Burbuqe Thaçi: Shefja e protokollit të Kryeministrit të Kosovës, nën avujt e kuzhinës franceze

Mar 25, 2015 | 11:39
SHPËRNDAJE


Disa vite më parë, Burbuqe Thaçi ka qenë gazetare. Sot është pjesë e protokollit të Kryeministrit të Kosovës, arsye kjo pse së fundmi është vendosur në Prishtinë. Ndërsa streha tjetër që tashmë përdoret vetëm për pushime është në Kanë, Francë. Me këtë koordinatë kuptohet menjëherë lidhja e Burbuqes me kuzhinën franceze, sado që kjo e fundit ishte vetëm starti për t’u njohur me kulinarinë e thuajse gjithë Europës.
Me gjithë parafytyrimet tona për ngarkesën që mund të ketë puna në Kryeministri, Burbuqja gjen kohën t’i kushtohet dy librave të kuzhinës që planifikon të nxjerrë së shpejti. Por si nisi të bëhet profesional pasioni i saj?! Thaçi na tregon vetë gjithë rrugët ku ka kaluar për t’u bërë ajo që është sot.
“Nga viti 2011, pothuajse çdo muaj kam vizituar nga një qytet europian. Këto udhëtime ishin për çështje pune, por edhe private. Gjëja e parë që më interesonte ishte ushqimi.
Asnjëherë nuk ngurroja të pyesja për ndonjë shije të spikatur se çfarë ishte, si gatuhej, etj.
Mikeshat e mia patën rastin të provojnë ushqimet që gatuaja në Paris. Njëra nga to shpesh e përmend se si shtoi kilogramë vetëm për 8 ditë.
Në Venedik, ku isha për studime, kuzhina ime ishte e vogël dhe pa furrë. Krejt çka gatuaja ishin njokit dhe makaronat. Kështu që gjeja arsye për t’i vizituar mikeshat e mia Katen dhe Majen, të cilat banonin në një apartament me kuzhinë të kompletuar. Kate nga Sicilia ndante të njëjtin pasion me mua. Edhe nëse vetëm një qepë të gatuante, dinte t’i shtonte shije. Kate më mësoi shumë gatime italiane. Gatime këto që fatkeqësisht kuzhinat moderne italiane me shije të ndërlikuara, rrallë i kanë në menytë e tyre. Një peshk me pak hudhër dhe fletë dafine s’kishte si të mos ishte i shijshëm kur e bënte Kate.
Atë kohe isha në lidhje me bashkëshortin tim francez, një gourmand i vërtetë. E ëma e tij është angleze, një grua e cila aq shumë ka gatuar në shtëpi e punë (punonte si shefe e kuzhinës në jahtet luksoze të miliarderëve arabë), dhe di aq shumë për ushqimin qoftë në aspektin e vlerave ushqyese. Ajo tashmë përkujdeset për kopshtin e saj organik. Domate, kunguj, qepë, speca, artiçokë, bizele, patëllxhan, ullinj, limon, fiq, e ç’nuk gjendet në atë kopsht.
Për t’u kthyer te studimet, semestrin e radhës zgjodha të shkoj në Strasburg. Bashkëshorti (asokohe i dashur), propozoi të jetonim bashkë. Morëm një shtëpi me qira në periferi dhe gjithçka për mua ishte në rregull për sa kohë kuzhina ishte e mjaftueshme. Gëzimi më i madh ishte kur ftonim miq për fundjavë. Dyqanet e fermerëve tashmë na njihnin. Qumësht, djathë, vezë, mjaltë, miell e gjithçka tjetër që dilte nga kopshtet e tyre ne i kishim në shtëpi. Më befasonte për të mirë kjo kulturë e francezëve, ku një pjesë e popullatës zgjedh me kujdes ushqimet. Ata nuk përtojnë të shkojnë me kilometra larg shtëpisë së tyre për t’i blerë domatet që janë rritur në kopshtet pa pesticide. Këtë kulturë e vëren vetëm atëherë kur ke krijuar miq. Unë tashmë kam një rreth të njerëzve me profesione të ndryshme, por me një mendim të njëjtë sa i përket ushqimit. Organik, edhe pse më i shtrenjtë, në fund të fundit, ne hamë për të jetuar dhe punojmë që të ushqehemi shëndetshëm. Kjo ishte fjalia që dëgjoja sa herë që flisnim për kulturën e të ushqyerit. Nuk mungonte tema e ushqimit francez. Gjithë ai gjalpë që përdoret në kuzhinat e tyre, gjithë ato lloje djathërash pa të cilat zor se i jepet fund një darke franceze, për verën pa të cilën shumë francezë nuk i kuptojnë  mbrëmjet. Dhe në fund, ata vijojnë të jenë elegantë.  Në një shkollë që pata ndjekur për ushqimin në Paris, kjo ishte tema. Disa institute të njohura amerikane patën publikuar një studim sa i përket ushqimit dhe sëmundjeve që shkaktohen nga konsumi i tepërt. Francezët rezultuan populli që vuan më pak nga sëmundjet e zemrës.
Me këtë ide nisa projektin rreth librit tim të parë, i cili është gati në përfundim. “Në dashuri me ushqimin” nuk është një libër vetëm me receta, disa franceze dhe mbi 50 receta të krijuara nga unë. Me këtë libër kam për qëllim të sjell informacion për ushqimet që konsumojmë, hamë, duke u përgjigjur pyetjeve si: Sa i njohim produktet ushqimore? Çfarë mund të bëjmë me to përveç gatimeve rutinë? Sa e sa ushqime gjinden në tregjet tona që i kemi parë, por asnjëherë nuk kemi guxuar t’i përdorim? Informacionet nuk i gjej vetëm në internet. Kam ndjekur kurse, trajnime, shkolla të ndryshme gjithandej Europës”.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura