Buxheti i mjerimit, irritimi dhe mosbindja civile

Dec 14, 2015 | 11:02
SHPËRNDAJE
Kastriot Islami
Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Buxheti 2016, në vijim të buxheteve 2014 dhe 2015 dhe korrigjimit të buxhetit 2013 në tetor 2013, mund të cilësohet: i) mashtrim në programim; ii) paaftësi në realizim; dhe iii) evazion e korrupsion në menaxhim nga ekipi qeverisës. Një buxhet mjerimi për qytetarët, sepse rrit varfërinë e papunësinë e nuk rrit pagat e pensionet. Një buxhet i rrënimit të ekonomisë, se ul shpenzimet dhe bazohet në rritjen e taksave.

Një buxhet antireformë, sepse mbështetet në gjoba e represionin policor. Një buxhet që e ka çuar ekonominë reale në koma e recesion. Një buxhet që po u shtrëngon rripin çdo ditë bizneseve, të cilat nën kërcënimin me burg e represion policor rezultojnë më “rentabël” të mbyllura sesa të falimentuara nën nënshtrim. Investitorët e huaj rezultojnë të kërcënuar dhe të prirur për t’u larguar nga pasiguritë ligjore e fiskale, ndërkohë që korrupsioni në rritje mbetet një nga armiqtë e tyre më të mëdhenj.

Një buxhet për të varfëruar dhe nënshtruar qytetarët, sepse vetëm kështu mund t’u blihet apo manipulohet më kollaj vota. Një buxhet për luksin dhe pasurimin e qeveritarëve. Janë pikërisht të gjithë këta tregues që i kanë bërë pa shpresë të gjithë shqiptarët që largohen masivisht në Europë e SHBA, duke ia kaluar Sirisë, Irakut dhe Afganistanit. Janë pikërisht këta tregues që i detyrojnë shqiptarët të protestojnë e të mos nënshtrohen; të cilëve mosbindja civile u mbetet e vetmja mënyrë reagimi demokratik ndaj dhunimit të përditshëm që qeveria aplikon mbi ta. Me Ramën, “kryeministrin më të urryer” në 25 vjet, shqiptarët do të vazhdojnë vetëm të irritohen. Largimi i tij është shpëtimi i vendit, qetësimi i demokratëve dhe socialistëve. Mosbindja është detyrë e shenjtë…

I.

Buxheti 2016, një buxhet rakitik e mediokër që ngjall irritimin e qytetarëve… Në vitin e tretë të qeverisjes së Rilindjes, maxhoranca po miraton një buxhet “rakitik” e dikush e cilësoi verdhacuk, më se të rëndomtë e mediokër (shih tabelën më poshtë). Kjo vjen nga fakti se për shkak të politikës së shtrëngimit të rripit me rritjen e taksave në dy vitet e para 2014-2015 dhe keqmenaxhimit, evazionit e korrupsionit në menaxhim, FMN e detyroi qeverinë të ulte në 2.2 për qind të PBB deficitin, sepse borxhi po rritej me ritme galopante për shkak të dështimeve dhe korrupsionit në grumbullimin e të ardhurave.

Kjo e detyroi qeverinë që edhe shpenzimet për 2016-n të mos rriteshin më artificialisht, madje në terma të PBB të rezultonin më të ulëta sesa para 3 vjetësh. Shifrat kryesore të buxhetit për 100 lekë prodhim të përgjithshëm bruto tregojnë regresin e performancës fiskale; disa prej tyre madje janë përkeqësuar shumë. Stoku i borxhit vazhdon të mbetet shumë i lartë (shih tabelën më poshtë), duke mbartur ende shumë rreziqe për stabilitetin makroekonomik.

Nga të dhënat e materialit që është dërguar në Kuvend, në opsionin më optimist të mundshëm, parashikohet e njëjta situatë po aq e brishtë deri në vitin 2018, ndërkohë që në realitet situata do të përkeqësohet me shpejtësi drejt krizës apo katastrofës ekonomike. Mosbindja është e vetmja mënyrë për ta penguar këtë rrëshqitje në humnerë.

II.

Vetëm mosbindja civile mund të ndalë regresin e rrënimin ekonomik… Duke iu referuar disa treguesve fiskalë, mund të arrihet në përfundimin se gjasat janë që situata fiskale të përkeqësohet.

Më konkretisht: Së pari, rritja ekonomike nga 2013-a e deri në 2016-n s’duket të kalojë vlerën mesatare prej 2 për qind në vit, për më tepër kjo është një shifër që rezulton artificialisht e zmadhuar për shkak të përdorimit të një metodike që prodhon shifër optimiste për rritjen ekonomike. Të gjitha teoritë dhe praktikat e vendeve si Shqipëria tregojnë se me këtë nivel rritjeje s’do të ketë mundësi as për rritjen e pagave, as për rritjen e pensioneve, as për rritjen e ndihmës sociale, as për rritjen e punësimit dhe as për uljen e borxhit…

Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare ngjan me gjendjen e një të sëmuri në spital, në gjendje kome, që merr vetëm serum, por nuk ka asnjë shpresë të përmirësohet, por që “familjarët” urojnë me inshallah të mos përkeqë- sohet, ndërkohë që edhe serumi mungon apo vidhet, kurse mjeku joprofesionist merret me punë të tjera… Pasqyrë e kësaj situate është konkretisht buxheti i vitit 2016, që s’parashikon as rritje pagash, as rritje pensionesh, madje për vitin e tretë radhazi… ndërkohë që vetëm në vitin 2015 janë larguar nga vendi rreth 100 mijë veta (kryesisht të varfër e të papunë) dhe rreth 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për lotarinë amerikane e presin të largohen me padurim…

Ky mund të konsiderohet i vetmi “sukses” i kësaj maxhorance, duke i detyruar të varfrit e të papunët të largohen nga vendi, me dy “favore”: i) zvogëlimi i varfërisë; dhe ii) ulja e numrit të qytetarëve që do t’i bënin presion qeverisë. E thënë ndryshe, kjo qeveri po i detyron shqiptarët ose të largohen, ose të nënshtrohen…

Së dyti, prodhimi i përgjithshëm në periudhën 4-vjeçare 2013-2016 rezulton i rritur me vetëm 1.2 miliardë euro nga 9.7 miliardë euro në 2013-n në 10.9 miliardë euro në 2016-n, ose me 12.3 për qind në terma realë, ku përfshihet edhe inflacioni. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë borxhi është rritur me rreth 1.5 miliardë euro…

Prej këndej del përfundimi i qartë se kjo qeveri nga shtatori 2013 deri në fund të 2016-s ka marrë më shumë borxh sesa ka siguruar rritje ekonomike. Kjo do të thotë ndryshe se i) stoku i borxhit është rritur në terma të PBB; dhe ii) ekonomia është përkeqësuar, përderisa për 1 euro të marrë borxh është realizuar vetëm 0.8 euro rritje e PBB. Kësaj i thonë se ekonomia po ha vetveten dhe po merr borxh thjesht për paga e pensione… Kjo e çon vendin drejt katastrofës…

I. Qytetarët e irrituar nga djallëzitë, mashtrimi, korrupsioni dhe paaftësia…

Arsyetimi se “fajin e ka paraardhësi”, i përdorur shpesh nga kjo maxhorancë gjatë 28 muajve të qeverisjes, është tashmë i pabesueshëm dhe i dalë boje, ndërkohë që mund të kishte njëfarë efekti vetëm në vitin e parë të qeverisjes. Ndërkohë që buxheti 2016 është buxheti i plotë i fundit për këtë qeveri, sepse buxheti 2017 është normalisht buxhet gjysmë elektoral.

Duke qenë se buxheti është programi më madhor i një qeverie, ai vlerësohet bazuar në 3 tregues:

i) aftësia për të programuar;

ii) aftësia për të menaxhuar; dhe

iii) niveli i evazionit e korrupsionit të kryer nga ekipi qeverisës.

Nga analiza e të gjithë treguesve rezulton se

i) programimi është i dështuar në çdo aspekt;

ii) menaxhimi është tejet i mangët për shkak të paaftësisë e klientelizimit; dhe

iii) evazioni, korrupsioni, kontrabanda, terrori policor ndaj biznesit e qytetarëve janë “cilësitë” e performancës së këtij ekipi. Një skaner profesional i KLSH-së për buxhetin faktik të 2014-s provon më së miri të tria këto përfundime.

II. Programimi është zëvendësuar nga mashtrimi dhe djallëzitë…

Çdo buxhet është korrigjuar dy herë gjatë vitit, madje brenda 3-4 muajve të fundvitit… Kjo tregon se ky ekip nuk është në gjendje, apo më saktë i paaftë e mediokër të programojë objektiva buxhetorë 1-vjeçarë, realistë që do të mund të realizoheshin. Kjo vjen jo vetëm nga paaftësia për të programuar, por vjen edhe nga djallëzia e hilet që shoqërojnë përgatitjen dhe paraqitjen e buxheteve. Teknologjia e kësaj qeverie e bazuar në mashtrim, është tashmë e qartë nga të gjithë:

i) në fillim të vitit programohet një buxhet me shifra të fryra të të ardhurave dhe shpenzimeve për t’iu paraqitur i zbukuruar publikut;

ii) pastaj ndryshohet dy herë në tre muajt e fundit të vitit për të pasqyruar realitetin, i cili rezulton i shëmtuar, por publiku nuk ka as kohë dhe as interes të merret me buxhetin e një viti më parë, sepse ka filluar të merret me buxhetin e vitit pasues; dhe

iii) pas një viti kur KLSH-ja bën raportin e performancës për menaxhimin e buxhetit faktik, bëhen përpjekje maksimale për të shmangur debatin për përkeqësimin e situatës, duke u përqendruar në sulme ndaj KLSH-së dhe vijuar t’ia hedhin fajin paraardhësit…

III. Menaxhimi bazohet në korrupsion, evazion e klientelizëm…

Për të provuar këtë cilësim, po merrem vetëm me taksat. Taksat janë rritur në tre vjet, duke pasur një ndikim në rritjen e barrës fiskale me rreth 500 milionë euro, ose mesatarisht me rreth 700 euro në vit për çdo familje. Këtë shtrëngim të rripit nuk kanë mundur ta suportojnë dot as qytetari e as biznesi shqiptar, duke bërë që shumë shqiptarë të largohen nga vendi, kurse shumë biznese të mbyllen.

Kjo ka bërë që konsumi të ulet ndjeshëm dhe për rrjedhojë programimi i të ardhurave nga Doganat e Tatimet për 2016-n të jenë afërsisht të njëjta me ato të programuara dy vjet më parë. Ndërkohë borxhi është rritur. Në periudhën 2013-2016 me 1.54 miliardë euro, ose me rreth 2000 euro për çdo familje. Kjo rritje e borxhit në vitet 2013-2016 është sa ¼ e të gjithë borxhit prej 7.8 miliardë eurosh të krijuar në 22 vjet. Nga ana tjetër, detyrimet e prapambetura i keni të pasqyruara në buxhetet 2014-2015 në vlerën 55 miliardë lekë, ose 400 milionë euro.

Shtrohet pyetja, për çfarë është përdorur pjesa tjetër e borxhit të rritur prej 1.6 miliardë eurosh? Po 500 milionë eurot që duhej të vinin nga rritja e taksave ku janë, apo nuk janë grumbulluar? Dhe përse?

IV. Ekonominë në prag të humnerës e largimin e FMN-së ta ndalojmë me mosbindje civile

Kjo qeveri i ka rritur taksat në periudhën 2014-2016 me rreth 500 milionë euro. Ka rritur borxhin me rreth 1.6 miliardë euro. Pra, qytetarët i kanë dhënë qeverisë nga xhepat e tyre rreth 2.1 miliardë euro, ndërkohë që qeveria ka paguar vetëm rreth 400 milionë euro detyrime të prapambetura nga qeverisja e mëparshme…

Shtrohet pyetja: Ku dhe si janë përdorur 1.7 miliardë eurot e tjera nga rritja e taksave dhe rritja e borxhit? Aq më tepër që KLSH-ja ka ngritur akuza të forta për evazion dhe korrupsion në menaxhimin e financave për vitin 2014. Nuk dinë se ç’bëjnë, prandaj duhen larguar nga drejtimi i vendit, të cilin po e hedhin në greminë. Dhe, së fundmi, por shumë e rëndësishme, është bërë një marrëveshje me FMN-në, por e rrezikuar nga një masë e marrë në panik nga vetë Kryeministri për të hequr taksat e biznesit të vogël.

Një masë idioteske dhe e rrezikshme për sistemin fiskal. Nëse kjo nuk tërhiqet, mundet që Bordi i drejtoreve të FMN-së të mos miratojë marrëveshjen me Shqipërinë. Kjo mund të kishte pasoja të rënda…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura