Burg për zyrtarin e ministrisë, akuzohet se ndihmoi në arratisjen e…

Nov 10, 2018 | 9:16
SHPËRNDAJE

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër oficerit korrektues Stefan Veliçkoviq dhe zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafa, të cilët dyshohet se kanë tentuar të ndihmojnë në arratisjen e malazezit Mario Milosheviq.

1

Vendimi i Gjykatës është marrë të premten, një ditë pasi zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Veliçkoviqit dhe Mustafës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj oficerit korrektues Stefan Veliçkoviq ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 428, paragrafi 1 i KPK-së, ndërsa ndaj zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafës ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 429, paragrafi 1 i KPK-së. Paraburgimi ndaj tyre llogaritet nga dita e arrestimit, më 7 nëntor, deri në datën e njëjtë të muajit dhjetor, shkruan Zeri.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S. V. gjatë periudhës kohore korrik – gusht 2018 nga i pandehuri P. M. kishte marrë 3.000 euro ryshfet dhe dy telefona celularë gjatë kohës sa i pandehuri S. V. ishte në detyrë zyrtare si gardian i Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykata sipas këtij njoftimi ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Veliçkoviq dhe Mustafa është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e papenguar të procedurës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura