Bujqësia përçan PS, Braçe përplaset me Ibrahimajn/ Deputeti socialist kritika qeverisë: Skemat mbështetëse në fuqi nuk stimulojnë prodhimin vendas

Nov 23, 2022 | 8:30
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI

Maxhoranca socialiste miratoi në Komisionin e Ekonomisë dhe i vuri “vulën” projektbuxhetin 2023, që do të miratohet këtë të enjte në Kuvend vetëm me disa ndryshime, ndërsa rrëzoi propozimet për paketën fiskale dhe TVSH në sektorin e Bujqësisë të deputetit Erion Braçe.

Screenshot_9-5

Dy propozimet e deputetit socialist për rikthimin në skemën 20 me 20 të TVSH për sektorin e grumbullimit dhe përpunimit dhe heqjen e TVSH për kafshët e gjalla për mbarështim shkaktuan përçarje brenda grupit të deputetëve të maxhorancës, pasi ato u votuan kundër nga vetë socialistët, ndërsa opozitarët ngritën duart duke e mbështetur deputetin e PS. Teksa shprehu pakënaqësitë e tij për mungesën e vëmendjes për bujqësinë, Erion Braçe u përplas me ministren e Ekonomisë dhe Financave, duke thënë se asnjë nga skemat mbështetëse që kemi e janë aktualisht në fuqi nuk stimulojnë prodhimin në këtë sektor. Sipas deputetit të PS-së, buxheti për mbështetjen e bujqësisë për vitin e ardhshëm, është ulur dhe kjo do ndikojë në prodhimin vendas.

DEBATI

Erion Braçe: Unë vazhdoj të insistoj te skema e TVSH për bujqësinë. Është një skemë që siç thonë grupet e interesit ka dëmtuar shumë rëndë sektorin e grumbullimit dhe përpunimit. Të rikthehet skema e autofaturimit, së dyti, përmes autofaturimi të kreditohet TVSH për ta barazuar atë 20% me 20% dhe së treti të mos rimbursohet TVSH për autofaturuesit. Kjo është një zgjidhje teknike që i jep mundësi grumbulluesit dhe përpunuesit në segmentin e brendshëm që të jetë i interesuar për të grumbulluar dhe përpunuar produktin vendas. Kjo është skema, që synon barazimin e saj me çdo sektor tjetër të ekonomisë.

Nga 2018 e këtej është kthyer në shqetësim se çfarë ka ndodhur me industrinë përpunuese, e cila ose është në informalitet në 50 për qind të saj, ose ka humbur interesin për të grumbulluar brenda vendit. Kemi hequr TVSH për importin e kafshëve të gjalla që vijnë për mish, dhe unë propozoj të hiqet TVSH edhe për kafshët e mbarsura. Do ulte kostot dhe rriste numrin e lopëve në vend.

Delina Ibrahimaj: Ne u angazhuam që vërtet të hiqnim një skemë, e cila ishte abuzive, pasi ato para nuk shkonin te fermerët dhe rritnim skemën direkte sipas politikave për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky diskutim nuk duhet bërë sërish, është një vendim i marrë vetëm vitin e kaluar. Ne kemi pasur rritje të prodhimit vendas dhe eksporteve gjatë këtij viti. Propozimi 2, është teknik, që mund të merret në konsideratë duhet relacion teknik nga Ministria e Bujqësisë.

Erion Braçe: Këto skema mbështetëse që kemi sot në fuqi nuk stimulojnë as produktivitetin, as rendimentin, as sasinë e prodhimit. Ju thoni nuk bëjmë më diskutime për fermerët. Dakord! Mos diskutoni për fermerët, s’ka asnjë problem, këtu do jemi! Por rregullojeni këtë gjë se është e padrejtë! Është i vetmi sektor i ekonomisë që e ka kështu skemën e TVSH-së.

Blerina Gjylameti: Edhe unë mendoj që kjo skemë duhet të rikthehet në skemë normale si në çdo sektor tjetër.

Anila Denaj: Në vitin 2019 kishim një diferencë shumë të madhe midis të dhënave që kishte Ministria e Financave me TVSH që do pranonte ta humbte dhe atë që kërkonte si skemë rimbursimi Ministria e Bujqësisë. Kaq e madhe, gati në informalitet në atë sektor. Skema e re në 2019 nuk lejon abuzimin, qoftë edhe nga përpunuesit me skemën e autofaturimit.

Erion Braçe: Po e solle vitin e ardhshëm pastaj, do të faturosh të gjithë çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti. Kaq shumë e thjeshtë!

Delina Ibrahimaj: Unë nuk mund të marr një propozim tani për tani dhe ta shqyrtoj dhe vendos tani!

Erion Braçe : Po, patjetër! Po për akcizën e birrës pyetët Ministrinë e bujqësisë?

Delina Ibrahimaj: Birra nuk është një produkt që varet nga Ministria e Bujqësisë!

Erion Braçe: Shumë e qartë! Pa merak! Erion Braçe: Në skemën mbështetëse për fermerët e bujqësinë ne duhet të paguajmë 2.7 miliardë lekë. Për vitin e ardhshëm keni 1.99 miliardë lekë. Për naftën këtë vit duhet të paguajmë 1.950 miliardë lekë për vitin e ardhshëm keni 1.62 miliardë lekë. Duhet të bëhet shtesa sepse atyre njerëzve u është dhënë fjala. Janë 13 000 fermerë të papaguar që kanë plotësuar çdo kriter. Nuk kanë marrë naftën. Vitin tjetër do të shtohen edhe mbi 3500, sepse janë reduktuar fondet.

Delina Ibrahimaj: Ne kemi vendosur mbështetje shtesë për bujqësinë, këtë e kemi bërë dhe vitin e shkuar dhe këtë do bëjmë dhe vitin tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura