“Buxheti” mori dritën jeshile në Kuvend, ja çfarë ndodhi me fondin për pronat dhe pensionet

Dec 19, 2019 | 20:17
SHPËRNDAJE

kuvendi 18 dhejtor

ADA HAZIZOLLI/ Pa debat dhe pa shumë zhurmë, Parlamenti i “ka dhënë bekimin” buxhetit të Qeverisë për vitin 2020. Ndryshe nga sa pritej dhe ka ndodhur në praktikat e mëparshme, në seancën e djeshme mungoi vëmendja ndaj buxhetit, duke kaluar menjëherë në votim. 

Me 90 vota pro dhe 9 kundër, deputetë të maxhorancës dhe opozitës parlamentare i dhanë dritën jeshile edhe projektligjit më të rëndësishëm. Në seancën e djeshme parlamentare, të fundit për këtë sesion, u miratua edhe dekreti i Presidentit për emërimin e Arben Ahmetajt si ministër të Shtetit për Rindërtim.

75233491_2480615348871145_6133720491375984640_o

PRONAT 

Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit vuri në lëvizje qeverinë për gjetjen e fondeve që do të shkonin për projektin e rindërtimit. Ndonëse nuk ka ende një faturë të dëmeve, në fazën e parë Qeveria ka parashikuar të adresojë një paketë financiare në vlerën e 200 milionë dollarë, nga të cilat 130 milionë dollarë do të dalin nga arka e shtetit dhe pjesa tjetër nga donacionet. Por nga ndryshimi i listës së prioriteteve nuk preken fondet në adresë të pronarëve dhe skemës së pensioneve. Për kompensimin e ish-pronarëve, ashtu siç ishte parashikuar edhe në ligj, do të shkojnë rreth 45 milionë dollarë. Ndërkohë, nga buxheti i këtij viti janë edhe rreth 30 milionë dollarë.

Duke qenë se kanë mbetur më pak se dy javë nga mbyllja e këtij viti, atëherë mundësitë janë që këto para të transferohen për t’u përdorur vitin që vjen. Përfundimi i vlerësimit financiar nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave u jep mundësi pronarëve që të paraqiten për të aplikuar. Me ndryshimet e bëra, atyre u lind e drejta të kompensohen financiarisht vetëm për 20% të vlerës së faturës, por jo më shumë se 10 milionë lekë të rinj. Për pjesën e mbetur do të mbulohen nga fondi i tokës që ATP disponon.

PENSIONET 

Sa u takon pensioneve, në buxhet janë parashikuar rreth 2.52 miliardë lekë ose rreth 25 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për indeksimin e tyre. Mesatarisht rritja që do të aplikohet do të jetë 2.5 për qind mbi masën e pensionit. Kjo shtesë, e cila zakonisht zyrtarizohet në muajin prill, do të aplikohet për pensionet e plota, ato të pjesshme dhe të reduktuara, pensionet familjare, të posaçme, të invaliditetit, pensionet e ish-ushtarakëve, profesorëve etj. Në buxhetin për vitin e ardhshëm, janë planifikuar që 1.45 miliardë lekë ose rreth 15 milionë dollarë të shkojnë për trajtimin suplementar të minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve.

Ligji për trajtimin me pensione suplementare të këtyre tri kategorive u miratua në korrik të këtij viti. Shtesa, e cila varion mesatarisht nga 12 deri 20 për qind, ka nisur të llogaritet prej muajit nëntor, ndërkohë që deri më tani janë rreth 3 mijë pensionistë që kanë përfituar nga 23 400 që përfitojnë në total. Bashkë me shtesën e dhjetorit pensionistët marrin edhe shtesën e muajve korrik, gusht, shtator, tetor dhe nëntor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura