Burri im është gay! Po i yti?

Apr 10, 2015 | 11:31
SHPËRNDAJE




U zbulua lehtë. Sigurisht, duhet gjithnjë një rastësi të të çojë në rrugën e duhur (d.m.th, atë të vërtetën, pastaj nëse është e duhura!), por pjesa tjetër ishte fare e thjeshtë. Po të jesh gjithnjë i vëmendshëm, bën edhe pa atë punën e rastësisë, por nëse nuk e ke atë tipar, të duhet shansi. Kështu ndodhi edhe me këtë rast. Ata ishin martuar prej tri vitesh. Jo se kishte qenë nga ato dashuritë e papërmbajtshme; më shumë një konkludim logjik për vitet që i prisnin. Megjithatë, nuk ishin as shpërfillës njëri ndaj tjetrit. Kishin krijuar një raport që, të paktën ajo, e konsideronte të qëndrueshëm. Udhëtimet e tij të punës, për shembull, nuk shoqëroheshin me skenarë në kokë nga ana e saj. Ai nuk kishte shumë miq, ose të paktën, jo që t’i bënte të njohur të familjes. Nga ana tjetër, kjo ishte më e “gjendur”; mbase për këtë të afërmit e ndjenë si detyrim kur për së pari e vunë në dijeni për praninë e çuditshme të të shoqit në një komunitet homoseksualësh. I treguan se qenkërka një aplikacion lehtësisht i shkarkueshëm në telefonat e të gjithëve, ku anëtarët janë vetëm meshkujt që kërkojnë të njohin njëri-tjetrin, duke parë edhe mundësinë e vijimësisë së marrëdhënies. Grindr, siç quhet, është pra, vetëm pika e takimit. Emrat e aplikantëve janë të shoqëruar me fotografinë që secili zgjedh të identifikohet. Pak a shumë, siç funksionojnë të gjitha rrjetet sociale, veçse është i drejtuar… Ajo nuk besoi asgjë nga ato që i thanë, por nuk mundej as që ta largonte nga mendimet. Jeta e tyre seksuale mbase nuk ishte nga më të mirat, por nuk ndiente as që duhet të ankohej. Dhe, përveç atij që ia tha (natyrisht anëtar) me kë ta bisedonte të gjithë këtë?! Zgjodhi një nga shoqet që iu duk e duhura për ta ndihmuar në punën investigative që do të vijonte më pas. U regjistrua edhe vetë në këtë adresë, duke u paraqitur si mashkull. Natyrisht që këto i bëjnë e i kanë bërë të gjithë, nuk është asnjë zbulim, por i kanë bërë kryesisht për të gjetur dashnoren e burrit, jo dashnorin. Meqenëse vetë nuk ishte e zonja ta kontrollonte rrjedhën e bisedës, ia la shoqes komunikimin fillestar. Ç’ta zgjasësh! Djaloshi nuk i kurseu asgjë vetes në prezantim përfshirë edhe informacionin se e “ushtronte” pasionin prej vitesh. Kohë kur ata të dy ende nuk ishin njohur. Meqenëse qëllimi i këtij shkrimi nuk është fundi i çiftit në fjalë, nuk po merremi me detajet e ndarjes së tyre. Kjo histori shërbeu për të parë se “burri” nuk ishte i vetmi! Për të kuptuar se, nëse po aktivizohet nuhatja për “grua tjetër”, ajo nuk është grua. Sa e sa të tjerë, njësoj si ai, njiheshin virtualisht pasi kishin vënë gruan në gjumë. Zhbiriluesit e këtyre strehëzave, natyrisht edhe anëtarë aktivë të faqes (ose pasivë) tregojnë se është e panumërueshme shifra e pjesëmarrësve me jetë të dyfishtë. Dhe nuk është fare rasti që të bindni veten për të kundërtën, duke iu referuar tipareve apo gjesteve fizike. Nëse ndonjërit nga komuniteti gay i shkrep të kërkojë fonde sepse ndihet i cenuar nga ky shkrim, le të mos lodhet sepse nuk i drejtohet fare atij. Janë të lirë të lodrojnë si të duan edhe pse me kohën (sepse situata po rëndohet vazhdimisht) do jenë ata “qëllimi” i gruas, jo më dashnorja. Vajza, gra, nuk është e thënë që të mos flini në shtratin tuaj të përbashkët sot në mbrëmje! Vetëm, kontrollohuni në mëngjes…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura