Bujar Qamili, një koncert bujarie për fëmijët jetimë

Jun 20, 2016 | 14:34
SHPËRNDAJE

“Bujari për Bujarinë”, kështu e ka quajtur koncertin një nga këngëtarët më të dashur të muzikës popullore, shkodrani Bujar Qamili.

Bujar QamiliDisa ditë më parë, ai ka dhënë në Teatrin “Migjeni” një koncert recital. Në karrierën e gjatë të artistit, “Mjeshtër i madh”, një koncert nuk përbën ndonjë lajm të jashtëzakonshëm, pasi kjo është çka ai di të bëjë më mirë: t’i japë kënaqësi publikut, por e veçanta e kësaj here qëndronte në misionin e tij. Ishte një koncert bujarie, bamirësie.

Të gjitha të ardhurat e biletave të shitura këngëtari ia dhuroi Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër. “Ishte një projekt që e kisha menduar me kohë, por tashmë ai merr përmasa edhe më simbolike, pas ngjarjes së dhimbshme që ndodhi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Një ngjarje që na ka prekur pa masë të gjithëve dhe ne si artistë me shpirt të ndjeshëm, na del detyrë të parëve që t’i ndihmojmë këta fëmijë të pambrojtur.

Fatmirësisht, ky projekt u mbështet nga publiku shkodran, i cili jo vetëm që e pëlqen muzikën e mirë, dhe nuk mungon asnjëherë në aktivitetet e mia, madje edhe kur kam dhënë tre koncerte në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, por kauza e këtij aktiviteti u dha një shtysë më shumë.

Kërkesat ishin aq të mëdha, saqë dilnin përtej mundësive dhe kapacitetit të Teatrit ‘Migjeni’”, thotë këngëtari, teksa shton se aktivitete të tilla duhen bërë vazhdimisht. Ashtu siç pritej, Bujar Qamili do të ngrinte sallën në këmbë. I shoqëruar me një orkestër që interpretonte live, këngët shkodrane të kënduara nga këngëtari u shoqëruan nga zërat e publikut në sallë.

Por një muzikë e mirë nuk shkon pa humor. E shkodranët, humorin e kanë në gjak. Të ftuar në këtë mbrëmje ishin humoristët Gëzim Kruja, Muhamet Çekini, Drande Xhaj e Anton Krosaj, që me një humor të hollë i dhanë nota edhe më të gëzueshme mbrëmjes. Është duartrokitur fort edhe grupi i valleve me koreografi të Aldo Nikës, ku një vajze 5-vjeçare ka kërcyer vallen Pogonishte.

Një moment emocionues ka qenë ngjitja në skenë e një vajze 10- vjeçare nga Shtëpia e Fëmijës, e cila interpretoi një këngë që dikur është kënduar nga Parashqevi Simaku: “E duam lumturinë”, fjalët e së cilës bëhen rrëqethëse, kur kujton dy rastet e dhunës, të zbuluara në këtë institucion.

Këtë e ka ndjerë thellë edhe publiku shkodran. I pranishëm në këtë koncert ishte edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, që do të falënderonte në mënyrë të veçantë këngëtarin për këtë nismë fisnike të ndërmarrë. Për të dalë pak nga kjo atmosferë, këngëtari Bujar Qamili do të thërriste në skenë, në një mënyrë shumë të veçantë, një kolegen e tij, po aq të dashur për publikun.

“Asht e hijshme lozonjare/Simbol i bukurisë korçare/Nuk i duken vitet fare/ Përherë gjan 20- vjeçare/Për me këndu gjithmonë e para/Zonja dhe zotërinj… Eli Fara!”. Një tjetër bejte ishte rezervuar për një nga bashkëpunëtoret e tij më të ngushta, këngëtaren Artiola Toska, e po ashtu për këngëtaren shkodrane Mukadez Çanga. Atmosfera do të ndizej në maksimum, aq sa spektatori nuk donte të lëvizte nga salla…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura