Bukuroshe dhe rekordmene, Elektra Zykaj: Më tundojnë pasarelat (FOTO)

Feb 19, 2017 | 17:45
SHPËRNDAJE

Basketbollistja e Flamurtarit, Elektra Zykaj, shkruan historinë. Në ndeshjen e djeshme kundër Apolonisë, e vlefshme për javën e 12-të dhe e fituar me shifrat e thella nga kampionet 121-74, Zykaj do të vendoste rekord kombëtar për pikët e shënuara.

79 pikë në vetëm tri perioda lojë. Tashmë Zykaj zbret nga “froni” Ina Përmetin. Asokohe Përmeti mbante veshur fanellën e Luftëtarit dhe do të shënonte 76 pikë ndaj Studentit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë në 2002-in.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zykaj zbulon se nuk ishte në dijeni të rekordit të mëparshëm dhe se gjithçka ia la lojës dje. Mes të tjerash, bukuroshja e parketit rrëfehet edhe për pasionet e saj përtej sportit, mes tyre: moda.

Elektra Zykaj Flamurtari

Zyrtarisht, ju shkruani emrin në historinë e basketbollit shqiptar. 79 pikë të shënuara. Si ndiheni tashmë që jeni rekordmene?

Realisht ndihem shumë e emocionuar. Ndoshta është një ogur i mirë pas gjithë asaj periudhe jo të mirë që kalova me dëmtimin.

Vetëm një trepikësh ju mjaftoi të rrëzonit nga “froni” ish-rekordmenen Ina Përmeti. Ia latë gjithçka lojës apo hytë me synimin për të thyer rekordin?

Rekordin e Ina Përmetit në fakt nuk e kam ditur, por në fushë hyra për të dhënë maksimumin. Pra, gjithçka ia lashë lojës. Por ndërsa ajo paska shënuar 76 pikë në 40 minuta lojë, për dijeni të opinionit unë 10 minutat e fundit nuk u aktivizova. Ndoshta rekordi i saj është thyer dy herë (qesh).

Ju sot (dje) regjistruat edhe tetë 3-pikësha. Respektuat parashikimet në këtë specialitet tuajin?

Po, e vërtetë, kam shënuar 8 trepikësha, por në fakt rekordin tim personal e kam thyer vitin e kaluar në një ndeshje me skuadrën e Kamzës ku kam realizuar vetëm 11 trepikësha. Siç e përmenda edhe më lart, ndoshta është një rikthim, të cilin kisha shumë kohë që e prisja.

Sa jua lehtësoi skuadra lojën për të bërë historinë?

Përfitoj nga rasti t’i falënderoj shumë vajzat që nga e para deri tek e 12-ta me radhë, sepse ato ma lehtësuan shumë e duke ma bërë të mundur të arrija në fund këtë objektiv personal. Pa ato, sigurisht që nuk do të bëhej e mundur.

Elektra Zykaj bikini

Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes? Po urimi më pikant nga shoqet e skuadrës cili ka qenë?

Trajneri ishte shumë entuziast. Gjithashtu edhe vajzat duke bërë shaka e duke më thënë që “ke qenë një shqiponjë e vërtetë” (qesh).

Normalisht edhe topin e bëtë pronë tuajën?

Sot topi ishte vetëm i imi. Në çdo sulm e kisha pronë private, pavarësisht se lufta në tabelë bëhet për të ma risjellë përsëri në duar mua.

Tani që jeni rekordmene, i druheni faktit se është i pathyeshëm apo do provoni sërish?

Në fakt, unë nuk kam hyrë në fushë për t’u bërë si e tillë, por loja dhe pikët më rrëmbyen. Nuk e di a do të mundem sërish (qesh). Megjithatë, rekordet gjithmonë arrihen për t’u thyer. Ishte e lodhshme gjithsesi, duhet ta mendoj mirë në qoftë se do të ketë një herë tjetër.

A ka Zykaj një dedikim pas kësaj arritjeje në karrierë?

Ia dedikoj familjes e ekipit tim dhe le të jetë ky një hap drejt titullit kampion edhe këtë vit.

Zykaj

Sa shanse ka Flamurtari këtë sezon të mbrojë titullin, duke qenë se gara është bërë e fortë dhe ndahet mes tri skuadrave?

Objektivat tonë janë të njëjta si çdo vit. Ne kemi treguar që edhe në fushë të kundërshtarit kemi triumfuar. Shanset janë po të njëjtat. Ashtu siç janë përforcuar ekipet e tjera, ashtu jemi përforcuar dhe do përforcohemi deri në fund.

A keni një model tuajin të femrës në botë?

Kam shumë idhuj dhe që i ndjek në çdo rrjet social, por dy i kam të preferuarat e mia si brenda fushës dhe jashtë saj: Milica Daboviçin, basketbollistja e njohur serbe, dhe kroaten basketbolliste, Antonija Misura. Kanë një jetë shumë të mirë jashtë fushës së basketbollit dhe dallohen nga stilet dhe bukuria që i karakterizon.

Elektra Zykaj plazh

Basketbolliste klasi, e tillë edhe në paraqitje?

Ndoshta prezenca nuk përbën klasin në basketboll. Por, kush i ka të dyja, më mirë akoma…

Sa rëndësi i kushtoni fizikut tuaj?

Mund të them se nuk më mjaftojnë dy orët e stërvitjes çdo ditë, por bëj edhe dy orë në palestër.

Do të tundoheshit nga një ofertë pasarelash, nisur dhe nga bukuria që ju karakterizon?

Të tundohesha ndoshta, për momentin, edhe mund. Por të lë mënjanë pjesën e sportit jo.

Cili është statusi i Elektra Zykajt?

Statusi im, e lumtur (qesh)…

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura