Bushati: Reforma në Drejtësi, më e thella në gjithë rajonin

May 2, 2016 | 8:09
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i kupton kundërshtitë që vijnë nga gjyqësori për sa i përket Reformës në Drejtësi.

Ministri Bushati
Ministri Bushati

Në një intervistë dhënën seksionit shqip të “Deutsche Welle”-s, Bushati shprehet se ka marrë mbështetjen e Gjermanisë për këtë reformë, ndërsa këmbëngul se miratimi i saj nuk duhet të shtyhet asnjë ditë për shkak se ajo duhet të japë efektet e saj që do të bëjnë të mundur hapjen e negociatave.

Lidhur me Shqipërinë që shpreson sa më shpejt të marrë dritën e gjelbër për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, a keni ndonjë bilanc pozitiv pas bisedimeve në Berlin, ose më konkretisht, a keni një datë konkrete për një “po” të mundshme nga Brukseli?

Natyrisht që mora vlerësimet për punën përgatitore shumë të mirë që është bërë me Reformën në Drejtësi, përfshirë edhe ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. Gjermania e mbështet këtë proces. Tashmë na takon ne që ta përfundojmë, ta bëjmë realitet Reformën në Drejtësi dhe të fillojmë gradualisht të raportojmë mbi efektet e kësaj reforme. Besoj se rruga është krejt e qartë, na mbetet ne të çmontojmë atë që mund të konsiderohet si pengesë, pra, mungesën e bërjes realitet të Reformës në Drejtësi për të hedhur hapin drejt fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Z. Bushati, por në fakt kanë kaluar muaj, e ndoshta edhe vite që diskutohet për Reformën në Drejtësi, që është madje edhe kyçi për hapjen e negociatave – gjë kjo që artikulohet mjaft edhe në bisedat e vlerësimet që japin përfaqësuesit e BE-së, si dhe politikanë të ndryshëm, që ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri, nga vendet europiane e konkretisht edhe nga politikanët gjermanë. Përse e ka kaq të vështirë Shqipëria që ta kalojë këtë reformë?

Kjo është një reformë e thellë, tërësore, kirurgjikale dhe ndoshta është më e thella që është paraqitur ndonjëherë, jo thjesht për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit. Sepse sfidat që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës në ekonomi nuk janë sfida, me të cilat përballet vetëm shoqëria shqiptare, por të gjitha shoqëritë e vendeve të rajonit në rrugën e tyre të konsolidimit demokratik dhe integrimit në BE. Që në fillim ne vendosëm që këtë reformë ta bëjmë me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare: ka pasur një opinion paraprak nga ana e Komisionit të Venecias bazuar mbi punën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces (ekspertë të Komisionit Europian, të Këshillit të Europës, të BE-së dhe vendeve të ndryshme që janë me projektet e ndryshme të binjakëzimit, ekspertë të qeverisë amerikane). Më pas mbi bazën e opinionit paraprak të Komisionit të Venecias është punuar nga autoritetet shqiptare dhe vetëm para pak javësh Komisioni i Venecias ka miratuar në mënyrë përfundimtare opinionin e vet mbi tekstin e Reformës në Drejtësi. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për ndryshime të thella kushtetuese për parashikimin e institucioneve të reja në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kontrollit të gjyqtarëve e prokurorëve të karrierës. Pra, nuk bëhet fjalë për një reformë kozmetike, por për një reformë shumë të thellë. Është e natyrshme që procesi paraprak të marrë kohën e vet si procesi i konsultimeve, edhe procesi i pjekjes së një kompromisi politik, që është shumë i nevojshëm, për ta kaluar këtë reformë. Por mbi të gjitha edhe për të prodhuar efekte pozitive në praktikë: si kundër kundërshtitë që mund të vijnë nga segmente të caktuara të gjyqësorit janë deri diku të kuptueshme për shkak të thellësisë dhe impaktit që pritet të ketë kjo reformë.

Po, por nëse Shqipëria është e vendosur të marrë sa më parë “Ok” për negociatat me BE-në, atëherë ajo duhet të jetë e vendosur edhe për ta çarë këtë bllokadë që krijojnë struktura të ndryshme mes njëra-tjetrës për interesa të caktuara. A ka, pra, një axhendë kohore qeveria për ta përmbyllur këtë proces?

Natyrisht që ka një axhendë kohore. Në rast se do ta shihja të lidhur ngushtë në mënyrë strikte me afatet që imponon hedhja e hapit të radhës në procesin e integrimit, që do të ishte sigurimi i një rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE nga ana e Komisionit Europian, atëherë do të thosha që Reforma në Drejtësi apo pjesa kryesore e saj që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese dhe me kuadrin kryesor legjislativ, ajo duhet që të miratohet mundësisht qysh sot, pra, mundësisht sa më parë, për t’i dhënë mundësi Shqipërisë që të fillojë të prodhojë dhe të komunikojë me partnerët ndërkombëtarë efektet e para të reformës. Ne si qeveri, si shumicë parlamentare, jemi përpjekur dhe duam të nxisim edhe opozitën për t’u përfshirë në mënyrë të njëmendë në këtë proces, për ta miratuar sa më parë këtë reformë. Besoj se është i njohur fakti që Kryeministri Rama ka bërë një ftesë publike për kryetarin e Partisë Demokratike, Basha. Leximi im për ftesën që ka bërë Kryeministri Rama është dialog, dialog, dialog dhe cilësi, cilësi, cilësi për sa i përket Reformës në Drejtësi. Puna në komision ad hoc parlamentar për Reformën në Drejtësi duhet të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që reforma të kthehet në realitet. Çdo vonesë që vjen në këtë drejtim nuk ka diskutim që është e dëmshme, jo thjesht për zbatimin e reformës, por është e dëmshme për perspektivën e shoqërisë shqiptare.

Z. ministër, pra, a do të mbyllet ky proces brenda vitit 2016, sepse më 2017 do të ketë zgjedhje në Shqipëri. Qeveria juaj është në prag të zgjedhjeve dhe të ndryshimeve të mundshme që mund të sjellin ato?

Ne do të dëshironim që Reforma në Drejtësi të përmbyllej sa më parë. Kur them sa më parë, d.m.th. mundësisht qysh sot, dhe vullneti ynë është i palëkundur në këtë drejtim. E gjithë puna, pra, është bërë në këtë drejtim, përfshi ekspertizën vendase dhe atë ndërkombëtare, komunikimi me shoqërinë akademike dhe universitare në këtë proces janë shenja të qarta që dëshmojnë gatishmërinë tonë. Kur ju më pyesni a do të mbyllet brenda 2016-s, unë mund t’ju them që do të ishte shumë vonë. Çdo ditë që kalon në këtë proces është vonë. Është vonë për zhvillimet demokratike në vend, është vonë në raport me mundësitë që ofron procesi i integrimit europian me dritaren e mundësisë që ekziston për të marrë rekomandimin nga ana e Komisionit Europian që këtë vit. Por, nga ana tjetër, duhet të kuptojmë që kjo është një reformë, e cila në finale kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk mjafton thjesht vetëm vullneti i qeverisë apo i maxhorancës parlamentare, por duhet që edhe pakica parlamentare të përfshihet dhe të japë kontributin e saj në arritjen e një teksti të dakordësuar, që do t’i jepte mundësi Shqipërisë të fillonte me implementimin e vërtetë të kësaj reforme.

Lidhur me raportet Shqipëri-Serbi: pas vizitave reciproke që zhvilluan dy kryeministrat, respektivisht në Beograd dhe Tiranë, që u konsideruan si historike, pikërisht në këto vizita dolën sërish në pah edhe qëndrimet diametralisht të kundërta sa i përket Kosovës. A ka ndërkohë ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim, ose së paku tani pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, a prisni lëvizje pozitive lidhur me këtë çështje?

Besoj se dy vjet nga inicimi i procesit të Berlinit mund të konstatohet lehtësisht një normalizim i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, qoftë me këmbimin e vizitave të nivelit më të lartë në shtatë dekadat e kaluara, siç ishte këmbimi i vizitave ndërmjet dy kryeministrave Rama dhe Vuçiç, përkatësisht në Beograd e Tiranë, instalimi i konsultimeve qeveritare në nivel trepalësh Shqipëri-Itali-Serbi, në nivelin e ministrave të Jashtëm, që ne duam ta zhvillojmë edhe në sektorë të tjerë të një rëndësie strategjike, apo të një interesi të përbashkët kryesisht në fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Por marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë duhet të shihet në mënyrë realiste, sepse diferencat ekzistojnë. Në fakt, ato nuk janë thjesht diferenca ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por janë diferenca që kanë të bëjnë edhe me përkatësinë dhe vokacionin, sepse në rastin tonë ne jemi të orientuar qartësisht për nga vlerat euroatlantike, çka e dëshmon përkatësia jonë si pjesëtarë të familjes euroatlantike dhe dëshira jonë për t’u anëtarësuar në BE. Besojmë që edhe zgjedhjet e fundit në Serbi janë një tregues që Serbia po shkon drejt normalitetit dhe drejt këtij vokacioni. Ne do të kemi mundësi besoj në Paris të shohim, të bëhemi dëshmitarë të firmosjes së nismës së bashkëpunimit rinor në rajon. Kjo është një nismë, e cila u hodh në tryezë si propozim i Kryeministrit Rama e Vuçiç me mbështetjen e Kancelares Merkel me fillesat e procesit të Berlinit. Kjo është një nismë, e cila do të ketë selinë e saj në Tiranë dhe ne presim që në muajt dhe ditët në vijim të kemi një shkëmbim më të intensifikuar të të rinjve në rajonin tonë, çka do të ndikonte jo vetëm në reduktimin e stereotipeve negative, por edhe në përmirësimin e klimës dhe në rigjenerimin e kontakteve në rajon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura