Burg për ëndrrat

Aug 28, 2015 | 13:12
SHPËRNDAJE

Ervin Salianji
Ervin Salianji
ERVIN SALIANJI

Sot, 52 vjet më parë, Martin Luter King mbajti fjalimin e famshëm “I have a dream” (Unë kam një ëndërr), një fjalim historik kundër diskriminimit, kundër dallimeve raciale, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Fjalim që ndryshoi botëkuptimin e përgjithshëm mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.
Po cila është lidhja e këtij fjalimi, momenti historik kyç më saktë, me shqiptarët dhe kronikën tonë të ditës? Ose, a ka dhe cilat janë ëndrrat e vrara apo të parealizuara të shqiptarit sot?

Sot, qeveria ka vrarë shpresën për një jetë më të mirë, për një vend me rend europian, për një vend ku mund të lindësh, të shkollohesh dhe të jetosh me fëmijët e tu. Një vend ku ëndrrat mund të të realizohen nga puna dhe arsimimi, dhe jo një vend ku qeveria jo vetëm që nuk të stimulon, por të pengon dhe promovon të paaftin që e ka fis, kriminelin që i vjedh votat dhe kërcënon votuesit apo hajdutin që i jep para për të blerë vota në një cikël që nuk ka fund.

Sot, Shqipëria lëngon e pashpresë, të moshuarit nuk kanë para për ilaçe dhe ushqim, grupet vulnerabël ndihen të intimiduar dhe nën represionin e qeverisë dergjen burgjeve, të varfrit nuk gjejnë veshë që t’ua dëgjojë klithmat; biznesi është shtrirë përtokë dhe tërhiqet zvarrë nga 100 lloj inspektorësh, që u hanë shpirtin. Po njësoj si të papunët, të cilët janë kthyer në numër për statistikat qeveritare, të rinjtë si fasadë nëpër urat dhe kafenetë e qytetit. E gjitha kjo nuk erdhi për një ditë, as për një muaj, por për dy vjet, ku alternativa e vetme e qeverisë sot është: BURGU. Aq sa kjo qeveri i ka “burgosur” Shqipërisë ëndrrën.

Sot, shqiptarët po lënë vendin e tyre në kërkim të ëndrrës europiane, pasi nuk shohin asnjë fije shpresë që aspiratat e tyre për të jetuar në prosperitet dhe nën frymë e kulturë europiane t’i realizojnë nën këtë qeveri. Për të ëndërruar përmirësimin e cilësisë së jetës, emigrojnë. Dhe çdo ditë e më shumë po lënë një Shqipëri, ku me Kryeministrin nuk “jetohet”, sepse e mirë dhe e drejtë është ajo që ka ai në mendje dhe jo alternativë tjetër; qoftë ajo diçka e mirë për shoqërinë.

Duan të lënë një Shqipëri, ku pabarazia po thellohet dhe taksa progresive po rrënon pjesën më vitale dhe të shëndetshme të shoqërisë, kapitalin dhe shtresën e mesme. Një Shqipëri, ku ligji është fjala e burokratit dhe ministrit dhe jo norma e shkruar. Shqipëri, ku s’ka vend për të varfrin, për të pambrojturin. Shqipëri, ku hierarkia e vlerave është e përmbysur, krimineli drejton administratën, ndërsa profesori është i përbuzur. Shqipëri ku biznesi shihet si armik dhe evazori e kontrabandisti shihen si partnerë.

Shqipëri, ku punë quhet vendosja e tendës dhe vijëzimi i rrugëve dhe jo hapja e rrugëve të reja që sjellin zhvillim dhe vende të reja pune. Reformë quhet represioni dhe jo stimuli për të bërë më shumë për vete dhe për Shqipërinë. Një Shqipëri, ku burgu është alternativa dhe zgjidhja e mjerimit që jep kjo qeveri e varfër në aspirata dhe që nuk përmbush qëllimet e qytetarit.

Shqipëri, ku nuk stimulohet dhe nxitet më i afti, por pengohet dhe intimidohet për t’u hapur rrugë klientëve apo të afërmve të qeverisë. Shqipëri, ku në administratë drejtojnë kushërinjtë dhe farefisi i ministrave dhe ku ata që kanë investuar në shkollim, mallkojnë veten. Shqipëri, ku vlerat morale të shoqërisë janë kthyer në shprehjen që e ndesh rëndom nga frika: “është çun i mirë se është drejtor dhe ka makinë”. Shqipëri, ku qeveria nuk bën arbitrin mes palëve, por është pala kryesore, jo për të zgjidhur, por për të ngatërruar një shoqëri të tërë.

E për këto arsye, shqiptarët duhet të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat dhe liritë që i kanë fituar dhe u garantohen me Kushtetutë, të rrinë në Shqipëri dhe të mos largohen ata, por të largojnë qeverinë, deri sa qeverisja të përmirësojë jetën e tyre. Deri sa jeta dhe të drejtat e njeriut të jenë qëllimi kryesor i qeverisë.
*Drejtor i Departamentit të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Anëtar i Kryesisë së PD.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura