Cakaj pret ambasadorin e ri të Kosovës: Tirana dhe Prishtina në një zë për adresimin e genocidit serb

Nov 7, 2019 | 13:40
SHPËRNDAJE

Krijimi i një hapësire të unifikuar tregtare,  një bashkësie të vetme doganore mes vendit tone dhe Kosoves, ngritja e bashkepunimit ne nje nivel te ri dhe adresimi i njezeshem i Shqiperise dhe Kosoves per genocidin serb kane qene ne qender te takimit te ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadorit te ri të Republikës së Kosovës ne Tirane, Nait Hasani.

cakaj
Lajmi konfirmohet nga vetë kreu i diplomacisë shqiptare i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, thekson nevojën për krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Ministri Cakaj ka bërë të ditur se thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në drejtim të krijimit të një hapësire të unifikuar tregtare dhe një bashkësie të vetme doganore ka një rëndësi strategjike dhe pragmatike.

“Do të punojmë ngushtësisht për të ngritur bashkëpunimin e dy shteteve që i përkasin një kombi në nivele krejtësisht të reja!” – shprehet Cakaj.

Në fokus të takimit ishte edhe nevoja që Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të veprojnë njëzëri për adresimin e krimeve të luftës, projekteve të spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga Serbia në Kosovë si dhe adresimi i krimeve sistematike të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Cakaj shprehet se si mbështetëse e pakushtëzuar e Republikës së Kosovës, Shqipëria nënvizon domosdoshmërinë e parashtrimit të çështjes së dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Serbisë. Një proces ky që duhet të përmbyllet me njohjen përfundimtare të Republikës së Kosovës nga Serbia si parakusht i drejtësisë historike dhe përparimit të rajonit.

“Shqipëria do të intensifikojë angazhimin për mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e mëtejmë të saj në arenën ndërkombëtare. Puna e përbashkët ndër-shtetërore duhet të zhvillohet nën dritën e idealeve më larta kombëtare!” – deklaron shefi i diplomacisë shqiptare, në përmbyllje të postimit të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura