Burrë & grua + 3

Apr 1, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE
edmond-tupjaEDMOND TUPJA
Po, vërtet, pardje, në një supermarket mbresëlënës deri në shtangie gati në zemër të kryeqytetit, ata ishin pesë: burrë e grua me tre fëmijët e tyre të gjinisë mashkullore.
Dukeshin të lumtur: ai i kënaqur, sidomos nga vetvetja – biznesmen, deputet, ministër apo ndoshta (zëvendës) kryeministër i ardhshëm? – ajo e kënaqur gjithashtu, por krenare sidomos për të shoqin, tre fëmijët e gëzuar, gati të lumtur si në ëndërr sepse, me shumë gjasë, asgjë nuk u mungonte! Po, vërtet që edhe unë, krejt rastësisht, ndodhesha fare pranë atyre dhe nuk po i njihja, por pasi e shtrydha dhunshëm kujtesën, m’u kujtuan emrat e tyre: ai, zoti T. Rapi, ajo zonja P. Rapanica – si grua e emancipuar, ajo mban besnikërisht mbiemrin e vajzërisë – dhe ata, pra fëmijët, me emra futbollistësh të huaj botërisht të njohur.
Gjithsesi, ndodhesha aty, në atë goxha supermarket modern të sapopëruruar, më saktë në repartin e detergjenteve, thjesht si në një muzeum, kur veshët e mi deri diku ende të mprehtë (veçanërisht i djathti dhe kryesisht i majti) kapën rastësisht një bisedë që kishin nisur tre fëmijët e tyre tek qëndronin para disa rafteve me rrotullame letrash higjienike të ngjyrave të ndryshme e fort tërheqëse. “O ma’, unë e dua me erë pjeshke!”, “Kurse unë, o ma’, e dua me erë luleshtrydheje”, “Mua më pëlqen me erë mangoje, o ma’, si gjithmonë”.
Ah, sa fëmijë të mrekullueshëm që ishin: të bukur, të pastër, të sjellshëm, me shije shumë, shumë të hollë: e donin letrën higjienike me erë frutash! Sa nivel i lartë ndjeshmërie, më falni, doja të thosha, sensibiliteti (apo “seksibiliteti” siç mund të ishte shprehur në këtë rast ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi). Ndoshta u shpreha gabim duke shkruar “me erë frutash”, sepse, më i saktë më duket togfjalëshi “me shije frutash”, a thua se ata fëmijë do ta hanin me ëndje letrën higjienike në fjalë! E ç’faj kanë ata se ka sot plot fëmijë familjesh të varfra që me siguri, pasi kryejnë nevojat vetjake, nuk përdorin letër higjienike, por letër gazete.
Dhe befas m’u kujtua fëmijëria ime fort e largët, kur shqiptaret e shqiptarët, në qytete kryesisht, fshiheshin përgjithësisht me letër gazete, veçse duke treguar kujdes që letra e përdorur në këtë mënyrë të mos kishte ndonjë fotografi të diktatorit apo të ndonjë anëtari të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse, në rast identifikimi të pronësisë së lëndës fekale mbi fotografinë në fjalë, pronari i kësaj lënde rrezikonte shumë, ai vetë, por edhe familja e tij (Meqë ra fjala, im atë, sa herë shkonim në stadium, e zgjidhte pa fotografi gazetën që do të shtronin, para se të zinim vend, për të mos ndotur pantallonat!).
Befas, më shkrepi një mendim: Po sikur e vërteta të ishte krejt e ndryshme? Po sikur, meqë, siç thuhet e shkruhet prej qindra vjetësh, “e vërteta del nga goja e fëmijëve”, pra, po sikur jo vetëm fëmijët e ministrave, e deputetëve, e biznesmenëve, por edhe prindërit e tyre, të jenë jo vetëm mendërisht, por edhe fiziologjikisht ndryshe, krejt ndryshe nga ne të tjerët, të përditshmit, të zakonshmit, të rëndomtit, me një fjalë anonimët? Po sikur ata ta kenë shumë më të zhvilluar, më të hollë, më të ndjeshme, më aristokratike, më qiellore shqisën e të nuhaturit?
Me një fjalë dhe shkurt fare, po sikur të pasurit, të kamurit, milionerët e sidomos miliarderët, midis të cilëve edhe jo pak politikanë e baballarë të kombit tonë kryelartë, të kenë edhe një hundë tjetër, d.m.th. jo vetëm atë hundë që ne të tjerët, me prejardhje nga majmuni, kemi në mes të fytyrës? O tmerr, llahtar e lemeri! Një hundë hyjnore të fshehur midis vitheve? U kërkoj vërtet ndjesë e superndjesë lexueseve e lexuesve të mi seriozë me sy e veshë skajshmërisht të moralshëm që, dashur, padashur, po i kall në mendime sadopak skatologjike, por faji nuk është imi, sepse, po e përsëris, e vërteta del nga goja e fëmijëve, qofshin këta bij e bija vipash (në fushën e politikës a në atë të ekonomisë) apo bij e bija vdekatarësh pa emër, pa famë e pa më të voglin pushtet. Së fundi, më duhet të pranoj që historia që sapo rrëfeva nuk është aspak e sajuar, anipse sot jemi më 1 Prill, Dita Ndërkombëtare e Gënjeshtrave!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura