Burg të rinjve që përdhunuan në grup të miturën, si nisi historia e trishtë, i dashuri i premtonte jetë luksi, ajo i kërkoi…

Jul 15, 2020 | 13:03
SHPËRNDAJE

IMG-20200713-WA0000

Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit Fatjon Leka, Eduard Cangu dhe Arbis Shima, të akuzuar për përdhunimin dhe drogimin e 17-vjeçares nga Fushë-Kruja.

Ndërkohë që tre të rinjtë do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve për ngjarjen shokuese ku akuzohen se kanë abuzuar seksualisht, droguar dhe shfrytëzuar si prostitutë një 17-vjeçare, trupi gjykues ka vendosur si masë shtrënguese për Leonardo Safën “Arrest shtëpie”.

Mëngjesin e djeshëm është vetëdorëzuar edhe shtetasi Ameldi Merlika, 17 vjeç, në Policinë e Sarandës.

Vetëm Alket Brata, 32 vjeç, i cili është kryesori në këtë grup, njëkohësisht edhe autori i vendosjes së tritolit në banesën e vajzës dy ditë më parë, vazhdon të jetë i lirë dhe është shpallur në kërkim policor.

Sipas Policisë, e cila bazohet në dëshminë e vajzës, Alket Brata është “strumbullari” i kësaj historie të trishtë. Kjo histori, përtej së imagjinueshmes, nisi me një marrëdhënie dashurie mes Alket Bratës dhe vajzës 17-vjeçare.

Brata i kishte premtuar vajzës së do të martohej me të dhe i premtonte një jetë luksi jashtë vendit. Vajza gjeti ngrohtësi te premtimet e 32-vjeçarit, i cili kishte qëllime krejtësisht të ndryshme.

Duke përfituar nga mosprania e njërit prind (babai në burg për trafikim të lëndëve narkotike), vajza nisi të mos ia vinte veshin nënës së saj. Madje, me përplasjen e parë 17- vjeçarja largohet nga shtëpia dhe shkon e kërkon mbështetjen e të dashurit të saj.

Ky ishte momenti kur jeta e saj u bë një ferr i vërtetë. Brata e mori dhe e çoi vajzën në Tiranë, në një shtëpi ku ndodhej edhe një femër tjetër, e cila menjëherë sapo ka parë moshën e vajzës ka refuzuar ta strehonte në shtëpinë e saj.

Brataj e dërgon në një shtëpi tjetër, ku e prisnin pesë personat e arrestuar. Këta të fundit nisën të abuzonin që ditën e parë me 17-vjeçaren, të cilën e droguan me hashash e kokainë dhe më pas e përdhunuan në grup për të paktën 12 ditë me radhë.

Sipas vajzës, ata kishin abuzuar edhe tetë veta brenda një nate me të dhe pastaj e kishin nxjerrë të punonte si prostitutë në zonën e Kamzës. Vajza e kishte të pamundur të shpëtonte nga “kthetrat” të rinjve, pasi ata e drogonin çdo shtatëtetë orë. Pas 12 ditësh e kanë dërguar në shtëpi për të marrë pasaportën dhe më pas do të niseshin për në Greqi. Por, nëna e saj i kishte fshehur pasaportën dhe në momentin që vajza ka hyrë në shtëpi, nëna ka lajmëruar Policinë.

Që nga ky moment nisën hetimet, të cilat nxorën në dritë këtë histori tronditëse. E mbështetur nga prindërit, vajza bashkëpunoi me Policinë dhe kjo e fundit, me anë të operacionit të koduar “Nikla”, bëri të mundur arrestimin e pesë personave, ndërsa ka shpallur në kërkim “kokën e grupit”, Alket Brata.

Ky i fundit akuzohet edhe për tritolin e hedhur në banesën e familjes së vajzës, duke kërcënuar në heshtje që 17-vjeçarja të mbyllte gojën. Pas vendosjes së tritolit, Policia ka marrë në mbrojtje familjen e 17-vjeçares nga Fushë-Kruja, e cila ishte droguar dhe abuzuar seksualisht për muaj me radhë nga një grup djemsh, që merreshin dhe me kultivimin e kanabisit./L.M.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura