Buxheti 2018, për “tutorët” e qeverisë

Nov 30, 2017 | 10:24
SHPËRNDAJE

perparim-spahiu-1240x923-e1474379907667PËRPARIM SPAHIU

Shifra, taksa, koncesione, prioritete, PPP, paketë fiskale, akciza…janë disa nga termat e përdorura shpesh ditët e fundit, teksa populli i thjeshtë dëgjon seancat parlamentare në diskutimet për buxhetin. Qeveria përpiqet t’i bëjë sa më të pakuptueshme për publikun taksat e reja, aq sa edhe ekonomistët habiten kur dëgjojnë llojlloj argumentesh dhe mekanizmash për t’iu shmangur të vërtetës.

Jam tërësisht i bindur se, nëse del në rrugë dhe pyet një qytetar të zakonshëm, as nuk e ka idenë se sa taksa do të paguajë vitin e ardhshëm (2018), çfarë përfitojnë dhe çfarë humbasin, cila do të jetë situata e tyre ekonomike. Këto nuk i thotë asnjë, as vetë ministri i Financave, as Kryeministri dhe as anëtarët e tjerë të qeverisë, pasi ata flasin vetëm me përqindje, me statistika (që dhe këto në shumë raste dyshoj të jenë të vërteta) duke i futur qytetarët në qorrsokak. Me propagandë dhe fasadë, kjo qeveri ka arritur të hutojë njerëzit për 4 vite rresht.

Investon për sheshet e qyteteve, por ndërkohë ato frekuentohen nga të rinj të papunë, shton taksat në një kohë që nuk ka konsum, shpenzon qindra miliona euro për koncesione me vendim qeverie, por nuk rriti pagat as në nivelin e vendeve të rajonit. Buxheti i vitit 2018, absolutisht është vazhdimësi e buxheteve të katër viteve të kaluara, me të njëjtën filozofi dhe mentalitet.

Filozofi, e cila mund të përkthehet vetëm në dy fjalë, ose paqartësi dhe padituri për të ndërtuar një ekonomi prodhuese dhe që ofron shërbime, gjë e cila do të sillte më shumë punësim dhe mirëqenie, ose ajo që unë s’do të doja ta besoja, politikë e qëllimshme që të favorizonte mungesën e konkurrueshmërisë si një nga shtyllat bazë të një ekonomie të tregut të lirë, pra favorizimin e asaj që në ditën e sotme po quhet oligarki. Të njëjtën filozofi e vëmë re edhe në menaxhimin e buxheteve lokale (bashkive) ku refreni bazë është, rritja dhe vetëm rritja e taksave në kurriz të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe qytetarëve.

Sipas raportit “Doing Business” të vitit 2018 të Bankës Botërore, Shqipëria renditet në vendet me nivelin më të lartë të taksave në rajon për vitin 2017. Po sipas këtij raporti, bizneset shqiptare paguajnë si taksë 37,3 % të fitimit, ndërkohë që në Maqedoni bizneset paguajnë vetëm 13,2 % të fitimit. Asgjë nuk merret parasysh, as nga raporti i mësipërm, as nga rekomandimet e FMN-së dhe as ato të Bankës Botërore, por vazhdohet me të njëjtën filozofi, rritje taksash dhe masa represive. Vite më parë, ne si pjesë e aleancës me ta, i këshillonim që masat të shoqërohen me lehtësi fiskale, pasi vetëm kështu mund të shkonim drejt uljes së evazionit fiskal, që personalisht do ta quaja një tumor të ekonomisë shqiptare.

Kjo nuk ndodhi, madje të gjithë mbajnë mend spotin e Kryeministrit që me gjoba do të ndërtonte shkolla e spitale. Shqipëria renditet ndër shtetet me nivelin më të lartë të TVSH-së, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. Qeveria jo vetëm që nuk mendon për ulje apo minimalisht të ishte pro amendimit të kërkuar nga LSI-ja për uljen e TVSH-së për produktet e shportës, por me arrogancë propozon uljen e nivelit të TVSHsë nga 5 milionë në 2 milionë lekë për biznesin e vogël, me argumentin se kjo masë do të ulte informalitetin, pavarësisht se FMN është shprehur kategorikisht kundër këtij vendimi: “Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe efektiviteti i administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë.”- pohon FMN.

Kjo në linjë me amendimin e LSI-së për të lënë të paprekur pragun e TVSH-së për këtë kategori biznesi. Në të njëjtën linjë është edhe ulja e TVSHsë në 6% për hotelerinë luksoze. E kemi thënë edhe më herët që turizmi shqiptar nuk vuan çmimet e larta, por mungesën e infrastrukturës për të pasur një turizëm elitar. Një propozim i tillë është thjesht klientelist, që do të konkurronte padrejtësisht investimet e mijëra bizneseve në sektorin e turizmit, ku siç e thamë më sipër, nuk i kanë penguar politikat fiskale për të investuar në turizëm elitar, por infrastruktura, siç janë aeroportet, përfundimi i rrugëve, mungesa e ujit dhe energjisë elektrike në zonat turistike.

Sa për thithjen e investitorëve të huaj, ne jemi shembulli më i keq, jo vetëm në mosofrimin e politikave fiskale për krijimin e kushteve optimale për ta, por kemi krijuar kushtet në ekstremin tjetër ku mjaft biznese shqiptare kanë regjistruar dhe vazhdojnë të regjistrojnë kompanitë e tyre në Maqedoni. Alarm që ne e kemi ngritur tri vite më herët dhe sot besoj që quhet një betejë e humbur, pasi buxheti i ri dhe paketa fiskale që e shoqëron, vazhdon në të njëjtën linjë, atë të përqendrimit të ekonomisë shqiptare në pak duar.

Për sa i takon ndërhyrjes direkte të qeverisë në ekonomi, është gjetur gjoja zgjidhja, ajo e PPP-ve, instrument që në ekonomi dhe qeveri të konsoliduara ligjzbatuese janë efikase në sektor të veçantë të ekonomisë. Qeveria jonë duket se e ka zgjedhur si mekanizëm, përveçse propagandistik, të gjoja investimeve të mëdha që do të kryhen në të ardhmen, por dhe korruptiv, madje edhe me elementë të rrezikshëm të pastrimit të parave që do t’i kushtojë mjaft rëndë, jo vetëm buxheteve të viteve të afërta, por edhe atyre afatgjatë.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet moskalimi prej dy vitesh i amendimeve të kërkuara nga LSI për koncesionet dhe PPPtë, ku kryesore është që instrumente të tilla, kur kalojnë katër vite, të miratohen me transparencë nga Parlamenti. Sot në Parlament do të votohet ligji për heqjen e akcizës për pijet energjike, edhe pse me votën “kundër” të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Kujt i shërben ky ndryshim në Paketën Fiskale, pasi ishte pikërisht e njëjta qeveri, ku Ministria e Financave drejtohej nga socialistët, kur në vitin 2014 votuan vendosjen e akcizës për pijet energjike.

Ka një përgjigje, qeveria po u përgjigjet “tutorëve”, të cilët e sponsorizuan këtë qeveri për të ardhur në pushtet për herë të dytë, janë ata “tutorë”, të cilët bashkë me përfitimet nga hashashi arritën të blejnë vota, njerëz dhe dinjitet. Prandaj ky buxhet, që do të miratohet në Parlament bashkë me Paketën Fiskale, nuk do t’u shërbejë qytetarëve, por madje do të rëndojë më tepër pozitën e tyre ekonomike.

Ky buxhet, nuk është bërë për njerëzit e thjeshtë, por për një grup që njihen si “klientë” të qeverisë e që pasurohen me fonde publike. Ky buxhet nuk përafrohet as me rekomandimet e FMN-së apo të Bankës Botërore. Ky është buxheti i Kryeministrit dhe qeverisë së tij, të cilët kanë vendosur të lënë vetëm qindarka në xhepat e shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura