Bulqizë, minatorët kërcënojnë sërish me grevë

Aug 20, 2012 | 11:08
SHPËRNDAJE
Nga protestat e minatorëve të Bulqizës

BULQIZE- Prej një jave, minatorët e Bulqizës nuk janë lejuar të futen në galerinë e zonës D. Protesta e tyre vijon edhe diten e sotme. Ata kërkojnë rifillimin e punës, ndërsa në mbështetje të tyre tashmë kanë dalë edhe drejtuesit e konfederatës.

“Është bërë e gjatë lista e minatorëve në dyqane. “Turalb” dhe ACR duhet të ulen për bisedime, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për 66 minatorët që kanë mbetur pa punë, u shpreh kryetari i konfederatës sindikaliste, Taf Koleci. Edhe kreu i KSSH-së, Kol Nikollaj, deklaroi pak ditë më parë se ishte në mbështetje të minatorëve, ndërsa paralajmëroi grevë urie e deri në bllokim të rrugës nacionale, nëse situata nuk do të gjente një zgjidhje.

Kompania ACR njoftoi tri ditë më parë se kishte vendosur të prishte marrëveshjen me firmën nënkontraktore, për shkak se ajo nuk kishte plotësuar kushtet e vendosura më parë në kontratë. Minatorët nuk u lejuan të futen në galeri nga punonjës të sigurisë, ndërsa ata vijojnë të shkojnë çdo ditë pranë galerisë D, duke kërkuar që të lejohen të punojnë. Në mbështetje të tyre, prej ditësh kanë shkuar edhe familjarë të tyre, gra e fëmijë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura