Bunkeriada

Dec 13, 2015 | 12:42
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Po bëhen mbi 25 vjet që po pres, me padurim e durim, me shpresë e pa zhgënjim që, më fund, të vijë një Homer modern i cili të shkruajë, jo më Iliadën, por Bunkeriadën shqiptare. Në Shqipërinë e dikurshmen tmerrësisht komuniste, bunkerët ishin pjesë e pandashme e peizazheve shqiptare: ata kishin mbirë kudo, në male, kodra, fusha e rrethina qytetesh.

Me shembjen e regjimit hoxhist, filloi edhe shembja e shumë bunkerëve për t’u marrë hekurin përbërës, ndër të tjera, madje disa syresh u shndërruan përkohë- sisht, për ironi të fatit, edhe në lokale apo, më rrallë, në banesa. Por, paradoksalisht, një bunker na mbiu para ca kohësh në mes të kryeqytetit të Shqipërisë së sotme tmerrësisht demokratike, një bunker muze, ai, i vetmi, në krah të Ministrisë tmerrësisht të Brendshme të kësaj epoke. Sigurisht, të martën e kaluar, ajo baticë madhështore proteste që vërshoi në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, e cila tregoi se qeveria aktuale tmerrësisht socialiste e ka acaruar shumicën e shqiptarëve me mënyrën se si po përpiqet t’i administrojë vështirësitë që po u marrin frymën atyre, ndodhi që bunkeri muze u bë pika e shkarkimit të zemërimit mbarëpopullor.

Me këtë rast, miku dhe fqinji im i vjetër, Aqif Qifa, burrë tiranas i mençur e me përvojë, tek shihte ata që orvateshin ta shkatërronin bunkerin në fjalë, tha: “Eh, kto çuna i bin gamorit se s’kan ç’t’i bojn t’zotit t’gamorit!”, fjalë me vend këto në kontekstin e sotëm socialekonomik të qeverisjes socialiste.

Unë mendoj se dhuna që u ushtrua mbi bunkerin muze qe një veprim simbolik, por i zgjedhur keq. I zgjedhur keq sepse ata të rinj që iu vërsulën atij, po të ishin këshilluar paraprakisht me Aqif Qifën, do të kishin parapëlqyer një tjetër variant, shumë më zbavitës, ndonëse skatologjik, të zgjidhjes së problemit në fjalë.

Aqif Qifa do t’u kishte mësuar atyre se në kohën e diktaturës komuniste, ato disa qindra-mijëra bunkerë që u ndërtuan, me kalimin e viteve, u shndërruan, sidomos në rrethinat e qyteteve e të fshatrave, në hale ku kalimtarët e rastit lehtësoheshin, duke humbur paksa në peshë, larg syrit vigjilent të autoriteteve kompetente të asaj kohe; gjithsesi, kjo ndotje bunkerore ishte deri diku e dobishme, sepse hapësira mjedisore rrinte relativisht e pastër. Rrjedhimisht dhe për pasojë, do të kishte qenë më e hijshme dhe më fair play që bunkeri muze të zbukurohej duke u vaditur me urinë të kulluar dhe, sidomos, të stolisej e të dekorohej pa u nxituar me kacarrumë organike të parfumuar.

Po të ishte vepruar në këtë mënyrë, qendra e Tiranës do të rrinte më e pastër, sepse njerëzit nuk do të shkarkonin tepricat e tyre të lëngshme apo të brumta në afërsi të urave të Lanës, as rrëzë trungjeve të pemëve dhe, ku i dihet, kjo do të bënte që, nën shembullin e tyre, edhe qentë e rrugëve të edukoheshin që ta përshëndesnin e ta ledhatonin atë bunker muze, sipas mënyrës së tyre origjinale, duke ngritur njërën prej këmbëve të pasme ose duke u ulur mbi të dyja ato këmbë në shenjë nderimi konkret, meqë nuk mund të nderojnë me putrën lart si grusht komunist.

Mjerisht, kjo përsiatje për bunkerin muze në krah të Ministrisë së Brendshme lë disi për të dëshiruar vetëm në një pikë: për shkak të frekuentimit të dendur nga vendasit po e po, por edhe nga turistët e huaj, ky bunker muze i tejngopur me lloj-lloj parfumesh bio, sa herë që flladi do të frynte nga veriu në drejtim të jugut, mund të krijonte shqetësim, sidomos për hundët delikate të të gjithë atyre kuadrove të nderuara që ëndërrojnë, punojnë e projektojnë, jo vetëm në Ministrinë e Brendshme, por edhe ministritë e tjera e deri në Kryeministri, për të ardhmen tmerrë- sisht të ndritur të popullit tmerrësisht bunkerdashës shqiptar.

Së fundi, por jo më së paku, meqë bunkeri muze i lartpërmendur, ndryshe nga ç’e sugjeron intelektuali Aurel Plasari te gazeta “Panorama” e së enjtes së shkuar, nuk mund t’i çohet dhuratë në shtëpi atij që e ideoi, e projektoi dhe e konkretizoi atë; meqë historia e Shqipërisë tmerrësisht komuniste ka një lidhje të pandashme, gati incestuoze me bunkerët; meqë zoti Kryeministër banesën e tij në Surrel e ka deri diku në trajtë bunkeri dhe meqë, siç është shprehur vetë ai në një intervistë po në gazetën “Panorama” të së enjtes së shkuar, e imagjinon veten, pas dhjetë vjetësh, “si në një ishull të izoluar” (A nuk ka çdo ishull i izoluar diçka prej bunkeri?), pra, për të gjitha këto arsye e të tjera të ngjashme, po pres, me padurim e durim, me shpresë e pa zhgënjim që, më fund, të vijë një Homer modern trim i cili të shkruajë me përkushtim, jo më Iliadën, por Bunkeriadën e vendit tim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura