“Burra me flokë si të grave…”- Zbulohet urdhri i Kadri Hazbiut: Ndalohen të hyjnë në RPSH-së persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, bien ndesh me moralin tonë socialist

Jun 21, 2022 | 8:04
SHPËRNDAJE

9d408373-992f-451e-a446-a841bedc000dDashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen disa dokumente që i përkasin vitit 1973, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, me disa kritere që duhet të zbatoheshin për të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e jashtme të tyre, si flokët e gjata, basetat etj., që “binin ndesh me normat e moralit tonë socialist”, si dhe ndalimin e literaturës fetare që ata mund të dispononin, etj. Si dhe dokumenti me raport-informacionin e Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, drejtuar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ngjarjen e datës 20.7.1973, ku një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel”, të Gjermanisë Perëndimore, në përbërje të të cilit ishin 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas, u ndaluan të hynin në Doganën e Hanit të Hotit, pasi dispononin literaturë fetare, etj.

Dokumenti i vitit 1973 me urdhëresën e ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, lidhur me disa kritere që duhet të plotësonin të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e tyre të jashtme, si flokët e gjata, basetat etj.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME    

Nr. 479

Ekzemplar Nr. 1

                                                                                           Tiranë më 4.5.1973

                                                                       K R I T E R E

 MBI NDALIMIN E HYRJES NË RPSH-së SË SHTETASVE TË HUAJ QË NË VESHJEN DHE PARAQITJEN E JASHTME BIEN NË KUNDËRSHTIM ME NORMAT E MORALIT TONË SOCIALIST

Për të ruajtur rregullat e paraqitjes në vendin tonë socialist, si dhe për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSH-së për arsye të ndryshme, si dhe nëpërmjet literaturës që ata sjellin me vete, të zbatohen kriteret e mëposhtme :

1 – Të mos lejohen të hyjnë në RPSH-së të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p.sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde dhe maxifunde.

2 – Të mos lejohet kalimi i asnjë lloj literature me përmbajtje kundërrevolucionare, fetare, e pornografike. Kjo lloj literature, të mbahet në dogana dhe nëse poseduesi i tyre i kërkon, t’ju jepet në kthim.

3 – Literatura teknike, kulturore, e artistike, lejohet për të gjithë të huajt që vijnë në vendin tone, në masën e një ose dy copë librave apo revistave që pretendohet se janë në përdorim personal. Ndërsa sasia tjetër e kësaj literature, ndalohet dhe niset menjëherë në Drejtorinë e Doganave e cila, mbasi bën verifikimet në bazë të rregullave e dërgon këtë pa vonesë në institucionin ose dikasterin që pret të huajin.

4 – Personat me përmbajtje të papërshtatshme dhe ata që sjellin literaturë në ndaluar duhet të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të kulturuar nga organet kufitare dhe doganore, duke ua bërë të qartë arsyet përse merren këto masa. Të gjithë ata të huaj që do të korrigjojnë në vend, paraqitjen dhe veshjen e tyre, lejohen të hyjnë në territorin e RPSH-së.

5 – Organet kufitare e doganore, nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikat 1. 2. dhe 3.

A – Për diplomatët e akredituar në RPSH-së dhe nëpunësat e përfaqësive diplomatike e tregtare, si dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre.

B – Për funksionarët e Ministrive të Punëve të Jashtme, korrierët diplomatik të vendeve të huaja që kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë.

6 – Organet kufitare dhe doganore nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikën 1.

A – Për anëtarët e delegacioneve zyrtare që priten nga dikasteret ose institucionet e ndryshme të vendit tonë.

B – Për pjesëtarët e ekipeve sportive që vijnë me ftesën e vendit tonë ose, në kuadrin e takimeve sportive ndërkombëtare.

Personat që përmenden në pikën 5 dhe 6, do të lihen të lirë të kalojnë kufirin e vendit tonë, pavarësisht nga paraqitja e tyre. Në raste të tilla pikat e kalim kufirit dhe organet doganore në mënyrë të kulturuar, u vënë atyre në dukje se rregullat e vendit tonë, nuk lejojnë një paraqitje të tillë, megjithatë ju jeni të lirë të kaloni.

Krahas kësaj për çdo rast ato, u dërgojnë sa më shpejt organit të tyre epror një informacion të hollësishëm mbi këto konstatime.

Informacioni i përcillet institucionit pritës i cili, i merr vetë masat për rregullimin e paraqitjes së tyre.

MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME

              KADRI HAZBIU

Dokumenti i Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë në Tiranë, me raport-informacionin Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, dërguar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me bllokimin në në Doganën e Hanit të Hotit, të një grup turistësh nga Gjermania Perëndimore

REPUBLIKA POPULLOR E SHQIPËRISË

MINISTRIA E TREGTISË

DREJTORIA E DOGANAVE 

Nr. 307 Prot

Tiranë më 21.7.1973

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së

                                          DREJTORISË SË JASHTME

                                             T I R A N Ë

Ju njoftojmë se më 20.7.1973, në orën 16.00 në doganën e Hotit, mbërriti një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel” të Gjermanisë Perëndimore, i përbërë prej 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas.

Sipas procedurës së caktuar ata, u pyetën nëse kishin materiale propagandistike. Të gjithë ata dorëzuan gazeta e revista të ndryshme, me përjashtim të Jean Etien, lindur në Nechen të Luksemburgut, i cili nuk deklaroi asgjë.

Nga të dhënat që u morën aty për aty nga punonjësit e Doganës, u vendos kontrolli i imët i të përmendurit dhe ju gjetën, 70 broshura të lutjeve fetare në gjuhën franceze, 50 broshura të lutjeve fetare në gjuhën gjermane, 120 pamflete me fotografi të Krishtit në dy forma, si dhe 50 fotografi të Krishtit të përgjakur, të shtypura në Belgjikë.

Po kështu në një zarf në adresë të shokut Enver, ju gjetën 5 fije brenda, 10 fotografi të Krishtit, 8 thirrje fetare, dhe 5 fletë kopjative.

Mbas kontrollit ai deklaroi se këto materiale, do t’ja shpërndante turistëve të huaj në vendin tonë, dhe letrën do t’ja jepte Enver Hoxhës.

Në këto kushte punonjësit e Doganës së Hotit, e nxorën atë përpara grupit të të gjithë turistëve të huaj të cilëve, ju fol për shkeljen e rregullave të vendit tonë, dhe të gjithë njëzëri kërkuan që ky person të kthehej mbrapsht.

Pavarësisht nga kërkesa e grupit, sipas rregullave tona ky person, do të kthehej dhe u vendos kthimi i tij. Ndërsa të gjithë të tjerët u vendos që të ktheheshin në Tiranë, duke ju dhënë edhe materialet e lejuara, ndërsa materialet e tjera, ju ndaluan për t’jua dhënë në kthim. Jean Etien, mbasi ju komunikua kthimi i tij, u largua në Jugosllavi, pa thënë asgjë.

Bashkëngjitur ju dërgojmë zarfin që i drejtohet shokut Enver, së bashku me materialin që ka brenda, si dhe nga një kopje të materialeve të tjera që, ai la në Doganë. Memorie.al

Drejtori i Doganave

                                       Edip Çuçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura