Buxheti i ri, Ahmetaj: Ul taksat dhe borxhin publik

Oct 27, 2018 | 11:12
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Pas miratimit të projektbuxhetit dhe paketës së re fiskale nga qeveria, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një deklaratë për mediat informoi mbi treguesit kryesorë të buxhetit të ri.

ahmetaj kryeministria

Ahmetaj tha se buxheti i ri ul borxhin publik në 64,9 për qind dhe nivelin e deficitit në 1,9 për qind.

“Në tërësinë e tij, ky buxhet dhe paketa fiskale që e shoqëron reflekton vëmendjen e plotë të kësaj qeverie ndaj qytetarëve, qoftë në vazhdimin e konsolidimit fiskal, pra të uljes së borxhit të trashëguar ndër vite, qoftë rritjen e të ardhurave, qoftë dhe në rritjen dhe mbi të gjitha prioritetin e investimeve publike në favor të rritjes ekonomike. Në të njëjtën kohë, ajo që ne e përdorim si spirancën kryesore të shëndetshmërisë së financave publike, pra borxhi publik, në fund të vitit 2019 pritet të bjerë në nivelin 64.9 për qind. Deficiti buxhetor për vitin 2019 është planifikuar të jetë – 1.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është niveli më i ulët historik i deficitit buxhetor, që shkon me atë angazhim dhe mendësi të kësaj qeverie për të ulur ngarkesën e borxhit publik mbi shpatullat e qytetarëve”, u shpreh Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se të ardhurat buxhetore do të jenë 27.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Dikush mund të thotë çfarë janë këto përqindje. E kemi pasur, e kemi trashëguar dikur nën 25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto e ndërkohë kemi ulur taksat çdo vit”, u shpreh Ahmetaj. Buxheti i vitit të ardhshëm, sipas ministrit Ahmetaj parashikon rritjen ekonomike më të lartë në rajon.

tab

“Rritja ekonomike për vitin 2019 projektohet në nivelin 4.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Thënë ndryshe, vendi ynë, Shqipëria, planifikon të ketë një rritje dhe duke iu referuar raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore apo parashikimeve të institucioneve të tjera, ndër më të lartat në rajon”, tha ministri.

PAKETA FISKALE

Ministri i Financave Ahmetaj tha se paketa e re fiskale ul taksat për rrogat e larta dhe për biznesin. “Mbi 15 mijë punëmarrës përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi pagat e nivelit të mesëm dhe të lartë; 20 mijë biznese ose mbi 50 mijë investitorë të kapitalit nga ulja e normës së tatimit mbi dividendin, nga 15 për qind në 8 qind; mbi 50 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor nga incentivimi i fermerëve të bashkuar, inkorporuar; nga ulja e taksave të ndryshme si ajo e ambalazhit, e kërkuar me vite e vite, përfitojnë ulje kostoje dhjetëra operatorë të fushës; nga përjashtimet e parashikuara në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar lehtësohet veprimtaria e qindra operatorëve ekonomikë në industrinë e fasonit, makinerive bujqësore dhe farmaceutikës”, u shpreh ministri.

Buxheti 2019, rrugët ku do të mbyllen punimet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmtaj, deklaroi dje se fondet për infrastrukturën do të jenë në vlerën e 900 milionë dollarëve. Ministri u shpreh se me buxhetin e ri financohen 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për infrastrukturën. “Megjithëse jemi duke ulur borxhin publik, prapë do të kemi një nivel investimesh të konsiderueshme prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pra, qeveria si aktor ekonomik, nëpërmjet investimeve publike do të vazhdojë të investojë në nivele të konsiderueshme dhe në terma nominalë, investimet publike do të shkojnë rreth 900 milionë dollarë. Patjetër që infrastruktura merr pjesën e vet të konsiderueshme”, tha Ahmetaj. Kreu i Financave renditi rrugët që do të financohen me buxhetin e ri. “Do të vazhdojnë akset rrugore nacionale si Rruga e Arbrit. Pastaj kemi në procedurë Thumanë-Vorë-Kashar, Milot-Balldren; Orikum-Dukat. Vazhdimi i financimit për akset rrugore: Kardhiq-Delvinë, Lotet 4,5,6,7 Dhe 8, Fushë Krujë-Milot-Morinë, Qafë Thanë-LinPogradec, Unaza Verilindore e Tiranës, Unaza e Tiranës, Pallati me Shigjeta- Rrethrrotullimi Shqiponja ( me kënaqësi e them që do të bëhet një investim spektakolar, i një standardi pa asnjë mungesë krahasuar me standardet më të mira europiane, By-Pass Tepelenë, By Pass Shkodër, fillimi i tunelit Kardhiq-Delvinë, finalizimi i ndërtimit të linjës së hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas (Aeroport)”, tha Ahmetaj.

Më herët qeveria shpalli fituesit për dy by-passet, atë të Vlorës dhe Fierit. Ahmetaj tha se buxheti do të financojë edhe këto dy vepra në infrastrukturë. “Vitin tjetër do të bëhet i kalueshëm edhe by-passi i Fierit dhe do të avancohet puna në by-passin e Vlorës, e në mars apo prill do të bëhet plotësisht e kalueshme autostrada e Elbasanit, pas gjithë atij kalvari gabimesh në projektin e parë, ku kostoja shkoi gati 40 për qind nga tenderimi fillestar”, tha ministri.

RRUGËT QË DO TË FINANCOHEN NGA BUXHETI 2019

Rruga e Arbrit
Milot-Balldrem
Orikum-Dukat
Thumanë – Vorë – Kashar
Fushë Krujë-Milot-Morinë
Qafë Thanë-Lin-Pogradec
Unaza e Tiranës,
(Mbikalimi Kthesa e Saukut Bregu i Lumit
Rehabilitimi i Segmentit
(Pallati me Shigjeta-Shqiponja)
Rehabilitimi i Unazës Lindore loti 2,3
Elbasan-Banjë
Kardhiq-Delvinë
By-passi i Shkodrës
By-passi i Tepelenës
By-passi i Fierit
By-passi i Vlorës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura