Rrëzimi i Byrosë Kombëtare e Hetimit, Ambasada e SHBA në Tiranë: Vendimet e Kushtetueses janë shumë të rëndësishme

Apr 21, 2015 | 18:10
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila rrëzoi nismën e qeverisë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka reaguar edhe ambasada Amerikanë në Tiranë.

Selia e ambasades se SHBA ne Tirane

Në një reagim për “Zërin e Amerikës”, zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, tha se mbështet krijimin e një organi ligj zbatues, me kapacitetet e avancuara hetimore dhe autoritetin për të hetuar kriminelë apo zyrtarë të korruptuar në nivelet më të larta.

Sipas zëdhënësit, Byroja duhet të përputhet me Kushtetutën e Shqipërisë, prandaj opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptar që të përshtatin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues. “Do të jetë e rëndësishme që çfarëdo ligj i rishikuar të hartohet në mënyrë tërësore dhe përfshirëse”,-raporton “Zëri i Amerikës”. 

Ndërkohë, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e konsideroi antiligjor krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, maxhoranca duket e vendosur për të ngritur strukturën e re të hetimit ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë çështje përfaqësues të qeverisë kanë theksuar se do të vijojnë në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Vendimi rrëzoi javën e shkuar të gjithë kapitullin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e gjetur atë në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se Byroja do të ngrihet dhe se qeveria pret zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të merren masat për plotësimin e standardeve kushtetuese dhe ligjore. 

Pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri për rrëzimin e nismës së qeverisë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka reaguar edhe ambasada Amerikanë në Tiranë. Mësohet se ambasada e SHBA-së ka theksuar se “Udhëzimet e kushtetueses janë shumë të rëndësishme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura