“I penduari” në pritje të statusit, Admir Çerpja, ka “fundosur” me dëshminë e tij Dash Kupën, të arrestuarin e fundit të grupit të grabitjeve me armë në rrugën Tiranë-Rinas.
I arrestuari i fundit i grupit, të akuzuar për grabitjen e parave në rrugën Qafë Kashar-Rinas, sipas dëshmisë së dhënë nga ana e Admir Çerpjas, ka qenë organizatori i vjedhjeve me armë të shumave të konsiderueshme.
Ditën e djeshme, prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda kanë dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Dash Kupën. Ky i fundit u la sot ne burg nga gjykata.
Mësohet se nga deklarimet që ka dhënë Admir Çerpja, ky shtetas është përshkruar se kishte rolin e organizatorit në kryerjen e të paktën dy grabitjeve që kanë ndodhur në datat 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.
Sipas përshkrimeve të dhëna nga ana e “të penduarit”, Dash Kupa së bashku me kushëririn e tij, Ernest Kupa, kanë qenë në rolin e organizatorëve të grabitjeve.
Nga ana tjetër, Dash Kupa, i cili ra në pranga tri ditë më parë në pikën kufitare të Morinit duke hyrë në Shqipëri, pritet të dalë në gjykatë ditën e sotme për caktimin e masës së sigurisë. Ndaj tij është kërkuar masa e arrestit me burg, ndërsa bëhet me dije se hetimet po vazhdojnë edhe për persona të tjerë.
Ditët që vijnë, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të bëjë rimarrjen në pyetje të ish-policit privat Fatjon Xhyliu dhe ish-komandos Neim Avdulaj, pasi deklarimet e tyre para hetuesve kanë kontradiktë dhe mospërputhje.
Një tjetër problematikë e hetimit është se nga kërkimet nuk është arritur të gjenden më shumë se 400 mijë euro, pavarë- sisht se autorët e dyshuar grabitën vetëm pak javë më parë plot 3.2 milionë dollarë.
Operacioni policor për gjetjen e parave të fshehura dhe personave të tjerë të dyshuar vazhdon në të gjithë Shqipërinë. Në kërkim është shtetasi Admir Murataj, së bashku me të vëllain.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al