Bushati i përgjigjet Berishës: Isha nipi i Hysni Kapos, s’erdha me valixhe druri për t’u bërë anëtar partie

Jan 10, 2016 | 10:20
SHPËRNDAJE

Andi Bushati i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit, Sali Berisha për akuzat e këtij të fundit në Facebook. Bushati, i cili i ndan në tri pika akuzat e Berishës, sjell dhe një histori të vjetër me ish-kryeministrin në Bllok.

Akuzat e Berishës kishin të bënin me një shkrim në faqen “Lapsi.al”, ku flitej për arsyet që çuan ish-kryeministrin në akuza të forta ndaj Blendi Fevziut. Bushati që akuzohet si “maska e Lapsit”, thotë se shkrimi nuk është shkruar prej tij por është një punë stafi. Ai shpjegon edhe motivet e tjera më të rëndesishme që e bënë t’i përgjigjet Sali Berishës, e njëra prej tyre, për epitetin “I miri i gjyshes” që ka të bëjë me familjen nga ai vjen dhe me përkatësinë e saj në udhëheqjen e lartë komuniste të vendit. Për këtë, Bushati shkruan:

berisha-ballisti-andi-bushati-baton-haxhiu

“Të vijmë tek pika tjetër tek etiketimi si “i miri Gjyshes” që ai po e përdor shpesh e më shpesh, për mua, aq sa u shndërrua edhe në një estradë batutash me Edi Ramën në parlament. E dëgjova atë seancë ku dy liderë silleshin si karagjozë. Sejcili me gënjshtrat dhe hipokrizinë përkatëse. Të dy e akuzonin njëri- tjetrin për lidhje me komunizmin, çka është gjëja më e parëndësishme që publiku pret sot prej tyre. Berisha e akuzonte si biri i të atit. Rama i kujtonte shërbimin si mjek pranë familjes sime dhe lotët që Saliu, sekretar partie, kish derdhur çurk kur kish vdekur im gjysh, Hysni Kapo.

Natyrisht që kjo histori nuk është e vërtetë. Por, pyetja që unë kam sot është: përse ato duhet të dalin sot në sipërfaqe? Kujt i shërbejnë në mënyrën si artikulohen? Kush ka interes për to?”, shkruan Bushati.

Ai shton se Sali Berisha “e ka përdorur antikomunizmin e tij të vonuar si një armë hipokrite për të luftuar kundërshtarët e tij politikë. Ai që në fillim nuk qe një desident antikomunist që kërkoi përmbysjen e atij regjim. Ai qe aspirant për tu ngjitur në hierarkinë e tij. Edhe kur u zgjodh në krye të lëvizjes demokratike u katapultua aty, « për ti ngrënë mishin, por për ti ruajtur kockën » kastës së vjetër. E kreu me sukses këtë rol, të projektuar nga Ramiz Alia, dhe u bë mishërimi i vullnetit të tij që ndryshimi i rregjimeve të mos bëhej nga shtresat e përmbysura (armiqtë e vërtetë, ballistët zogistët, të burgosurit politikë, të cilëve komunistët e atëhershëm u trembeshin si djalli temjanit )”.

Sipas Bushatit, “nuk besoj se Berisha u bë një agjent i ish komunistëve në regjimin e ri. Larg asaj. Ai qe i sinqertë në rrugën e re, madje u bë aq i zellshëm në të, sa jo vetëm harroi idealet, miqtë dhe padronët e vjetër, por edhe i burgosi ata. Por një cen i mbeti ama. Si fabula e hajdutit që thërret kapeni hajditin, edhe ai i klithte : « Komunist » gjithëkujt që kishte kontribuar shumë më pak sesa ai vetë, në triumfin e rrevolucionit botëror. Kjo është fatkeqësia dhe hipokrizia e tij. Kjo është fabula që ai përsërit prej 25 vjetësh.

Tani nga fundi, viktimë e kësaj fabule rashë edhe unë, pjella e komunistëve dhe “i miri i gjyshes”. Terma të përdorur si gjithnjë në mungesë të argumentave dhe në pamundësi të debatit. Duke dëshmuar rënien në batakun e komunistëve më të këqij, atyre që ndryshojnë lëkurë, por nuk e harrojnë asnjëherë, luftën me kundërshtarin, përmes biografive”.

Teksa për etiketimin “i miri i gjyshes”, Bushati shton: “Dhe sa për biografi unë “i miri i gjyshes” kam një ndryshim nga “akuzuesi” im. Po, unë vëret kam lindur në bllok, por duke më bërë këtë lojë, fati më shpëtoi nga një shtrëmbërim i madh, të mos lëpij prapanicën e gjithkujt për tu futur deri aty.

Po vërtet unë nuk jam rriturr në bjeshkë, por fakti se kam qenë fëmijë i një falilje pjesë e nomenklaturës më të lartë komuniste, më shpëtoi nga zvarritja me valixhe druri në dorë, për tu bërë me çdo kusht anëtar i PPSh-së. Me shokët e mij të shkollës ne talleshim me këta arrivistë të ngjitur që i ngjanin Andon Ledhit.

Po, unë jam rritur në oborrin e rregjimit që shkoi, por shpërfillja fëmijërore ndaj idhujve, më bëri që të kem shumë më pak foto me ngjyra dhe metra filmime, me personazhet e asaj kohe, sesa ata që duan të më përgojojnë sot.”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura