Buxheti prezantohet në Kuvend, Ahmetaj: Sa rriten pagat, 30 mijë vende të reja pune

Nov 1, 2018 | 17:46
SHPËRNDAJE

Buxheti i vitit 2019 u fut dje në procedurat parlamentare. Ministri i Financave dhe të Ekonomisë bëri prezantimin e buxhetit vjetor për vitin 2019 në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku opozita nuk ishte e pranishme.

Ahmetaj

BUXHETI

Sipas Ministrit Ahmetaj, për herë të parë shpenzimet buxhetore për vitin 2019 do të kapin vlerën absolute të 519.4 miliardë lekëve ose 29,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka do të përkthehet edhe në rritje të pagave për mjekët, infermierë, mësuesit dhe përfaqësive diplomatike.

“Shpenzimet buxhetore për vitin 2019, do të vijojnë të mbështesin sektorë prioritarë si arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, infrastrukturën, të cilat do të stimulojnë më tej rritjen ekonomike të vendit, duke gjeneruar njëkohësisht punësim. Gjithashtu, mbështetja e një sërë reformash, nga ajo e Drejtësisë deri te reforma e ujit. Për vitin 2019 shpenzimet buxhetore do të kapin për herë të parë vlerën absolute 519.4 miliardë lekë ose 29,6% të PBB, krahasuar me të pritshmin e vitit 2018, totali i shpenzimeve buxhetore programohet me rritje 5,9% më shumë.

“Shpenzimet e personelit të planifikuara në masën e 80.6 miliardë lekëve për vitin 2019, përveç financimit të plotë të kostos aktuale të administratës publike qendrore, reflekton koston, pra, mbart koston aktuale të administratës publike, mbart gjithashtu edhe politikën e rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë 7%, arsimit 7%, mbrojtjes 7%, sistemi terciar 7% dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike 20%. Vlen të theksohet se nga kjo rritje e konsiderueshme e pagave përfitojnë 4650 mjekë, 13.765 ndihmësmjekë, pra infermierë, 35.783 mësues, 6800 ushtarakë, 3559 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe 308 diplomatë”, – u shpreh Ahmetaj në lidhje me rritjen e pagave për vitin 2019.

Krahas sektorëve të mësipërm, sipas Ahmetajt, në këto shpenzime planifikohet kostoja e plotë e Reformës në Drejtësisë edhe për vendet e punës në institucionet e reja të drejtësisë. Në lidhje me vendet e reja të punës, Ahmetaj theksoi se në vitin 2019 synohet që të hapen 30 mijë vende të reja pune si dhe shkalla e papunësisë në vend të ulet në vlerën e 12%.

“Parashikohet hapja e 30.000 mijë vendeve të reja të punës. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga kërkesa e brendshme, konsumi privat dhe investimet. Ndërkohë edhe shkalla e papunësisë pritet të zbresë 12% në 2019-n. Politika fiskale do të vijojë drejt konsolidimit me efekt neutral për konsumin. Ligji për tatim të të ardhurave do të njohë një ulje në 8%. Investimet publike janë parashikuar në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe do të mbështesë krijimin e kapitalit me 88.8 miliardë lekë. Shpenzimet për ndihmën ekonomike do të jenë në shifrat 20.5 miliardë lekë. Deficiti fiskal 1.9 % është më i ulëti për vitin 2019. Bilanci primar, që për të katërtin vit radhazi është pozitiv dhe i cili pritet të jetë akoma më i ulëti në vitet e ardhshme. Kjo shifër, e cila përkthehet në një bilanc pozitiv që tregon përgjegjshmërinë e kësaj qeverie për të garantuar të ardhura të sigurta në qasjen e buxhetit për vitin 2019”,- u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Pas prezantimit të ministrit, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e posaçëm të punimeve të Kuvendit për shqyrtimin e buxhetit vjetor për vitin 2019.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura