Burimi i 863 mijë eurove, nën hetim shoferi i Tahirit. Çfarë po verifikohet

Nov 22, 2017 | 10:20
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bëhet fjalë për shtetasin Gentian Caka. Hetimet kryesohen nga dyshja e prokurorëve që po hetojnë Tahirin dhe se ata kanë dyshime se Gentian Caka është i përfshirë në aferat për të cilat akuzohet ish-ministri i Brendshëm.

Gentian Caka shfaqet në disa përgjime ambientale që i janë bërë shtetasit Orest Sota. Ky i fundit është kapur në Elbasan nga Policia më 1 nëntor të këtij viti, pasi nuk iu bind uniformave blu për të ndaluar.

Në mjetin e tij, Policia gjeti 863 mijë euro kesh dhe tri dokumente me emrin e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij. Edhe në shpjegimet në Prokurori, Sota ka thënë se patentat ishin harruar në mjet nga Gentian Caka, shofer i Tahirit me të cilin ai kishte miqësi.

Mirëpo, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se paratë e gjetura në mjetin e Orest Sotës lidhen me aktivitete kriminale për të cilat hetohet ish-ministri dhe grupi i Habilajve. Dhe duke qenë se në mjetin e Sotës u gjetën edhe patentat detare të ish-ministrit, ka dyshime se në këto aktivitete kriminale, Tahiri ka përfshirë edhe shoferin e tij.

Që pas kapjes së Orest Sotës, Gentian Caka është vënë në përgjim telefonik dhe në një bisedë ai i thotë një personi se patentat në makinë i kishte lënë ai, pasi i kishte marrë në Durrës. Kjo ngre dyshime në organin e akuzës për përfshirjen e tij për ato që akuzohet Tahiri.

Momentalisht, biznesmeni Orest Sota është lënë në burg nga Gjykata dhe, mes të tjerash, ai akuzohet nga Krimet e Rënda për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Në këtë drejtim po hetohet edhe shoferi i ish-ministrit Tahiri, të cilit po i verifikohet pasuria përmes llogarive bankare dhe pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë që dosja “Habilaj” është dorëzuar te Krimet e Rënda e përkthyer e plotë, në të rezultojnë se janë plot 41 persona nën hetim për trafikun ndërkombëtar të drogës. Mes këtyre është edhe ish-ministri Tahiri, si edhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë të Policisë Kufitare në Vlorë. Dosjes së Habilajve i është bashkuar edhe dosja “Haxhiraj”.

Bëhet fjalë për grupin që trafikonte drogë me avion nga Vlora drejt Italisë. Edhe për këta ka dyshime se bashkëpunonin me Habilajt. Ndërkohë, hetimet për Tahirin vazhdojnë dhe ende nuk ka asnjë të dhënë më shumë.

Pritet që në ditët në vazhdim, me marrjen e dosjes së plotë, Prokuroria e Krimeve të Rënda të ketë një panoramë më të qartë të mënyrës se si funksiononte grupi kriminal, që sipas dosjes së Katanias ka trafikuar drogë me një vlerë totale 20 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura