Buna e turbullt, ndërpriten kërkimet për 41-vjeçarin

Nov 7, 2012 | 12:20
SHPËRNDAJE

SHKODER- Pas 48 orësh kërkime, polumbarët e RENEA-s ndërprenë operacionin në ujërat e lumit Buna për gjetjen e trupit të Adnan Tulës, që u mbyt mesditën e së dielës. Kërkimet rezultuan të pasuksesshme, pasi uji është i turbullt dhe rrjedhja e Bunës ishte mjaft e fortë si pasojë e rritjes së nivelit të prurjeve nga shirat e ditëve të fundit. Edhe rrjetat e peshkimit kanë qenë të çara dhe, për rrjedhojë, trupi i Tulës mund të ketë depërtuar edhe më larg, e ndikuar edhe nga rrjedha e lumit Drin. Polumbarët hasën në vështirësi në operacionin e kërkimit, pasi rritja e nivelit të ujit ka sjellë me vete edhe sasi të mëdha mbetjesh, inertesh dhe shkurresh të ndryshme. Forcat RENEA, të ndihmuara edhe nga Policia e Shkodrës dhe rojet e liqenit, për dy ditë me radhë kanë bërë krehjen e gjithë terrenit nënujor në shtratin e lumit Buna, nga ura e vjetër e deri në bashkim me lumin Drin, por pa rezultat. Mësohet se kërkimet do rifillojnë sërish pas disa ditësh, kur edhe pritet të ulet niveli i Bunës dhe Drinit, dhe uji të qartësohet. Adnan Tula, 41 vjeç nga Shkodra, baba i një fëmije, u vetëhodh të dielën e shkuar nga parmakët e urës së vjetër të Bunës. Familjarët i pohuan grupit të hetimit se ky veprim mund të jetë ndërmarrë në kushtet e një gjendjeje të rënduar psikologjike, si rezultat i një aksidenti që viktima kishte pësuar para disa kohësh në Itali.              r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura