Zbardhet dëshmia në gjyqin special/ Burgosja, persekutimet dhe vrasja e djalit; çfarë i bëri sistemi vajzës së kolonelit

| 17:45
SHPËRNDAJE

Rita KokaSami-Koka-torutratRita Sami Koka, ka qenë një tjetër nga viktimat e regjimit, që, për fat të keq, nuk jeton më, por ka lënë të shkruar me dorën e saj historinë e vuajtjet e asaj pjese të jetës që e mundoi edhe ditët e fundit, në përçapje të nxituara për të përfunduar gjithçka ruante në kujtesë.

Veçse nuk mundi… Prej vitesh, fëmijët e saj janë përpjekur t’i bëjnë bashkë kujtimet e mamasë, në një botim të plotë, që me sa duket po i afrohet ditës së botimit. Sipas kujto.al, rrëfimet e Rita Kokës për komunizmin do të jenë në një ditar të plotë. Deri atëherë, po botojmë ato copëza që janë shpërndarë nga familjarët e miqtë e saj nga familjarët e miqtë e saj.

KUSH ISHTE DHE PSE U BURGOS RITA KOKA

Është burgosur që në moshën 16 a 17- vjeçare, në vitet ’50, që njihen si vitet e valës së arrestimeve, burgosjeve, pushkatimeve e internimeve në masë, të intelektualëve dhe elitës qytetare shqiptare, kontributin e të cilëve regjimi komunist e shihte si rrezik për pushtetin e tyre. Pas një viti hetuesie të tmerrshme, të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, Rita Sami Kokën (Koci) e dënojnë me 10 vjet heqje lirie, me motivacionin: “Organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion e propagandë me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë!”.

Rita Sami Koka ka lindur në Firence të Italisë më 1930-n. Është e bija e ish-kolonelit Sami Koka, zv/kryetar i Shtatmadhorisë mbretërore dhe komandant i Përgjithshëm i Rojës mbretërore të Kufirit dhe i Financës. I dënuar edhe ai me 30 vjet burg nga Gjykata Speciale e marsit 1945. Rita ka ndenjur në burg gati 10 vjet, së bashku me të atin e saj, fakt që ajo e rrëfen edhe në shënime. Pas lirimit nga burgu, Rita u martua me bashkëvuajtësin në Burgun e Burrelit, Xhorxhi Koci, i dënuar politik që në vitin 1946. Pas viteve të burgut kaluan edhe disa vite në internim së bashku me familjen, në Kullë të Durrësit. Çifti Koci pati 4 fëmijë, tri vajza e një djalë. Por, fatkeqësisht, djali i tyre i vetëm u vra kur ishte ushtar, kur shërbente në Brigadën e Punës, si fëmijë i të dënuarve politikë apo me biografi të keqe.

Kur i treguan burrit të Ritës, Xhorxh Kocit, për vdekjen apo “vrasjen” e të birit të vetëm (ka mbetur ende mister vdekja e tij “aksidentale në gurore”, sepse të nesërmen ai nisej me disa ditë leje për në familje) ulërimat e trishtimit e të dhimbjes së atij burri, që u pati bërë ballë torturave dhe jetës në burg, kanë tronditur tërë Durrësin. Maraz e brengë, që më pas i kushtoi edhe jetën. Rita është larguar për në Athinë në vitin 1998, pranë vajzës së saj, por edhe me dhimbjen e madhe të largimit nga atdheu, për të cilin pat vuajtur aq shumë. Rita, edhe pse e sëmurë, shkruante kujtimet e saj.

gjyqi

TAKIMI ME BABAIN NË BURGUN E BURRELIT

Një miku ynë kishte shkruar një novelë shumë të bukur, ku e përshkruante Shqipërinë si një shqiponjë të lidhur në pranga dhe të gjakosur nga gjaku i të vrarëve. Ma pat treguar që ta shihja nga forma letrare (ai ishte 16 vjeç dhe unë 18). Novela më pëlqeu shumë dhe i thashë sikur të kishim mundësi e të shkruanim shumë kopje si kjo dhe t’i shpërndanim. Ai e pëlqeu këtë mendim timin dhe bëri si i thashë unë. Ky trakt u shumëfishua dhe u shpërnda, fillimisht në Shkodër. Në Tiranë e shpërndau Lluka Dindi që ishte 16 vjeç, nxënës në Teknikumin Financiar. Në fillim u arrestua Ndoc Larja, pastaj Lluka, Amiku, Petro Konomi dhe unë nja tre-katër muaj më vonë. Kur na nxorën në gjyqin ushtarak si grup, më pyetën nëse i njihja pjesëtarët e tjerë.

U thashë: “Jo! As i njoh, as i kam parë ndonjëherë”. Në grup, në gjyq, qe futur edhe Bardhyl Dindi, kot së koti, që përveç Llukës që kish të bënte me të, asnjëri prej të akuzuarve nuk e njihte dhe as e kishin parë si fytyrë. Bardhyli tha për mua që nuk më njihte, veçse si fytyrë, që më kishte parë në gjimnaz. Prokurori, një oficer madhor i komunistëve, më thotë: “Sigurisht që nuk i njeh, kryetari rri gjithmonë i panjohur”. Pasi mbaruan disa seanca, u dhanë dënimet. Në fund, prokurori filloi të na pyeste se çfarë kishim për të thënë për fjalë të fundit. Unë i thashë: “Asgjë!”. “Si?”, më thotë. E quan të drejtë dënimin?”. “Jo! Unë nuk e quaj aspak të drejtë, por fjala ime nuk ndryshon asgjë, ju vendosni vetë, si ju vjen për shtat, dhe për këtë nuk ju kërkoj mëshirë!”. Vite më vonë, kur u takova me babanë në Burgun e Burrelit, mes të tjerash më tërhoqi veshin me ledhatim dhe duke buzëqeshur më tha: “Mos u trego kokëfortë këtu në Burrel, si në gjyq”. Duke e përqafuar, i thashë: “Nuk jam kokëfortë baba, por padrejtësia më revolton”. Babai më shtrëngoi fort pas gjoksit dhe përsëri mbajti të qarët që po i shpërthente. I pashë vetëm sytë e përlotur.

Kolonel Sami Koci

24 DHJETOR 1950, DARKA E KRISHTLINDJES

Ato që bënin komunistët, anëtarët e PPSHsë, pa përjashtim, nuk janë bërë as në Mathausen apo Buchenwald. Le të tregojnë të dënuarit e Vloçishtit, Jubës, Bedenit, Spaçit, Urrës së Bonos, e sa e sa kampeve të tjera të shfarosjes. Merita Sokoli, një nga sopranot më të talentuara të Shqipërisë, njësoj si Tefta Tashko, u arrestua për politikë dhe u torturua gjatë hetuesisë në mënyrën më çnjerëzore. E lidhur me hekura, duar e këmbë e patën varur në një çengel vetëm sa i takonin majat e gishtave, e lanë ashtu për ditë të tëra. Siç qe e varur, i erdhën menstruacionet. Filloi të qante, duke shtrënguar këmbët. Kur hyri roja, ajo filloi t’i thoshte: “Jo, jo! Të lutem mos hyr!”. Kur ai hyri, e pa në atë gjendje, qeshi si kafshë. Pse qenë të tillë, qenër! Në Burgun e Burrelit, ish-i dënuar edhe Gjergj Kokoshi, i sëmurë me TBC. E kishin izoluar vetëm.

Një ditë, një i burgosur i futi poshtë derës një copë letër për ta përshëndetur e për t’i dhënë kurajë. Dikush e spiunoi dhe e izoluan në një qeli pa dyshek, pa ndërresa dhe e lanë vetëm me bukë thatë dhe ujë. Ishte dimër dhe në Burrel bënte shumë ftohtë (ai që e pat spiunuar ishte një çam, në mos harroj quhej Dino). Kështu, Gjergji mori plevit dhe në të njëjtën kohë u çmend. Më vonë i çuan rrobat, por ai zhvishej dhe shtrihej në çimento. Gjithë kohën luste Zotin dhe shenjtorët, pastaj shante Enver Hoxhën, që dikur as që e pat përfillur si njeri dhe intelektual. Thërriste nënën e tij. Nuk pushonte së foluri ditë e natë, gjersa i iku zëri dhe jeta bashkë. Unë e kisha afër qelisë sime dhe e dëgjoja, më vinte keq për të, por nuk duroja dot. Vija duart në vesh dhe ashtu rrija me orë të tëra gjersa më zinte gjumi. Kur vdiq, e mora vesh nga rojet. Dhe fillova të qaja si fëmijë, nuk e njihja as nuk e kisha parë ndonjëherë, por e qava si njeri me shpirt, që humbi jetën nën torturën e xhelatëve të PPSH-së. I shkruaj si më vijnë në kujtesë këto kujtime të hidhura e të paharruara!

Rita Koci

RRËFIM PËR DITËN E GJYQIT TË BABAIT

Nisi gjyqi i parë special, ku do të dënoheshin të gjithë ish-funksionarët e lartë, ndërmjet tyre edhe babai im. Gjyqi special zhvillohej në sallën e teatrit. Të burgosurit i sillnin nëpër kamionë të hapur dhe të lidhur me zinxhirë. Rruga nga burgu i ri ku ishin vendosur e deri te teatri, ishte e bllokuar me partizanë dhe pas tyre, ishte populli që priste me kureshtje… atje ishim edhe ne pjesëtarët e familjeve të të burgosurve. Unë dilja nga shkolla dhe zija vend te dritaret e ministrisë, me qëllim që të shihja babanë në kamion e ai të më shihte. Kur erdhi dita që do të dilte babai në gjyq, i thashë avokat Totozanit, të cilin e kishim mik të shtëpisë, që të më linte të hyja në gjyq.

Më tha se kishte një ftesë dhe ma dha, sepse në sallën e gjyqit duhet të kishte një ftesë për të hyrë. E mora ftesën. Ditën tjetër, sa dola nga shkolla me libra në dorë, ftesën e kisha në xhep. Më kërkoi roja ftesën dhe unë ia dhashë, si të isha sekretare partie dhe më la e nuk e zgjati më tej. Hyra brenda dhe pashë babanë. Nuk kishte vend ku të ulesha e po rrija në këmbë. Nisën ta pyesin babanë. Ishte kryetar gjyqi, Koçi Xoxe dhe prokuror Bedri Spahiu. I thotë Bedri Spahiu, babait tim: Ti ke firmosur për ardhjen e Italisë në Shqipëri… Babi i përgjigjet: Nuk është e vërtetë dhe ju e dini shumë mirë.

Në të vërtetë kur erdhi Italia, kur ushtria ishte në detin Adriatik, Ahmet Zogu, caktoi babanë tim dhe Rrok Gerën si përfaqësues të plotfuqishëm të Shqipërisë, të bisedonin me gjeneralët italianë që ndodheshin në breg të detit. Biseduan dhe pala italiane bëri kërkesën e saj që të lejoheshin të hynin në Shqipëri… Ahmet Zogu të ishte mbret kukull;… u kthyen dhe ia rrëfyen Ahmet Zogut. Sigurisht që ai nuk e pranoi kërkesën e italianëve dhe më pas, duhet të shkonin sërish tek italianët e të kthenin përgjigje negative. Pastaj, Ahmet Zogu i tha babait: S’ke ç’bën, të takon ty kjo detyrë që Italia të kuptojë që s’e pranon këtë kërkesë të tyre. Babai shkoi e bisedoi me gjeneralët dhe i tha se Ahmet Zogu nuk e pranoi një gjë të tillë. Ai i propozoi babait ta gradonte me gradën Gjeneral… i premtoi për ne fëmijët, kolegjet më të mira në Itali e të tjera premtime për një jetë të mirë. Babi nuk pranoi asgjë nga këto dhe si përfundim, u kthye mbrapsht dhe kur u kthye, dha urdhër që të hidhet në erë ura e Shijakut.

Rruga për në Durrës, ishte nga Ndroqi, dhe sapo kishte nisur të ndërtohej. Atë urdhër që dha babai nuk e zbatuan, dhe i tha Ahmet Zogut se do të dorëzohem tek italianët. “Jo, tha Zogu, sepse do të pushkatojnë… prandaj do të vish me mua!”, dhe e mori me vete. Pak kohë më vonë, babai u kthye në Shqipëri. Ishte viti 1941, kur babanë e internuan në Sardenja. Ishte lufta Italo-Greke. Ne mblidheshim vazhdimisht e bisedonim të shkonim edhe ne andej. Por vazhdimisht ndryshonim mendim.

y-1

PËRNDJEKJA

Pasi u dënua babi, vazhduan persekutimet. Na hoqën sërish nga shtëpia dhe shkuam në një shtëpi tjetër, te halla që sapo kishte ardhur nga Italia. E kishte shtëpinë te Rruga e Ambasadave. Ne rrinim në kat të parë, halla rrinte lart… unë, bashkë me vëllanë tim, Gencin. Pubja (Pëllumbi) vëllai i madh kishte ikur në Itali. Ne vazhdonim jetën normale dhe të gjitha hallet dhe sikletet i mbante mamaja jonë. Kur kuptuam se do na sekuestronin mallin, rrobat, nisëm t’i shpërndajmë nëpër farefis. Dhomën e bukës stil… e çuam te Vesel Pitarka. Dhomën e bukës, bufe, kontrabufe, karrige etj. i çuam te Veseli. Mobiliet i çuam të gjitha nëpër njerëz. Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë, dhe neve na nxorën nga shtëpia, dhe prej këtej, zumë një shtëpi tjetër me qira në Tiranën e Re, te një kushërirë e mamasë sime. Ishte afër bllokut të udhëheqjes.. që ende nuk ishte mbyllur me gardh. Plaçkat që na i merrnin, i çonin për familjet partizane. Ata ishin fshatarë të varfër… luftuan dhe zbritën në qytet. Iu dhanë apartamente… i mobiluan me plaçkat tona, me logjikën që është mall i popullit. Fëmijët i shkolluan dhe kështu që kishin të drejtë të adhuronin partinë dhe Enver Hoxhën. Por intelektualët pse e adhuruan atë… si shkuan pas një utopie kaq zhgënjyese… por ç’të bësh, se këto ishin mendimet e tyre… Kështu u vendosëm te shtëpia, në Tiranën e Re.

Mamaja përpiqej që të na mbronte mua dhe Gencin nga çfarë po ndodhte, përpiqej të na e bënte jetën sa më të thjeshtë. Përpiqej sa mundej të na mbante larg së keqes. Ajo nënë heroinë, si shumë gra e nëna të tjera, sakrifikuan për fëmijët e njerëzve të dashur që kishin nëpër burgje. Nuk iu shmangën kurrë shiut, dëborës e diellit përvëlues, por shkonin cep më cep, ku i dërgonin të burgosurit familjarë të tyre, për t’iu çuar ushqim. Përpiqej të na largonte nga persekutimi, por ishte e pamundur të na mbante larg, sepse persekutimi, vuajtja, na ndiqte gjithnjë nga pas. Shtëpia e hallës ku banonim ne, kishte një oborr të madh, të mbushur me pisha. Në mes të oborrit ishte një pistë e vogël, ku vajzat e hallës luanin. Në mbrëmje vonë, hapja muzikën e radios, e ngrija zërin dhe në këmishë të natës, dilja te kjo pistë dhe kërceja balet. Isha e pasionuar pas baletit.

Dilte mamaja dhe më thoshte: Rita, çfarë bën moj bijë, hajde brenda moj çupë! Në mes të natës, të dalësh, të kërcesh… do thonë njerëzit se ka luajtur mendsh. Hyja brenda dhe shtrihesha në krevat e nisja të fantazoja skena të ndryshme të baletit, sipas mendimeve dhe ëndrrave të mija. Pas pak kohësh, na nxorën edhe nga shtëpia e hallës dhe sa herë që na nxirrnin nga shtëpitë, na sekuestronin një pjesë të plaçkave tona. Prej këtej, shkuam te djali i xhaxhit të mamasë, për një kohë të shkurtër, ishte Naim Frashëri, aktori. Pastaj, kaluam te një pallat në Tiranën e Re, ku ishte xhaxhai… ai zuri një apartament dhe ne na dha një dhomë të madhe, ku jetonim unë, mamaja dhe Genci. Pas një kohe, në vitin 1948, na hoqën edhe prej këtej, na hoqën gjithë pallatin e na çuan në Rrugën e Kavajës, te shtëpia e Fuat Halimit. Poshtë ishte xhaxhai, lart, në një dhomë të vogël, ishim unë, mamaja dhe Genci. Duke shitur disa nga plaçkat tona, mundëm të mbijetojmë.

Në këtë shtëpi, kishin mbetur vetëm dy poltronët e mëdhenj, një tavolinë e vogël që shërbente për të ngrënë dhe një tapet sintetik, se të tjerat, persiane, i kishim shitur. Kishim dhe një krevat që flinte Genci, ndërsa unë dhe mamaja, shtronim dyshekët në dysheme, kishim dhe stufën që ngroheshim. Kishim dhe një baule të madhe, ku kishin mbetur plaçkat e fundit që ishin shpëtuar… një servis lugësh e pirunësh për 24 veta, argjendi, i skalitur me pjesë ari. Mbulesa tavoline të qëndisura në Firence, perde e disa gjëra të tjera, një servis çaji porcelani, që edhe ai mbaroi për qamet të Zotit, se e çoi mamaja për ta shitur te dikush dhe ai tha që ai është thyer dhe, në fakt, i dha vetëm një filxhan dhe i tregoi pjesët e tjera të thyera… shkoi dëm dhe ai. Kishte edhe tetë vargje me margaritarë perla, të cilat i ruante, katër për mua e katër për nusen e Gencit. Erdhi koha që edhe perlat duheshin shitur dhe i çoi xhaxhi te një person. Ky person u arrestua nga policia dhe në momentin që xhaxhai po priste për paratë, policia po hetonte se kush e pret te dera që të dorëzonte për gjërat që i kishin çuar për të shitur. Xhaxha Malushi u tremb dhe tha: Nuk rrezikoj jetën për perlat, kështu që nuk shkoj dot.

Edhe mamaja nuk shkoi. Një servis tjetër, që ishte blerë në Firence, lugë e pirun, me stemat e ndryshme të familjeve aristokrate të Firences. Këto gjëra ia dha mamaja për t’i shitur një kushëriri të babait dhe i shiti në ambasadën franceze. Ishte në njëfarë mënyre matrapaz dhe na dha një çerek të parave e të tjerat i mori për vete…

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.