Burg për maniakun, u bë makthi i femrave nga Liqeni

Feb 7, 2016 | 13:33
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 8 muaj burg një 58-vjeçar, që ishte kthyer në “makth” për femrat që dilnin nga Liqeni Artificial pasditeve të qershorit të 2015-s.

Liqeni ArtificialI pandehuri Arian B. u kallëzua nga dy shtetase, të cilat pohuan se në tri raste ai u kishte dalë para në zonën e Liqenit, duke ulur pantallonat para tyre.

Sipas tyre, ai edhe kishte tentuar t’u afrohej në një kohë që mbante të zbuluar organin e tij gjenital. Në vendimin gjyqësor të shpallur pak ditë më parë, i pandehuri Arian u fajësua për akuzën e “prishjes së qetësisë publike”.

I pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës si gjatë hetimeve, ashtu edhe gjatë gjykimit. Referuar vendimit të Gjykatës, i pandehuri u kallëzua pasditen e 16 qershorit 2015 nga dy shtetaset M.B. dhe D.F.

Ato kanë kallëzuar se rreth orës 17:30 të kësaj dite, kanë dalë me njëra-tjetrën nga kodrat e Liqenit Artificial për të bërë vrap.

Ndërsa ato po bënin ecje të lirë, në afërsi të vendit të quajtur “Varrezat” u ka dalë nga një shkurre i pandehuri, i cili ka qenë i veshur me pantallona të shkurtra të bardha. Në krahë mbante një çantë dhe në dorë kishte disa rroba.

Sipas kallëzueseve, i pandehuri në mënyrë të përsëritur ka ulur dhe ngritur pantallonat duke u treguar kallëzueseve organin gjenital, të cilin e lëvizte me dorë, duke ecur në drejtim të tyre.

Njëra nga vajzat i ka thënë se do të lajmëronte organet e policisë, por ai u ka thënë “lajmërojeni” dhe u ka kërkuar të afroheshin tek ai.

Dy kallëzueset kanë pohuar se në këtë moment janë larguar me vrap dhe pasi kanë vrapuar disa metra, kanë kthyer kokën dhe kanë parë që ai po i ndiqte nga pas. Ato kanë vazhduar lëvizjen e tyre të shpejtë drejt shkollës “W…” dhe kanë kërkuar ndihmë në numrin 129.

Pasi kanë shkuar shërbimet e policisë, ata janë kthyer bashkë dhe kallëzueset kanë parë të pandehurin që kishte ndërruar pantallonat dhe kishte veshur një palë pantallona të shkurtra ngjyrë blu dhe po bënte stërvitje pranë Kishës Katolike.

Kallëzueset kanë deklaruar se i pandehuri ka kryer veprime të tilla edhe në dy raste të mëparshme, përpara 10 ditësh dhe përpara një jave nga ngjarja e kallëzuar. D.F. ka deklaruar se për rastin e ndodhur një javë parë ka vënë në dijeni edhe të ëmën, e cila i ka thënë se nëse përsëritej situata të njoftonte policinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura