Buxheti, Leskaj: Rreziku më i lartë, korrupsioni dhe koncesionet

Jun 21, 2016 | 7:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kontrollit të lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, dje në konferencën vjetore “Analiza e riskut” evidentoi disa nga rreziqet që kërcënojnë buxhetin e 2016, duke dhënë edhe rekomandimet për përmirësim. Leskaj u shpreh se rreziku më i lartë është korrupsioni dhe abuzimet me pasuritë natyrore nëpërmjet koncesioneve.

bujar-leskaj-1024x740

Për të reduktuar rrezikun nga koncesionet, Leskaj rekomandoi kontroll të kontratave për kostot dhe përfitimet. “Një nga risqet më të lartë të vendit tonë është risku i korrupsionit të ngritur në sistem në administratën tonë shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, i keqmenaxhimit të kontratave koncesionare, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure, mosmenaxhimi i mirë i partneriteteve publike-private me një kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit.

Për më tepër, për partneritetin publik-privat ka pasur reagime edhe nga institucione ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore apo USAID. Ka pasur shqetësime për mangësi në studimet e fizibilitetit dhe në të dhënat për raportin kosto-përfitim, që dëshmojnë moskryerjen si duhet dhe mosfillimin e analizave paraprake të riskut”, u shpreh Leskaj.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentoi si risk të ekonomisë edhe rënien e eksporteve, për të cilat rekomandoi lehtësi fiskale për eksportuesit e produkteve bujqësore.

“Një tjetër shembull i riskut, i cili po të verifikohet sjell shumatore të tjera në ekonominë shqiptare, është rënia e ndjeshme e eksporteve të vendit që në një studim të fundit të Bankës Botërore eksportet parashikohen me 10 për qind ulje vetëm për këtë vit. Mund të parashikohen lehtë vështirësitë që një risk i tillë sjell në bilancin e pagesave, në nivelin e fuqisë blerëse dhe të punësimit në vend. Në rast se një risk të tillë e parashikojmë dhe e llogarisim mirë në sistem, si ekzekutivi, ashtu edhe aktorët e tjerë për përgatitjen dhe realizimin e një programi afatshkurtër masash balancuese energjike, të tilla si mbështetja më e fortë e eksporteve bujqësore, dhënia e lehtësive fiskale të kompanive që veprojnë në fushën e bujqësisë, kontrolli i tyre dhe mosabuzimi me këto lehtësi, dhënia e lehtësive të fasonit, turizmit dhe fushave të tjera, atëherë ky risk i lartë mund të pakësohet si dhe pasojat në ekonominë tonë”, u shpreh Leskaj.

Kreu i KLSH-së listoi si risk të ekonominë edhe borxhin, ku i rekomandoi qeverisë që 50 për qind e të ardhurave nga privatizimet të shkojnë për borxhin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura