Burgosja e deputetëve, opozita në Kosovë ndryshon strategji

Dec 1, 2015 | 18:51
SHPËRNDAJE

Pas trazirave të fundit në Kosovë me arrestimet e disa prej deputetëve dhe aktivistëve që kundërshtuan marrëveshjet e qeverisë me palën serbe, partitë opozitare deklarojnë se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Kuvendi i Kosoves
Trazirat ne Kuvendin e Kosoves

Në një mesazh të shpërndarë për median, “Lëvizja Vetëvendosje”, “Aleanca për Ardhmërinë e  Kosovës” dhe “Nisma për Kosovën”, deklarojnë se kryeministri Mustafa dhe Hashim Thaçi përdorën shtetin policor ndaj tyre dhe shtojnë se tashmë ata do t’i drejtohen qytetarëve të Kosovës.

Përfaqësues të opozitës bëjnë përgjegjës krerët e qeverisë në Kosovë për dhunën e policisë dhe thonë se nuk tërhiqen nga “marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi”.

Qëndrimi i opozitës në Kosovë vjen një ditë para se Sekretari i Shtetit, John Kerry të vizitoj vendin.

Sipas mediave kosovare, Kerry pritet të zhvillojë takime vetëm me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçin.

Deklarata e plotë e opozitës:

Autokracia policore po kthen Serbinë në Kosovë

Qeveria e Kosovës jo vetëm që u frikësua nga masiviteti i manifestimit të Opozitës së Bashkuar por në panik e sipër ka ndërmarrë veprime që pezullojnë gjithë sistemin e demokracisë parlamentare dhe të shtetit të së drejtës. Këto masa prej arrestimit e burgosjes së pesë deputetëve të opozitës e dhjetëra aktivistëve deri të thyerja dhe bastisja e selisë kulmuan me siç po e quajnë ata suspendimin e të gjithë opozitës nga e drejta për të marrë pjesë në seancë parlamentare.

Kryeministri dhe zëvendësi i tij na vërtetuan se janë të gatshëm për ta çuar vendin drejt një autokracie policore vetëm që mos të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ne i kemi dhënë opsionet tona për zgjidhjen e kësaj situate. Ne po ashtu kemi dhënë argumente të bollshme për rrezikun real nga këto marrëveshje. Ne jemi të vetëdijshëm që ky është moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Ne nuk kemi besim se kjo përbërje e pushtetit është në gjendje të mbrojë interesin e Republikës së Kosovës. Andaj ne jemi të detyruar e të vendosur që të vijojmë kërkesat dhe aktivitetet tonë në përputhje me këto kërkesa.

Këta janë të gatshëm që siç suspenduan opozitën nga Kuvendi nesër të provojnë të suspendojnë sovranitetin e unitetin e vendit tonë.

Por askush nuk mundet ta suspendojë gjithë Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për t’u siguruar që kjo kurrë nuk do të ndodhë.

Pas ngjarjeve të djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës është rrënuar çdo formë e demokracisë përfaqësuese. Kështu që është e domosdoshme të vijojmë me  demokracinë e drejtpërdrejtë pra me qytetarët tanë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura