Buxheti i Tiranës, Artan Fuga: Sipërmarrës të pasuruar, bashkia e varfëruar

Aug 27, 2015 | 13:54
SHPËRNDAJE

Shqetësimi im lidhur me këtë temë vjen si qytetar në radhë të parë që ka të drejtë të dijë se çfarë bëhet me buxhetin e njësisë vendore ku ai banon, interesohet për fatin e qytetit të tij, por edhe si studjues, autor i librit “Rënia e Qytetit”, ku mbroj tezën se qytetet kanë hyrë në një krizë të thellë demografike, kulturore, ekonomike dhe financiare.

artan-fuga-INFOCIP1-1
Është një libër i botuar në vitin 2012, prandaj përmbledh studimet e mia të disa vjetëve, provë kjo se këto që them nuk janë të orientuara politikisht, por vetëm si studjues dhe ende për disa kohë qytetar jopolitik në kuptimin e partishmërisë.
***
Disa kohë më parë kryetari i ri i Bashkisë të Tiranës kur mori detyrën deklaroi se e gjeti buxhetin e saj me arkën bosh dhe me borxhe. E besoj. Gjendja u bë edhe më e besueshme, kur u bë thirrje bizneseve që të marrin në patronazh për të rregulluar një çerdhe. Edhe kjo një nismë solidare, por me potencial të kufizuar. E para, se këto bizneset mos kujtojnë se pastaj do të kenë favorizime nga Bashkia. E dyta sepse ja morën në patronazh një cerdhe, por kush do të marrë pastaj në patronazh një mijë halle të Tiranës. E treta sepse ngarkesa e ndërmarrjes me angazhime sociale na shtyn pakës drejt konceptit të ekonomisë socialiste ku ndërmarrja merrej edhe me fletë kampi, edhe me mbarvëvajtjen në mësime të nxënësve – fëmijë të punonjesve, edhe me divorcet në familje, etj. Nuk është ky modeli veç nga halli. Kurse situata u bë tragjike kur në televizion u shfaq vetë kryetari i bashkisë duke lyer një cerdhe që nga njera anë fton për simpati, por nga ana tjetër na alarmon : Pse as lekë për të paguar bojaxhinj nuk ka Bashkia???

***
Hipoteza ime eshte se boshatisja e arkës të Bashkisë të Tiranës, por jo vetëm, nuk ka ndodhur në një ditë, ajo është përgatitur nga dekada modelesh zhvillimi urban.

Nuk besoj se dikush ka futur dorën në arkë. Megjithatë për të dhënë një gjykim të saktë duhet të dish sa kanë qenë shpenzimet për cdo zë, cfarë buxhetesh janë mbledhur, sa ka qenë rentabiliteti i inestimeve, si kanë qenë prioritetet, si kanë ecur tenderat, etj. Pres që dikush të botojë rregjistrin e të ardhura – shpenzime të bashkive, por, hiç, ato shifra mbeten në zyra apo dosje këshilltarësh ndërsa ne qytetarët nuk kemi pikën e informacionit.

Sepse nuk ka media lokale.
Sepse këshilltarët varen dhe zgjidhen nga kryetari, dhe jo kryetari prej tyre, as ata nuk varen nga qytetarët.
Sepse nuk ka vend për qytetarët në Bashki. Edhe shërbimet kryhen nga dritare që u ngjanë atyre të sporteleve të burgut.
Nuk kuptohet se ku e gjejnë gjithë këtë përbuzje ndaj nesh qytetarëve, a thua se pushteti lokal nuk është yni!

***
Eh, po të duhej buxheti bashkiak vetëm për cerdhet dhe kopshtet! Do të ishte e lehtë.
Por, si i bëhet për të përballuar të gjitha ato nevoja parësore që ka qyteti ynë e që janë ku e ku më serioze sesa pastrimi i rrugëve, që ka vlerën e vet. Por, ky pastrim nuk bëhet me fshesa dhe batalione fshesaxhinjsh që rrisin votuesit e kryetarit, por me makina moderne që brenda pak orësh e bëjnë qytetin, siç thoshte dikush dikur, varrezë, pra mermeri i pastër. Makina të fuqishme me dimensione të vogla, gjysëm automatike. Nejse, histori tjetër…

Por, cfarë të bëjmë kur në rubinete kemi ujë jo të pishëm? Ose nuk kemi ujë fare! Cfarë të bëjmë që s’kemi kanalizime për qytetin inteligjent dhe fijet e lidhjeve Internet etj, i kemi si lesh arapi mbi kokë. Cfarë do të bëjnë bashkitë e mëdha kur tani kanë mbi kurriz edhe urbanizimin e fshatrave. Si do të rregullojmë gropat e rrugëve, trotuaret e shkatërruar, si do të përpunojmë plehrat me impiante moderne? Si do të përpunohen ujrat e zeza? Ku do të gjejmë lekë për stadiume, fusha të blerta, mbjellë pemë që nuk thahen pas një vit, si do të rinovohen tarracat e pallateve të qytetit, e ndërkohë përballë këtyre detyrave të akumuluara në vite detyra bëhet pothuajse një gur Sizifi e buxheti duket i tejfalimentuar. Si do të mbështeten përtej supës të turpit familjet në nevojë?

T’i mbledhi taksta vendore qeveria dhe pastaj tua shperndaje njësive vendore? E kuptoj këtë dëshirë të mirë në kushte emergjence, por nuk është zgjidhje. Kjo do ta bënte akoma më të papërgjegjshëm pushtetin lokal për të krijuar burime taksimi, sepse çdo gjë do të prasi nga shteti, kurse taksat do t’i harxhojë pa nikoqirllëk.

***
Do të doja që buxhetet e bashkive të ishin në këtë gjendje debulece të thellë nga ndonjë abuzim. Nuk i përjashtoj abuzimet, por është rasti më i lehtë. Rregullohet shpejt. I priten duart abuzuesit dhe gjendja rregullohet.

Por situata më duket shumë më serioze.

Për mua buxheti është në krizë sepse hapësira urbane nuk është një hapësirë e dendur ekonomike, por e lodhur ekonomikisht, me ekonomi të lodhura shërbimesh, ku mbizotërojnë dyqanet familjare të këputura dhe tregtarët e zarzavateve dhe frutave në rrugë. Këta nuk janë burime të shëndosha taksimi. Këtyre nuk ke c’u merr vecse t’i rrjepësh, por ata gjithsesi duhet të japin kuponin tatimor dhe të paguajnë taksa. Deri në një, përndryshe të falimentojnë.

Pa u rindërtuar hapësira urbane si hapësirë pune dhe krijimi pasurish qytetet tona do të lodhen edhe më shumë dhe do t’u ngjajnë gjithnjë e më shumë zonave urbane me zhvillim minimal.

E dyta, bashkia e Tiranës ka prej dekadash një grandomani, pra sipas meje bën investime që janë përtej detyrimeve dhe prioriteteve të saj. Duhen ndarë mirë se Bashkia e Tiranës është një njësi e thjeshtë vendore, dhe nuk është një kryeministri bis pavarësisht numrit të madh të banorëve në Tiranë. Kryetari i Bashkisë ka detyrë të nderuar, por nuk është as zëvendëskryeministër as kryeministër në hije sikurse është asociuar nga historia. Kështu bëhen trajtesat nga shtypi e mediat joprofesioniste për arsye që dihen.

Duhet ndarë mirë investimi që bëhet për qytetarët e Tiranës nga investimi që bëhet në Tiranë por që lidhet me gjithë Shqipërinë. Bashkia mos lejojë autobuzat që të livadhisin në rrugët kryesore të qytetit, se shkaktojnë kaos, por se kush e bën parkingun e madh n Farkë, kjo mua më duket se nuk është punë saj, por e qeverisë, pra për atë duhet të investojnë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm paratë që dalin nga xhepat e neve tiranasve. Ka shumë për të debatuar këtu, por grandomania e një pushteti lokal duke ndërmarrë investime brenda territorit të tij, por me përmasa kombëtare të boshatis buxhetin dhe të le me gisht në gojë.

E treta, kam përshtypjen sa bashkitë tona ecin duke pasur hypur mbi kokë një koncept ultraliberal që privatizon shërbimet. Parkingjet? Jepja privatit. Reklamat në qytet? Jepja privatit. Linjat e autobuzave? Jepja privatit. Fushat e minisporteve? Jepja privatit. Kinematë? Jepja privatit. Ndërtime në troje publike? Jepja privatit. Pastrimi i qytetit? Jepja privatit.

Fitojnë ca parà në momentin e privatizimit dhe pastaj humbasin burimet e financimit. Nuk jam që bashkia të bëhet një super agjenci shërbimesh, por edhe që të zbrazet prej tyre duke privatizuar shërbimet, edhe kjo e le buxhetin e saj me gisht në gojë, bje miu thyen kokën.

Ka paré plot që mund të gjenerojë ekonomia urbane edhe për bashkinë edhe misionin e saj, por nëse bashkia thahet krejt nga funksioni i saj menaxherial, me këtë, ajo pasuron privatët e fuqishëm, shpesh herë klientelistë, dhe varfëron qytetin. Dhe këta individë pastaj i hipin mbi kokë pushtetit publik dhe admnistrimi i bashkive nuk bëhet më në interes dhe për qytetarët, por drejtohet nga parellinjtë që as u bëhet vonë për shërbimet publike kolektive, të cilat kanë dy prirje si shërbime të kthyera në biznes privat :

a. Të rrisin tarifat e shërbimit.

b. Të përkeqësojnë kushtet e realizimit të shërbimit për të rritur marzhet e fitimit.

Këtë quani ju model ekonomik liberal zhvillimi?

Shkoni shihni pak bashkitë e vendeve europiane dhe do të konstatoni se ku është rruga qorre ku kemi hyrë.

Pra sipas meje si qytetar dhe studjues, për të shëndoshur financat e qytetit tonë , nuk mjafton edhe sikur të gjithë ne të kthehemi në bojaxhinj dhe plehrambledhës të qytetit tonë, zanate të nderuara megjithatë, por duhet të heqim dorë nga :

– Tharja e territorit urban nga funksioni ekonomik.
– Nga grandomania.
– Nga ultraliberalizmi si model tashmë i dështuar administrimi i ceshtjeve publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura