Byroja Kombëtare e Hetimit po fillon nga puna, por si?

Sep 10, 2020 | 9:35
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO Pellumb nako

Vite më parë, Antuani, një shtetas i huaj, së bashku me familjen e tij, erdhën në Shqipëria për të kaluar pushimet e verës. Destinacioni i tyre ishte Saranda. Me të mbërritur në Rinas, për të qenë më autonomë, së bashku me gruan, ai mori një makinë me qira të re, prodhim i viteve të fundit. Me të shpejtë, ata hodhën benzinën e duhur në serbatorin e makinës me dëshirën për të marrë rrugën drejt Sarandës sa më shpejt. Por, edhe pse serbatori u mbush me karburant, llamba e tij mbetej gjithmonë e kuqe. I alarmuar, turisti i telefonoi kompanisë që e kishte sjellë në Shqipëri, bashkatdhetar i tij. Përgjigjja e qetësoi. Në Shqipëri, i thanë, benzina është rregullisht me ujë dhe llamba e makinës që keni marrë do të qëndrojë gjithmonë e ndezur.

Me pak fjalë, kjo është dhe forma sesi po zhvillohet reforma në Shqipëri si për Byronë Kombëtare të Hetimit, edhe ato në sistemin e drejtësisë. Reformat e mbështetura nga të huajt na ofrojnë një kuadër ligjor institucional në përputhje me standardet e tyre, si makina e Antuanit, por “karburanti” njerëzor i vënies në punë është tërësisht shqiptar, ku fatkeqësisht ujërat e turbullta në forma interesash okulte janë gjithmonë të pranishme. Dhe për këtë nuk na e kanë gjithmonë fajin të huajt.

Në vija të përgjithshme, të gjitha reformat e mbështetura nga të huajt kanë për karakteristikë dominante gjithëpërfshirjen dhe ato me vulë tërësisht shqiptare për natyrë kanë vetëm përjashtimin e një pale dhe favorizimin e një tjetre.

Byroja Kombëtare e Hetimi shpalli hapjen e procesit të konkurrimit për 60 hetues, pjesë përbërëse e saj. Drejtuesja e sapoemëruar, madje, bëri një njoftim publik ku me nota të natyrshme entuziazmi ftoi gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, feje dhe ideje, që ndihen të aftë dhe plotësojnë kriteret ligjore, të paraqiten për të aplikuar. Njëlloj si në rastin e krijimit të SPAK-ut. Pra, as më shumë e as më pak praktika tipike të vendeve të zhvilluara, të cilat e bazojnë suksesin e ndërtimit të institucioneve mbi transparencën, mbi mundësitë e barabarta të të gjithëve për të fituar. Gjithçka të parashikuar në një ligj, i cili, po ashtu, ka karakter konsensual. Sepse bëhet fjalë për të ndërtuar institucione që u takojnë të gjithëve.

Por pyetja që bëhet është nëse e kanë lirinë e duhur të gjithë punonjësit e Policisë për të aplikuar dhe për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin dhe funksionimin e Byrosë së Hetimit. Ka pengesa që i përjashtojnë ata ende pa iu nënshtruar kritereve? Pyetja bëhet sepse nëse ligji për Byronë e Hetimit e krijon këtë mundësi, ka ligje të tjera që në mos e pengojnë, e vështirësojnë deri në pamundësi marrjen e gjithë kontributeve pa përjashtim, të të gjithë atyre kandidatëve nga Policia, që kanë dëshirën dhe vullnetin për t’iu nënshtruar kërkesave të Byrosë së Hetimit.

Më konkretisht. Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit i bëri thirrje edhe gjithë punonjësve të Policisë Shqiptare që të mos hezitojnë e të paraqiten për të aplikuar siç e parashikon dhe ligji, kurse ligji i Policisë, me nr. 108/2014, ka përjashtuar përgjithmonë nga Policia gjithë ata oficerë e Polici, të cilët kanë punuar në kohën e kur qeveriste opozita aktuale dhe janë larguar nga radhët e saj për shkurtim të funksionit organik. Pra, nga njëra anë kemi në fuqi një ligj që nuk u krijon pengesa të konkurrojnë për të punuar në një organizëm-ajkë, siç është BKH, dhe nga ana tjetër një tjetër ligj, po ashtu në fuqi, që nuk i lejon të punojnë në Polici, qoftë edhe punë të rëndomtë, jo aq të rëndësishme sa te BKH.

Në këtë kontekst duket qartë se nga ana strikte ligjore për këtë kategori oficerësh të nëmur nga qeverisja aktuale nuk ka asnjë pengesë që të paraqiten dhe të aplikojnë për në BKH. Por, praktikisht, a mund të ekzistojë mundësia që pikërisht për kategorinë, ndaj së cilës ka ekzistuar vullnet i hekurt politik për t’i përjashtuar me ligj pa përjashtim nga çdo kontribut në luftën kundër krimit dhe një komision teknik përzgjedhës, t’i klasifikojë pozitivë për të plotësuar radhët e byrosë së hetimit? (Sigurisht, bëhet fjalë për ata që plotësojnë kriteret). Duket absurde dhe kontradiktore deri në dhimbje kur dikush i përjashtuar ligjërisht nga një proces, të kalojë gjithë filtrat e kontrollit, pikërisht të institucioneve, të cilat janë ndërtuar me vullnetin e atij që i ka nxjerrë jashtë loje. Edhe komisioni i vetingut në Polici, edhe organet e tjera që pajisin me certifikatë sigurie, të kontrolluara tërësisht nga qeveria nuk mund të dalin jashtë vullnetit të saj të shprehur në një ligj përjashtues.

Pra, kemi një kategori të gjerë oficerësh Policie, të cilët kanë dhënë kontributet e tyre në shumë arritje themelore të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit dhe të lirisë së qarkullimit dhe tani e kanë praktikisht të pamundur të japin ekspertizën që kanë përfituar në ndërtimin dhe sidomos funksionimin e institucioneve të reja ligjzbatuese të vendit të tyre. Pra, benzina e makinerisë së procesit të funksionimit të motorit të BKH-së e ka marrë tashmë ujin dhe për këtë nuk mund të fajësohen të huajt.

I gjithë ky arsyetim nuk është thjesht një hamendje, por edhe eksperiencë e një ish-oficeri të Policisë, të përjashtuar nga radhët e saj për shkurtim të funksionit organik dhe që ka fituar edhe gjyqin e të gjitha shkallëve ndaj Policisë. Ai iu përgjigj së njëjtës thirrje si kjo e fundit dhe konkurroi për vendin e drejtuesit të BKH-së. Oficer i diplomuar për Polici jashtë vendit me medalje të artë, me disa gjuhë të huaja dhe me ekspertizë për t’u pasur zili në fushën e hetimit dhe të menaxhimit, u skualifikua që në turin e parë. Ai u fut në konkurrim me pasionin e një polici, të cilit i mungon profesioni i zgjedhur me dëshirë dhe i rritur me sakrifica dhe jo për motive financiare. Aktualisht, ka një funksion të paguar mirë dhe kur pyeti dikë për këtë dëshirë, dukej mjaft i emocionuar. Si përgjigje iu tha: “Nëse ti futesh në aplikim dhe fiton, kjo do të thotë se në vendin tonë ka përfunduar tranzicioni”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura