Buxheti i ri, koncesionet e pakërkuara deri në 2022

Oct 19, 2018 | 10:33
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria do të ndalojë dhënien e koncesioneve në vitin 2022, pasi rrezikohet që pagesat e buxhetit të tejkalojnë kufirin 5 për qind të parashikuar në ligj.

qeveria-rama-2-1024x560_1519368916-6928914

Projektbuxheti i vitit 2019 shpjegon se me mbylljen e paketës “1 miliard euro investime”, pagesat nga buxheti pritet të shkojnë sa 4,6 për qind e të totalit të të ardhurave. “Me dhënien e aprovimit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të projektit të fundit të ‘1 Miliard euro’ për ndërtimin e aksit rrugor Orikum – Dukat deri në vitin 2022 parashikohet që pagesat për PPP-të të kapin vlerën e 4.6 për qind të totalit të të ardhurave buxhetore që pritet të mblidhet në vitin 2021, nga 5 për qind që është limiti i lejuar ligjor.

Kësaj vlere mund t’i shtohen pagesat e paparashikuara në PPP-të ekzistuese dhe të reja, që kanë në qendër të tyre riskun e kërkesës si: rruga Milot-Morinë (rreth 400- 500 milionë lekë në vit), koncesionet në sektorin e shëndetësisë, koncesioni i aeroportit të Vlorës (4.5 milionë euro në vit për 7 vjet), koncesioni i ri i rrugës Kashar–Rrogozhinë, të cilat riskojnë shkeljen e këtij rregulli fiskal në 2022 e më tej”, thuhet në relacionin e buxhetit.

Nisur nga llogaritjet, Ministria e Financave propozon në draftin e buxhetit të vitit 2019 që për periudhën 2020-2030 të mos pranohet asnjë propozim i pakërkuar për koncesionet. “Të mos lejohet asnjë propozim për partneritetet publike- private që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të tërthortë buxhetin e shtetit në periudhën 2020- 2030. PPP-të e reja të parashikuara me tarifa për përdoruesin, të minimizohet apo eliminohet risku i mosplotësimit të kërkesës në mënyrë që limiti ligjor prej 5 për qind të respektohet rigorozisht përgjatë gjithë kohës”, thuhet në relacionin e buxhetit.

BORXHI PUBLIK

Ministria e Financave parashikon që borxhi publik të vazhdojë në trajektoren rënëse edhe për vitin e ardhshëm. Referuar draftit të projektbuxhetit në vitin 2019, borxhi publik pritet të arrijë 65,3 për qind. “Ky konsolidim fiskal synon që niveli i borxhit publik si raport ndaj PBB-së të vijojë trajektoren e sigurt rënëse të nisur që në vitin 2016. Borxhi publik pritet që të bjerë rreth nivelit 65.3 për qind të PBBsë në 2019, 62.8 për qind në 2020 dhe më tej në 59.9 për qind në vitin 2021.

Financimi i brendshëm dhe i huaj do të realizohen në përputhje me objektivat strategjikë për të ruajtur qëndrueshmërinë e raporteve ndërmjet kostove dhe risqeve dhe zhvilluar tregun e titujve shtetërorë. Shërbimi i borxhit në vlerë nominale do të shoqërohet në rritje, por me ritme relativisht më të ngadalta, krahasuar me të ardhurat në buxhet dhe rritjen ekonomike të vendit. Normat e interesit në tregun e titujve shtetërorë pritet të jenë në nivele të ulëta, të paktën deri në fund të 6-mujorit të parë”, thuhet në projektbuxhet.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura