Bushati tregon negociatat me Greqinë për Detin: Meta ka të drejtë kur kërkon…

Jun 18, 2018 | 12:16
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shprehet se negociatat me Greqinë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të së kaluarës vijon dhe ky është një proces i pakthyeshëm.

Ai tha se është krejt normale që Presidenti të kërkojë informacione për ecurinë e negociatave, përderisa është ai që lëshon autorizimin.

bushati meta

Në cfarë pike janë negociatat me Greqinë?

Kësaj jave do ketë një takim tjetër me homologun Kotzias, ku do vazhdojmë diskutimin e gjetjes së një marrëveshje për delimitimin e zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do ketë edhe një takim tjetër të ekipit negociator. Është një proces që ka hyrë në një fazë të pakthyeshme, por shpresoj që të dyja palët kanë nevojë për një kohë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme dhe të drejtë dhe mbi të gjitha një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme.

Çfarë pikash kanë mbetur pezull?

Si në çdo negociatë, palët kanë pretendime të ndryshme. Në disa raste këmbëngulet për tu vendosur një precedent i caktuar, në disa raste të tjera për tu sqaruar çështje që nuk janë sqaruar më parë. Besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi, mund të thuhet se jemi në një rrugë pa kthim.

Kotzias tha se nuk do bëjë pushime. Po ju do bëni?

Jemi në kontakte të përditshme, edhe dje kam pasur një bisedë me të, me homologun maqedonas dhe Mogerinin. Kemi diskutuar edhe për këtë çështje. Besoj se ekipet tona janë me kapacitet të plotë. Koha është e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Ia keni dhënë të gjitha informacionet Presidentit sepse pas takimit të fundit me Ramën u tha që kërkohen informacione më të plota…

Është krejt normale që Presidenti të kërkojë informacione më shteruese. Ka një komunikim institucional dhe njerëzor për këtë çështje. Pas çdo raundi diskutimesh Presidentit i është vënë në dispozicion problematika e çështjeve të diskutuara. Mbi bazën e Kushtetutës është Presidenti ai që lëshon autorizimin, prandaj është e kuptueshme çdo kërkesë e tij.

Marrëveshja me Greqinë do të jetë para apo pas 28 Qershorit?

Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 28-29 Qershor e kanë gabim. Ne na intereson të mbyllim të gjitha çështjet me fqinjët tanë. kjo është një tezë që është hedhur nga opozita, e cila nuk gjen bazë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura