Burg kryetarit e arkëtarit, si zhdukën 12 milionë lekët e komunës Hajmel

Feb 9, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i komunës së Hajmelit, Lekë Bibaj, dhe vartësi i tij, arkëtari Dedë Kola, janë dënuar secili me nga 2 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Shkodrës.

Të dy ish-zyrtarët janë dënuar në mungesë, pasi momentalisht nuk ndodhen në Shqipëri. Dy ish-zyrtarët e komunës akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.

Ish-kryekomunari, Lekë Bibaj
Ish-kryekomunari, Lekë Bibaj

Në seancën e fundit në Gjykatën e Shkallës së Parë, më 29 janar të këtij viti, Prokuroria e Shkodrës, përfaqësuar nga Arben Smaçi, kërkoi që Bibaj dhe Kola të dënohen me nga 4 vite burg secili, si dhe i sugjeroi gjykatës që të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për t’u ulur 1/3 e dënimit.

Ish-kryekomunari Bibaj dhe ish-arkëtari Kola akuzohen për një vlerë prej 12 milionë lekësh të vjetër, shumë të cilën e kanë marrë dhe e kanë përdorur pa asnjë lloj dokumenti shoqërues. Gjithçka ka nisur pas një kontrolli të Ministrisë së Financave në ish-komunën e Hajmelit vitin e kaluar, teksa ka rezultuar se në arkë mungonin 12 milionë lekë.

Menjëherë ka nisur hetimi dhe pas marrjes në pyetje, ish-kryekomunari Bibaj ka pranuar se i ka marrë paratë, por për t’i përdorur për komunën. Ajo shumë, sipas Bibajt, u është dhënë dy personave, të cilët kishin kryer punime në shkollën 9-vjeçare të fshatit Nënshat, në vitin 2007.

Dy personat janë pyetur në lidhje me këtë çështje dhe kanë deklaruar në Prokurori se pas 7 vitesh është shlyer borxhi nga ishkryekomunari Bibaj teksa ka paguar dy herë me këste shumën prej 12 milionë lekësh të vjetër. Nga ana e tij, ish-arkëtari Dedë Kola ka deklaruar se i ka nxjerrë paratë nga arka me urdhër verbal të ish-kryekomunarit, pasi i ka thënë se i duheshin për nevoja urgjente për komunën.

Mbrojtja kërkoi pafajësinë për dy ish-zyrtarët, por, pas shqyrtimit të provave dhe deklarimeve, Gjykata e Shkodrës vendosi dënimin me 4 vjet burg për dy të akuzuarit, si dhe pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar nga ku ulet 1/3 e dënimit, çka do të thotë se përfundimisht dënimi është 2 vjet e 8 muaj për secilin.

Po ashtu për 5 vite të dyve u hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike. Ish-kryekomunari Bibaj është akuzuar edhe vitin e kaluar për një tjetër çështje, falsifikimin e 140 mijë m² truall, por nuk është dënuar.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura