të punës, tanimë mësuesit kanë një datë për provimin që i rrit profesionalisht e financiarisht.

testimi i mesuesve

Ministria e Arsimit ka firmosur dokumentin, të cilin ua ka adresuar drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar për të njoftuar mësuesit se provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit do të mbahet më 8 maj. Duket një periudhë e gjatë, por çdo mësues ka në dispozicion online programet orientuese për profilin specifik ku do të testohet, ndërsa njohuritë e përgjithshme mbi drejtshkrimin apo ligjet në arsim që kërkohen në test janë të vlefshme për të gjitha profilet e mësuesisë.

RISITË E PROVIMIT

Pas një viti të vështirë e sfidues, mësuesit ngelës nga viti i kaluar do të futen në provim pa stresin se mund të rrezikojnë punën. Në rast se rezultojnë sërish mbetës, vendi i punës nuk do të shpallet vakant. Ata do të mund të futen sërish në provim derisa të sigurojnë më shumë se gjysmën e pikëve që i shpallin kalues. “Kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori dhe në rast se nuk e kalon me sukses provimin, hyn në provim në sesionin pasardhës. Kandidati që e ka fituar kategorinë e kualifikimit dhe ka dëshirë të përmirësojë rezultatin, mund të futet në provim në sesionin pasardhës”, citohet në udhëzimin e ri për provimin e kualifikimit.

I vetmi penalizim për ata që rezultojnë mbetës është mosrritja e pagës, e cila sidoqoftë është në nivele të papërfillshme. Shtesa nuk bëhet mbi pagën me të cilën vlerësohen, por mbi pagën bazë, e cila prej më shumë se dy dekadash është e pandryshueshme, në nivelin e 14 mijë lekëve. Konkretisht, mësuesit që kanë mbi pesë vite punë dhe futen në provim në muajin maj do t’u reflektohet shtesë mbi pagën jo më shumë se 700 lekë në muaj, për mësuesit me dhjetë vite eksperiencë që konkurrojnë për kategorinë e mësuesit specialist, rritja është dyfish, 1400 lekë. Ndërsa mësuesit me mbi 20 vite punë nuk marrin më shumë se 2800 lekë mbi pagë në rast se kalojnë me sukses provimin e majit.

ÇFARË PËRMBAN TEZA

Çdo vit rreth tre mijë mësues vijnë në Tiranë për t’u testuar në provimin për shtesë mbi pagë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar do të kujdeset për mbarëvajtjen e provimit, i cili mbahet në një ditë të vetme dhe zakonisht në shkollat e caktuara paraprakisht në bazë të listës emërore.

Rregullat e provimit janë të ngjashme me ato të maturës shtetërore, e cila zhvillohet fill një muaj pas tyre. Një grup ekspertësh po punojnë për hartimin e fondit të pyetjeve, ku teza finale zgjidhet në mënyrë kompjuterike një ditë përpara datës së provimit. Ajo përmban dy pjesë.

E para ka të bëjë me dokumentet zyrtare mbi veprimtarinë e përditshme të mësuesve, programet lëndore, metodologjinë e mësimdhënies, etikën, sjelljen, komunikimin dhe aspekte të drejtshkrimit. Ndërsa pjesa e dytë lidhet specifikisht me dijet e lëndës të cilën japin në shkolla. Praktika e kamotshme ka treguar se pjesa ku çalojnë më shumë arsimtarët është e para. Kjo ka bërë që Ministria e Arsimit të zhvillojë shpesh trajnime apo edhe teste të dedikuara për të zbuluar pikat e dobëta të mësuesve me qëllim që të plotësohen me orë të dedikuara. Por puna ka mbetur aty.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura