Burokracitë e OSHEE çuan në burg babain e fëmijës së sëmurë. Kompania: S’tolerojmë lidhjet e paligjshme. PD: Po bëhet një organizatë kriminale

Feb 22, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE
UPDATE-Pas deklaratës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se PD mbron fenomenin e vjedhjes së energjisë, ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke thënë se OSHEE po kthehet dita-ditës në një organizatë kriminale, përgjegjëse për dhunimin sistematik të qytetarëve, dhe deri më sot shkaktare e drejtpërdrejtë e humbjes së disa jetëve.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD thotë se OSHEE është një mashë e verbër në duart e Edi Ramës dhe se po aplikon çdo ditë të njëjtën filozofi, errësirën dhe burgun për të pamundurit, dhe sulmet ndaj opozitës. “Arbitrariteti i OSHEE vuri në rrezik jetën e djalit 7 vjecar në Gur të Zi në Shkodër i cili ka nevojë për energji, për të vënë në punë paisjen që e furnizon me oksigjen. Familjarët dëshmojnë se në zyrat e këtij institucioni nuk po gjenin asnjë zgjidhje, aq më pak ndjeshmëri e humanizëm për fatkeqësinë e tyre. Arbitrariteti i OSHEE që sillet me qytetarët si skuadër ekzkutimi e ushtrisë armike, ka cuar në akte ekstreme e të dëshpëruara dhjetra qytetarë deri më sot”,-thuhet në deklaratën e PD-së. Ndërsa theksohet se e gjitha kjo ndodh, ndërkohë që drejtuesit e saj, janë zhytur në përvetësime galopante me tendera, dhe teksa favorizojnë miqtë e tyre që janë debitorë deri në 205 milionë lekë, si rasti i deputetit të mazhorancës. “I kujtojmë sot drejtorit të OSHEE se nuk ka korrupsion që do ta shpëtojë nga bëmat e të shkuarës së tij me tendera që kanë sjellë 1.3 milionë dollarë dëme në shtet. I kujtojmë drejtorit të OSHEE se do të mbajë përgjegjësi për të gjitha abuzimet e dhunimet e qytetarëve, ditën kur drejtësia të vijë”,-deklaron Partia Demokratike. 

Më herët, OSHEE ka reaguar sot pas publikimit të rastit të një familje në Shkodër ku kryefamiljari u kap duke lidhur energjinë, ndërkohë që nuk kishte kontratë me kompaninë.

Aksion për ndërprerjen e energjisë elektrike
Gruaja e Naim Dylit tha për mediat se kontrata nuk është lidhur për shkak se OSHEE kërkon që të firmosë personi që ka emrin mbi kontratën e mëparshme dhe që në këtë rast ishte vjehrri i ndarë nga jeta. Në këto kushte sipas OSHEE-së kontratën duhet ta firmosë mamaja e Naim Dylit që ndodhej në Belgjikë.
Me këtë argument familja, me djalin 7-vjeçar të sëmurë dhe që kërkonte oksigjen me pompë, duhet të qëndronte pa energji elektrike, deri sa të mbërrinte vjehrra nga Belgjika.

Në një reagim për mediat OSHEE në fakt nuk komenton aspak çështjen e burokracisë që çoi në arrestimin e Naim Dylit, por me një deklaratë të Partisë Demokratike e cila denoncoi rastin.
 
“Edhe pse nuk ka asgje te re në sjelljen e PD ndaj OSHEE, ne vazhdojme të cuditemi në mbrojtjen e hapur që PD i ben idesë se vjedhjes se energjise. Për OSHEE vjedhja e energjisë është e patolerueshme dhe cdo lidhje e paligjshme është e denueshme si vepër penale. Përpjekja e PD për të penguar punen per rimëkëmbjen e OSHEE tregon se PD nuk ka asnjë sens të respektit për ligjin dhe asnjë sens te funksionimit te shtetit”, thuhet në reagimin e OSHEE-së. 
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura