Bum – bum, të vrava!

Feb 20, 2015 | 13:36
SHPËRNDAJE

SPIRO SAQELLARI

   M’u kujtua kjo shprehje e fëmijërisë, ndërsa pashë vështrimin e zënë në faj të një nëne të re në moshë te dyqani i lodrave. Arsyeja: djali i saj, një buçko sybukur rreth katër vjeç, mbante në dorë një revole lodër. E drejtonte andej-këtej duke marrë shenjë dhe shtrak-shtruket e saj të thata i zbukuronte me një bum-bum melodioz dhe i shoqëronte me një buzëqeshje të paqtë. Filloi që tani ky – tha një kliente buzëhollë. Fajin e kanë këta që i shesin – ia priti një tjetër, me zë të ulët, që të mos dëgjonte shitësja se pastaj “e qante” pazarin që kishte në mendje të bënte për kukullën fustanbukur që mbante mbesa në dorë.  Apo s’janë dhe të bukura, ngjyra-ngjyra, tamam si të vërteta – u dëgjua një zë tjetër… Pse s’i blen dhe një tank? – vazhdoi duke u tallur.
Mamaja e re në siklet deshi t’ia rrëmbente fëmijës koburen nga dora dhe ta fuste në çantë. Por djali e fshehu nga mbrapa dhe filloi të qante.
-Ore, edhe ne paçka se s’kishim pushkë kaq të bukura atëherë, çanim vendin sa të bënim një prej druri dhe të bënim “bum-bum”. Ja më kujtohet… – por nuk e lanë të shkretin të mbaronte. Vështrimet e egra shoqëroheshin edhe me: nuk shikon ç’bëhet? Vrasje gjithandej. Tritol. Armë.
-Po pse, këto lodrat luftarake të fëmijëve ta kenë fajin mo? – pëshpëriti burri duke dalë nga dyqani. Bashkë me të dola dhe unë. E dëgjova të vazhdonte: -Fëmijërinë e kalova në një fshat të largët. Luanim luftash, me revole e pushkë, me partizanë e gjermanë, luanim gjithë ditën dhe i bënim vetë me dru dhe me tela; edhe shkopin e bënim automatik, bënim dhe ca “kërcakëse”. Ato ishin pak të rrezikshme dhe na i merrnin. Them se gjithë fëmijët kështu luajnë. Ta kenë fajin këto lodra për gjithë këtë dhunë?,- më tha duke më dhënë dorën.
Çka ndodhi te dyqani i lodrave dhe fjalët e burrit të qetë më sollën në mend jo vetëm lojërat dhe lodrat e fëmijërisë sime, por edhe më bën të mendoj që të shkruaj diçka. Loja është puna e fëmijës. Sapo i jepet mundësia, ai zhytet në të, qoftë me një rrak-rrake, shkop, veturë, kukull apo lojë elektronike. Loja e rrit fëmijën. Ajo na mëson veten dhe tjetrin. Na bën të pavarur. Na afirmon. Na bën të aftë të zëmë shokë. Të duam dhe të kemi inat. Të përplasemi, të fitojmë dhe humbasim. Të dimë të zotërojmë emocionet. Duke luajtur, mësojmë të jetojmë si vetë, edhe me të tjerët. Luajmë sipas moshës. Çdo fazë rritje ka lojërat dhe lodrat e saj. Bebe kemi rraken, se ajo na duhet për të drejtuar sytë e veshët, e më pas për të zgjatur duart. Më vonë, top e makinë që t’i ndjekim këmbadoras, “shatra- patra” se na duhet të ecim. Rreth moshës dy-trevjeçare, pasi JO-ja është bërë e fortë tani dhe thuhet vend e pa vend, fillojmë të ndihemi më vete dhe më trima. Iku koha kur rrinim sus dhe prindi ishte perëndi. Po vjen “uni”. E pikërisht në këtë moshë, djemtë fillojnë e interesohen për armët lodra. Sa zbulojnë se janë si babai, duan t’i shtojnë burrërimit të tyre dhe shpatat, revolet e pushkët. Duan të aftësohen, të mbrojnë e të sulmojnë. Të sulmojnë… kë? Duan të mbrojnë mamanë, – thonë disa, atë që e quajnë kështjellën e tyre. Po çne?- ia presin ca të tjerë, ajo kala ka kohë që ka rënë në duar të sigurta. Zaten edhe i vogli, biri i kësaj marrje kalaje është. E koklavitur kjo punë… Ndoshta, ndaj ne djemtë jemi më të rrezikuar nga çrregullimet e mendjes. Na duhet të “rrokim” armët që në foshnjëri! Cilido të jetë shkaku, duhet ta themi që në fillim se ajo lloj “rrokjeje” armësh dhe ajo lloj “lufte” është e mirë. Na ndihmon të nxjerrim jashtë ankthin, stresin, dhunën natyrale. Dhe nuk ka më mirë kur kjo del me gjasme, me të bërë “sikur”, me lojë pra. Në të kundërt, do mahiset aty, do të qelbet dhe do të shpërthejë kur nuk duhet. E kanalizuar që tani, ajo ka brenda anën artistike, shakanë, “sikur”-in e bukur, vajtje-ardhjen nga konkretja tek imagjinarja. Fëmijët dinë më mirë se ne ta dallojnë konkreten nga imagjinarja. Ne të mëdhenjtë jemi shumë konkretë, e kemi humbur imagjinatën që kur kemi harruar të luajmë. Pra, revolja lodër në duart e fëmijës nuk nxit tek ai dëshirën që nesër të dojë një të vërtetë. Përkundrazi, ta ndalosh atë të luajë me lodra luftarake, i zgjon kërshërinë të vejë drejt tyre kur ato bëjnë vërtet dëm. Dhe jo vetëm kaq, t’i pengosh të luajnë luftash, i bën të tërhequr, pasivë, të bëhen shpejt kurban i tjetrit, të mos kenë dëshirë të konkurrojnë. Do të rriten me vetëbesim të cunguar. E, për pasojë, rrezikohen nga çrregullimet e personalitetit. Por kujdes! Ndryshe ndodh me videolojërat me luftë. Këto po që janë të rrezikshme. Janë shumë afër realitetit dhe ndihmojnë në formimin e një personaliteti të dhunshëm. Super heronjtë e këtyre lojërave nuk janë modele të mira për t’u imituar. Janë shumë të dhunshëm dhe maço. Është më i mirë modeli i policit që kap të keqin.
Duhet të dimë që fëmijët kanë nevojë për këto lloj lojërash e lodrash. Por ne nuk duhet t’i nxisim të luajnë me to e, për më tepër, t’u blejmë të tilla, të shtrenjta e të sofistikuara. Imagjinatën e fëmijës e nxit më shumë një lodër e thjeshtë. Nëse ju merr nishan e bën bum-bum, tregojini me lezet që nishanin ta marrë vetëm poshtë, te këmbët dhe mos u përzieni në lojën e tij. Qëndroni në konkreten dhe jepini të kuptojë që kjo lojë nuk ju pëlqen shumë. Me vëllain e me shokët po, të luajë sa të dojë.
Ia theva pistoletën prej kauçuku, kur dëgjova për këto tritolet e fundit, – më thoshte një prind. Gabim shumë, – i thashë. Shko bliji një tjetër dhe kërkoji falje. U mendova mirë – thuaji, kjo është një lodër. Nuk është nga ato të vërtetat që vrasin e bëjnë keq.
Dhe sidomos, nuk duhet të na mungojnë fjalët. Që ai ta kuptojë që i vogël se dhuna kot është veti e budallait. Ka shumë mënyra të jesh i pari e të jesh i respektuar. Po shokët? Duhen përballuar ata? Patjetër, por me akrobaci fizike e fjalë. Qëndrime dinake në kuptimin e humorit. Bashkë me dëshirën për këto lojëra e lodra, tregojini me lezet se nuk të duhet koburja në brez që të jesh i respektuar. Ka shumë mënyra të tregosh se je i fortë. Është pikërisht momenti t’i tregojmë se, nëse nuk jemi dakord me dikë, llogaritë lahen me fjalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura