PIRO AHMETAJ
Prej ditës së hënë, vijon diskutimi në grupet parlamentare për projektbuxhetin 2016. Është një ngjarje madhore për vendin, pasi përtej shifrave, artikulon performancën e vitit që po lëmë pas dhe demonstron ambiciet e qeverisë për vitin në vazhdim. Subjekt i këtij shkrimi është buxheti i Mbrojtjes 2016, të cilin për shkak të eksperiencës së gjatë në planifikimin strategjik në NATO, shpresoj ta kuptoj më shumë se modestisht.
Në vendet perëndimore, debati për buxhetin e mbrojtjes është ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit. Kjo edhe pse sigurisht “paratë nga i njëjti thes dalin”, është një ngjarje për të demonstruar vizionin, qasjen dhe përgjegjshmërinë shtetare ndaj çështjeve që e tejkalojnë politikën e ditës, mandatin e një qeverie dhe dalldisjen propagandistike të Kryeministrit të radhës.
Pra, është edhe një test-prove për cilësinë e lidershipit, promovimin e konsensusit (tymi-bardhë) për çështjet e sigurisë (përfshi buxhetin e mbrojtjes) dhe kështu është një shkollë për demokracinë si e tërë! Si referencë e kësaj analize janë konsideruar shifrat zyrtare të buxhetit në ligjin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016- 2025), të miratuar në Kuvend para tri jav- ësh, pa u konsultuar me Komandantin e Përgjithshëm dhe pa konsensusin e Opozitës!
Kjo pasi në ligjin në fjalë për PAZH, është planifikuar ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve sipas nivelit të ambicieve të RSH dhe skenarëve të kërcënimeve të mundshme ndaj qytetareve, sistemit demokratik dhe interesave strategjike të RSH, jo vetëm për vitin 2016, por dhe për 10 vitet në vijim. Fatkeqësisht, buxheti i Mbrojtjes për vitin 2016 konfirmon shkeljen e ligjit të sapomiratuar dhe e bën kështu PAZH-in si një “letër pa vlerë”, pasi nuk jep asnjë garanci për zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FA për përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrimeve në NATO.
Në vijim po paraqes disa vlerësime dhe një oponencë profesionale rreth draft-buxhetit të Mbrojtjes: Në tabelën e shpenzimeve për vitin 2016, për buxhetin e mbrojtjes janë parashikuar 12.389.475 000 lekë, ose rreth 90 milionë euro. Në Planin-referencë (PAZH), buxheti miratuar për vitin 2016 është 15.960 milionë lekë. Siç shihet, janë 3.570 milionë lekë, ose rreth 26 milionë euro më pak se Plani i miratuar për vitin 2016.
Për më tepër, nga 1% e GDPsë (=15.960 milionë), duke zbritur 3.570 milionë lekë = 22 % më pak mbetet që shifra në përqindje për vitin 2016 të zbresë në 0.78 % të GDP-së?! Për të mos mërzitur lexuesit, nuk do të hyjmë në detaje të strukturës së shpenzimeve, e cila po ashtu është shumë larg standardit të NATO-s (40% personeli, 30% operacione dhe mirëmbajtje dhe 30% modernizim dhe infrastrukturë), pasi në draft-buxhetin 2016 rreth 55 % e shpenzimeve janë parashikuar për personel (në tabelë shuma e zërave-600; 601 dhe 606) dhe rreth 15 % për modernizmin – një strukturë shpenzimesh e lënë mbrapa prej vitit 1999, para se Shqipëria të pranohej si vend aspirant në NATO (MAP)!
Nënvizoj se FA-të nuk janë shoqatë bamirësie, nuk janë organizatë joqeveritare, por një instrument i fuqisë kombëtare, që kanë përgjegjësi dhe u duhen domosdoshmërisht të zhvillojnë kapacitete për të përmbushur misionin kushtetues. Krahas të tjerave, gjykoj se në këtë keq-katandisje të strukturës së shpenzimeve të mbrojtjes ka kontribuar edhe ligji i gradave dhe karrierës, një ligj kinezo-koreano-verior që ka instaluar pabarazinë, parazitizmin, dembelizmin dhe praktikat korruptive.
Meqenëse jemi te struktura e shpenzimeve, ka një detaj që tregon papërgjegjshmërinë e Ekzekutivit në raport me sistemin e sigurisë. Në tabelën e punonjësve MM, në vend që të ulet, është parashikuar të rritet me 247 veta numri i personelit, nga 9001 në 2015-n në 9248 në 2016-n (!) Ndërkohë, kujtojmë që në dokumentin e Rishikimit të Mbrojtjes (RSM) është përcaktuar se numri i personelit do të zbriste në 8.500, pra deri në fund të 2015-s do të duhej të shkurtoheshin edhe 501 veta, nga numri aktual 9001.
Ndoshta për rastësi, rritje të numrit të personelit është parashikuar edhe për Kryeministrinë me 216 veta (nga 314 në 530), ndërsa Kuvendi ka rritje me 35 veta (396 nga 361)?! E lexuar në kontekstin e dokumenteve strategjike, buxheti i vitit 2016 është një konfirmim i shkeljes së ligjit të PAZH, që akoma nuk i është tharë boja, si dhe shpërdorim politik i SSK, SU, PAZH dhe Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM), i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-ve dhe miratuar nga Qeveria Berisha në 2013!
Konkretisht, për të materializuar zhvillimin e kapaciteteve të domosdoshme sipas skenarëve të kërcënimeve. Në këto dokumente është parashikuar buxheti i mbrojtjes jo më i vogël se 1.5% e GDP-së (rreth 240 miliardë lekë, kur në fakt vetëm gjysma 12.389.475 është parashikuar në buxhetin e vitit 2016). Nga ana tjetër, niveli 2% i GDP-së është synimi i konfirmuar në NATO dhe i nënshkruar nga 28 kryetarët e shteteve të NATO-s (përfshi Kryeministrin e RSH!), në Samitin e Uellsit, UK.
Në respekt të së vërtetës, në 2008, viti që Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit, në NATO – buxhetit i mbrojtjes ishte 2% i GDPsë, ose 184 milionë euro, dhe rreth 30% të buxhetit u alokuan çdo vit deri në 2012-n për modernizimin dhe infrastrukturën, që u shpenzua për projekte madhore si: vëzhgimi i hapësirës detare; anijet e patrullimit; njësia e helikopterëve; forcat speciale; shërbimi inteligjencës etj., mbi çka Shqipëria jo vetëm u anëtarësua, por edhe përmbushi me integritet detyrimet teknike të anëtarësimit në tetor 2013.
Pa koment: për krahasim po ilustrojmë me buxhetin në % GDP për 2015 në disa nga vendet e rajonit e të tjera: Serbia 2.2%; Greqia 2.2%, Kroacia 1.5%, Bullgaria 1.5 %; Estonia 2%, Mali i Zi 1.7 %; ose Maqedonia 203 milionë euro, Bosnja 150 milionë euro etj. Për vitin 2016, parashikimet janë në rritje për të gjitha këto vende, ndërsa Shqipëria ishte për 2015-n dhe mbetet në fundin e listës së vendeve të NATO-s edhe në vitin 2016. Në përmbledhje, ripërsëris se buxheti i mbrojtjes është një masë kritike për zhvillimin e kapaciteteve në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të shoqërisë dhe interesave kombëtare.
Dhe kjo në një realitet gjeopolitik në dinamikë të pandërprerë nga: “ambiciet për rritjen e influencës së ariut polar në Ballkan”; terrorizmi ndërkombëtar; pasojat e qeverisjeve të dështuara; inkriminimi i institucioneve; korrupsioni; krimi i organizuar; trafiqet; rastet renegate; kriza financiare; papunësia; emergjencat civile; siguria e mjedisit etj, kërcënojnë frikshëm vendin dhe interesat mbarëkombëtare.
Në shtesë, theksojmë se ulja drastike e buxhetit të mbrojtjes për vitin 2016 jo vetëm që vë në vështirësi kritike nivelin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit të FA-ve, por e zbret Shqipërinë në një pozitë joserioze, të pabesueshme, e të papërgjegjshme përballë NATO-s dhe aleatëve strategjikë. Disa rekomandime profesionale.
(1) Siç e kam përmendur në disa raste të tjera, nëse nuk ka vizion dhe vullnet t’u qëndrohet shifrave të buxhetit sipas Ligjit të Planit Afatgjatë të sapomiratuar nga Kuvendi, atëherë Ekzekutivi duhet të mos vijojë të bëjë propagandë-populiste, por të iniciojë dhe zhvillojë një Vlerësim tjetër strategjik, si ai i RSM-2013 dhe respektivisht të ndryshojë nivelin e ambicieve, skenarët, listën e prioriteteve dhe kapaciteteve, mbështetjen me buxhet etj.
(2) Për reduktimin e buxhetit në raport me nivelin e ambicieve, objektivave dhe kapaciteteve të planëzuara në dokumentet strategjike, në NATO ka dy shkolla/metoda:
(a) Rreshtimi i prioriteteve, dhe në kushtet e uljes së buxhetit (si në rastin konkret) reduktohen objektivat dhe hiqen respektivisht kapacitetet e fundit në listën e prioriteteve.
(b) Riplanëzimi në raport me buxhetin, për të riformuluar objektivat kombëtarë në Planin e miratuar.
(c) Kështu, mbetet që Kuvendi, ose të rikonfirmojë rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 1% të GDP-së (159.960 milionë lekë), ose të miratojë një shtesë në Ligjin për PAZH 2016, duke reflektuar objektivat dhe kapacitetet që do të reduktohen në raport me uljen e buxhetit 3.570 milionë lekë ose 26 milionë euro! Parë në analizën e mësipërme, shqetë- simi dhe mesazhi profesional për faktorët e anëtarët e përgjegjshëm (jo ata të inkriminuar dhe mediokër) të Kuvendit është: “mosmiratim i këtij buxheti”, i cili as më pak as më shumë, është një “rrezik dhe kontribut shtesë” në modelin e dështuar të reformës Rama–Kodheli në fush- ën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në çdo rast, për autoritetet drejtuese të MM, ndryshimi drastik i buxhetit në dëm të planit të kapaciteteve të domosdoshme për ushtrimin e misionit të FA-ve është një rast për të treguar dinjitet dhe integritet të shtetarit perëndimor, pra për të dhënë dorëheqjen dhe tejkaluar profecinë e Nolit: “mbajtjen me dhëmbë” të karriges!
Do lutesha shumë të isha gabim, por jam shumë i sigurt se dorëheqja për shtetarë të “keqnënshtruar nga arroganca politike, korrupsioni dhe shkeljet e ligjit” mbetet mision i pamundur! Së fundmi, pa pretenduar që të “privatizoj të vërtetën”, shpresoj që këndvështrimet në këtë opinion të shërbejnë dhe kontribuojnë si oponencë profesionale për aktorët dhe faktorët në Kuvend, dhe të tjerë të interesuar, përfshi edhe aleatët strategjikë.
*Gjeneral në rezervë, ish-Këshilltar i Presidentit dhe ish-Përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al