Bushati shtron iftar: Harmoninë ndërfetare e kultivuan paraardhësit tanë

Jun 14, 2018 | 10:03
SHPËRNDAJE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati shtroi një iftar me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal tek harmonia fetare në Shqiperi si një vlerë të cilën duhet të vijojmë ta ruajmë fort. Kreu i diplomacisë Shqiptare, duke i’u referuar shprehjes së Shën Agustinit “bamirësia nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë e munguar”, nënvizoi se edhe përpjekja e qeverisë shqiptare për modernizimin e shoqërisë duke vijuar drejt anëtarësimit në BE – jo si destinacion final por si proces i brendshëm reformimi, është shembull i rifillimit të një rrugëtimi të abandonuar.

65b9a996-d048-4b1f-b9bf-ce382c08b79d

Fjala përshëndetëse e Ministrit Bushati me rastin e Iftarit 2018

Të nderuar miq,

Mirë se keni ardhur në darkën e Iftarit. Muaji i Ramazanit është një  nga momentet më të shenjta të kalendarit vjetor të muslimanëve dhe një çast i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, të cilët para Zotit, kanë qëndruar gjithnjë bashkë dhe të pandarë.

Muaji i shenjtë i Ramazanit ofron një dhuratë të çmuar për njeriun.  Reflektimin dhe gjetjen e paqes brenda vetes. Aty ku fillon rrugëtimi i vërtetë i çdo besimtari dhe njeriu të mirë.

Ne shqiptarët jemi unikalë në qasjen tonë ndaj lirisë së besimit.  Shembujt për këtë janë të panumërt. At Gjergj Fishta, në kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” shkruante: “Edhe un frati tham t’vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n’krab; lidhem n’vargoj / E Shqipënin un’ nuk e l’shoj”.

Veçoria jonë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare ka lënë mbresa edhe te të huajt që kanë vizituar vendin tonë. Udhëtarja amerikane Rose Wilder Lain, tregonte për shtëpinë e një malësori katolik, ku buka ishte shtyrë deri pas mesnatës, për shkak të përkthyesit, Rexhepit, që ishte musliman. Meqë në shtëpi ata kishin vetëm mish derri, kishin dërguar dikë për të kërkuar ndonjë vezë a mish dhie, në fshatin tjetër, matanë malit. Kjo është fryma shqiptare e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare.

E megjithatë nuk mund të krenohemi vetëm me historinë e të parëve tanë. Para nesh shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje:

  • A jemi vallë sot pasardhës të denjë të të parëve tanë?
  • A mbartim vlerat për të cilat jemi dalluar motmoti?
  • A jemi na bijt’ e shekullit të ri në lartësinë e kohës dhe të sfidave të saj?

Të duash të bësh mirë dhe të dish të bësh mirë janë larg njëra-tjetrës. Qëllimi sado fisnik nuk garanton rezultatin. Por duke u nisur nga arritja e paqes brenda vetes dhe duke ndërtuar një shoqëri në themel të së cilës qëndron sundimi i së drejtës – mbase kështu do të mund të arrijmë diçka për të cilën pasardhësit tanë do të na kujtojnë – një shoqëri të hapur, të drejtë, solidare dhe një Shqipëri të denjë për të jetuar.

Drejtësia është guri themeltar i çdo shoqërie demokratike. Sikundër shprehej Shën Augustini,“bamirësia nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë e munguar”. Edhe përpjekja jonë për modernizimin e shoqërisë, duke vijuar drejt anëtarësimit në BE – jo si destinacion final por si proces i brendshëm reformimi, është shembull i rifillimit të një rrugëtimi të abandonuar.

Dhe në këtë rrugëtim komunitetet fetare kanë rolin e tyre për të luajtur. Nuk ka dyshim se feja mund të çlirojë energji pozitive. Roli i saj edukativ duke nxjerrë në pah më të mirën e njeriut do të bëjë që shoqëria jonë të krijojë vlera, të cilat prodhojnë drejtësi dhe mirëqenie.

Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis harmonisë fetare dhe shoqërive të shëndetshme. Harmonia sjell gjithpërfshirjen, fshin kufijtë dhe dallimet fetare, duke i rezistuar kështu më mirë ekstremizmit të çdo lloji.

Edhe në Kuran thuhet “Zoti po të kishe dashur do t’i kishte bërë njerëzit të një bashkësie, por ja që Ai krijoi bashkësi të ndryshme, që t’u jepte mundësinë për ta pranuar njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve”.

Harmoninë ndërfetare e kultivuan paraardhësit tanë, të cilët e kuptuan rëndësinë e bashkimit në vlera dhe jo të përçarjes në dogma. Nga mjedisi tolerant shqiptar lindi personaliteti i njohur Imzot Nikollë Kaçorri, arqipeshkv i Durrësit, me baba katolik që quhej Vokërr dhe nënë muslimane me emrin Mihane.

Liria e besimit është pikënisje e lirisë personale. Kjo qasje thellësisht humane dhe veçanërisht shqiptare dëshmohet nëpërmjet faktit historik se vendi ynë nuk njeh viktima nga luftra ndër-fetare.

Ata që thonë se shqiptarët janë të pafe, se nuk jemi të aftë të thellohemi në një besim të caktuar fetar, dua t’iu them se ngatërrojnë vullnetin e lirë me bindjen pa kushte. Dikur t’parët tanë kishin pak shkollë, por ama shumë mend. Sot duket sikur e anasjellta ndodh. Kjo më shpie ndër mend një thënie të Oskar Ëilde teksa i përgjigjej dikujt që kishte studiuar në Oxford, se “nuk ke qenë i aftë të marrësh frymën e universitetit të Oxford-it në tema intelektuale, domethënë, të jesh dikush që luan në mënyrë fisnike me ide dhe je mjaftuar vetëm me dhunën e opinioneve të ndryshme.” 

Në Shqipëri, tradita jonë e ka për zakon që Darka e Iftarit të ndahet me njerëz të feve e besimeve të tjera. Jo për sy e faqe, por sepse ndarja e bukës merr kuptim vetëm kur ajo ndahet me të gjithë. Iftari te ne nënkupton Iftarin ndër-fetar, ku të pranishëm janë muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë dhe njerëz të cilët besojnë te e mira.

Kështu dijmë ta festojmë ne Iftarin. Si shqiptarë të bashkuar. Si bij të Zotit. Siç e thotë dhe një proverb i lashtë, “Zoti është një, ndonëse të urtët e thërrasin me emra të ndryshëm”.

Sa për veten time, po mjaftohem me një thënie të dikut, moralist, eseist francez, Joseph Joubert i cili thoshte se e kuptoj Zotin, thjesht nuk di si t’ia shpjegoj tjetrit.

Ju faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura